RUBRIKA DITORE E LIBRIT E PËRZGJEDHUR NGA LIBERALE.AL
Titulli: Psikiatri
Origjinali: O Alienista
Kategoria: Roman
Autori: Machado de Assis
Përktheu: Arlind Fazliu
Botues: Pegi
Viti: 2024
Fq: 92
Mbi librin
Psikiatri i shquar Simon Bakamarte vendos të lërë Portugalinë, ku e priste një karrierë e ndritur, për t’u kthyer në vendlindje e për t’iu futur kërkimeve më origjinale në fushën e re të psikologjisë. Në krye, ngjan se qëllimi i tij i vetëm është përparimi i shkencës në mënyrë që të kurorëzojë veten dhe qytezën e tij “me kurora dafinash që s’vyshken”. Me ndihmën e Këshillit komunal të Itaguaisë, arrin të ngrejë një çmendinë të quajtur “Shtëpia e gjelbër” dhe dalëngadalë arrin të mbyllë atje të marrë e të shëndoshë mendërisht.
Gjithsekush do të pyesë veten “Kush është i çmendur, tekefundit”? Ajo që vijon më pas është një histori tejet befasuese, që ngre çështjen mes devijimit dhe normalitetit, çmendurisë dhe arsyes.
Simon Bakamarte, duke parë se të sëmurët mendorë ishin të anashkaluar nga e gjithë shoqëria, përpiqet të zbulojë etiologjinë dhe mënyrën më efikase të trajtimit të sëmundjeve mendore. Ai paraqet dy hipoteza. E para, se ka shumë më shumë të çmendur sesa mendohet dhe tjetra, se çmenduri është çfarëdo çekuilibri i aftësive mendore. Një rrëfim mbi marrëzinë dhe kthjelltësinë, satirën politike dhe komedinë e sjelljeve njerëzore.