Nga Ermir Nika*
Kjo ceremoni është shumë e veçantë sepse mblidhemi për një vepër që i kushtohet Ismail Kadaresë, i cili para pak kohësh u nda përgjithmonë nga ne dhe mendoj që është ceremonia e parë që botohet një libër pas vdekjes së tij. Sot shënohet "jeta e dytë" e autorit, ajo jetë që vjen përmes një reflektimi të gjerë dhe shumë racional. Kur jam njohur me veprën, më dukej sikur e kisha lexuar një pjesë të shkrimeve, pasi Iliri është shumë aktiv, shumë rebel, nuk pyet se në çfarë kohe është.
Të shkruash për Kadarenë nuk është e lehtë. Nuk ka qenë e lehtë në atë sistem që mendojmë se është mbyllur dhe nuk është e lehtë as sot. Gjithmonë, ata që merren me Kadarenë sulmohen, janë në qendër të vëmendjes. Është si një tabu. Ata që merren me veprën e Kadaresë e quajnë një shkrimtar oborri, ndërkohë që nxjerr të vërtetën e sistemit dhe të shumë sistemeve totalitare. Ai futet në gjenetikën e totalitarizmit. Këtu nga sulmet e shumta që kanë shkrimtarët, autorët, studiuesit, ka ndikuar që ne të vuajmë mungesën e kritikës. Themi që kritikë nuk ka. Sepse kritikët sulmohen gjithmonë. Yzeiri prek në një fushë të minuar dhe prek një konflikt që kushton. Unë në këtë rast shoh se njerëz shumë të përgjegjshëm, shumë të përkushtuar, nuk marrin parasysh asnjë risk, thonë të vërtetën për letërsinë, për kohën e tyre, ashtu siç e panë, siç e njohën.
Yzeiri për mua është marrë me autorë të vështirë. Është marrë me Mitrush Kutelin, është marrë me Petro Markon. Të dy autorë të jashtëzakonshëm, të cilët si nga regjimi i monarkisë, si gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe nga diktatura, kanë pasur të njëjtin fat: të dënuar, të atenemuar. Por edhe pas ’90 kanë qenë të përmendur, por shumë pak vepra kemi për ta. Yzeiri është një nga ata që ka folur dhe është shprehur për ta. Është marrë edhe me Kastriot Gjini, një kompozitor nga më brilantët të gjysmës së dytë të shek. XX, një “beatles i vetmuar”, një Migjen i muzikës së lehtë shqiptare. Është folur për të, por analizë të mirëfilltë kam parë vetëm te dokumentari i Yzeirit, i cili merr trajtën e një monografie. Ka ndërtuar gjithë personalitetin e Gjinit nga bashkëkohësit e tij dhe hap shtegun për studime.
Ato studime që ne i presim nga doktorantët e rinj, sepse është një epokë e cila kërkon një analizë. Të tre këta personalitete që përmenda kanë prekur telat me gjemba, kanë cenuar infrastrukturën e diktaturës duke krijuar pikëtakime me artin europian: qoftë Mitrush Kuteli me “E madhe është gjëma e mëkatit” dhe “Atë Sergi” i Tolstoit; po të Marrim Petro Markun dhe lidhjet e tij me Ernest Hemiguej, me Pablo Nerudën etj. Kjo tregon se letërsia shqipe kishte filluar të komunikonte dhe të krijonte modele me artin dhe letërsinë përtej kufijve. Kastriot Gjini e solli në muzikën shqiptare në vitet ’70, aty ku gjithë rinia fërshëllente, këndonte këngë të Sanremos.
Këto janë sipas meje prurje me shumë interes, që paralajmërojnë dhe hapin një shteg. Për Kadarenë, sidomos në këtë libër, shoh që Yzeiri është në tehun e konflikteve, në tehun e së vërtetës. Marrëdhënia e Kadresë me Aleksandër Zoton është një temë që hap debat dhe ka shumë guxim që e ka trajtuar. Po ashtu edhe me studiuesin Nasho Jorgaqi: ishin miq, jeta i ndau, i bashkoi, i ndau prapë. Shumë situata që i përjetonin në të njëjtën kohë, në mënyra të ndryshme. Ne kemi pasur fatin që të dy ta kemi mik Ismail Kadarenë, por të kemi njohur edhe Aleksandrin edhe profesor Nashon. Në njëfarë mënyre në këto situata gjendesh në pozitë të vështirë, por ke detyrimin të thuash të vërtetën. Ajo e vërtetë vjen, sipas autorit që dëshmon.
Kemi studime që vijnë nga dokumentacioni. Në një sistem totalitar, dokumentacioni jo gjithmonë të çonte te e vërteta, sepse marzhet e manipulimit dhe fshehjes janë gjithmonë një rrezik i madh. Por kur një dëshmitar flet për atë që pa e përjetoi kjo është një e vlerë e madhe mbi të vërtetën e artit dhe letërsisë.
Mendoj se ky libër është një kontribut shumë i madh për ne, por sidomos për brezin e ri, të cilët duhet ta njohin atë që kaloi, pasi siç thotë edhe i madhi Primo Levi: “Ata që nuk e njohin, mund ta rikrijojnë pa dashje”.
Një vlerë tjetër është se plotëson të gjithë atë boshllëk që ka kritika sot. Këtu janë dy kontribute të mëdha, është kontributi i autorit, që bën kritikë në një kohë që kritika po kthehet në tabu. Kemi studime por s’kemi kritikë. Por edhe kontribut i UET Press, që jashtë frymës së komercialitetit boton kritikë, me libra që në një farë mënyre duhet të guxosh, t’i shpërndash, të mbash qëndrim për atë që investon. Këtu është krijuar një pikëtakim i vërtetë, solidar dhe që do të sjellë botim pas botimi edhe autorë të tjerë, duke investuar për mendimin kritik në Shqipëri.
Iliri ka pasur një fat të madh se ka qenë mik i Kadaresë, e ka studiuar si njeri, e ka studiuar edhe krejt veprën. Këtu shkojmë direkt te personaliteti i tij, si njeri dhe si krijuaes. Për mua, aq sa e kam njohur, këto elementë nuk ndahen. Nuk mund të thuash se ndryshe shkruante dhe ndryshe ishte. Një autor kur shkruan është i vërtetë. Edhe Petro Marku, kur shkruante thoshte: “Unë shkruaj shpenguar se atë jetë kam bërë, kurse Ismaili është me rregulla strikte, është i qëndisur”. Nuk mund t’i ndajmë njeriun nga autori. Në momentin kur kemi studiues e kritikë që e kanë këtë pamje të plotë, vepra e tyre nuk është veçse e përkryer.
Dua ta uroj Ilirin. Normalisht, duke qenë mik por edhe lexues i tij, do ta rishoh edhe njëherë librin, sepse duhet të kthehemi në atë epokë që e fragmentizuar, përbën të plotën.
*Fjala e plotë në promovimin e librit “Kadare, identiteti i keqkuptuar” nga Ilir Yzeiri, botim i UET Press