Në 11 shkurt 1991, Spartak Ngjela do të takohej me jetën e tij, në ditën e parë në liri. “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, një botim i shtëpisë botuese “UET Press” është një dëshmi e kësaj lirie në të tre volumet e saj. Kjo vepër nuk është thjesht rrëfimi i kujtimeve, por është një analizë e thellë politike, sociale dhe filozofike e shoqërisë shqiptare në momentet e saj më të rëndësishme historike. Në një meditim të gjatë ekzistencialist, filli i jetës së një individi arrin t’i japë një shpjegim dhe shoqërisë së tij, të cilën e ka parë nga lart, nga brenda burgut dhe si pjesë përbërëse normale e saj.
_________________________
Viti 1993 në fakt u mbyll i gjithi i tensionuar sepse në mes të atij viti Berisha goditi shefin e opozitës, Fatos Nanon. Nano ishte i pari që e kuptoi se kredibiliteti i Berishës kishte rënë pëefundimisht në opinionin publik shqiptar, dhe e analizoi i pari krizën që po kalonte Sali Berisha në pushtetin e tij. Me një iniciativë krejt individuale, Nanoja filloi betejën e mitingjeve, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme. Kapja e Nanos ishte vërtet politike, por Berisha e ndjeu shumë rëndë. Ai tani, pasi e dinte që ishte pa përkrahjen popullore të marsit të vitit 1992, sepse pas tre muajsh humbi zgjedhjet për pushtetin vendor, e mendoi me frikë një avancim të tillë të Fatos Nanos. Nanoja atëherë ishte shumë modern në krahasim me Berishën, dhe kishte sjellë në Parlament një grup elokuent intelektualësh të cilët, në një vit debat parlamentar, e kishin afektuar shumë opinionin publik.
Fitorja që Nanoja arriti në zgjedhjet për pushtetin vendor në Shqipëri, menjëherë pas fitores së madhe të Partisë Demokratike, e bindën Nanon në atë kohë që Sali Berisha nuk mund të kishte të ardhme, sepse ai i shqetësoi shqiptarët që në tre muajt e parë të pushtetit të tij. Berisha, në anën tjetër, duke e ditur këtë, e humbi shumë shpejt ekuilibrin dhe arriti deri aty sa, të gjithë ata që e bënë përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve të pushtetit vendor, i përjashtoi nga partia, duke menduar si zgjidhje absolutizmin e tij. Por dalja në skenë si opozitë edhe e Aleancës Demokratike, e bënte opozicionin e majtë shumë më të besueshëm dhe shumë më të fortë. Berisha ndihej i goditur nga vetë elita formuese e Partisë Demokratike, por skeptrin për goditjen e një tipi pak a shumë populist po ia jepte Nanoja.
Kjo po dukej se ishte arsyeja që ai e humbi ekuilibrin, dhe në pranverën e vitit 1993, e arrestoi Fatos Nanon për korrupsion, në lidhje me përvetësimin e ndihmave që, duke qenë kryeministër, i ishin mundësuar nga Italia si kontribut i qeverisë italiane për të ndihmuar në gjendjen e rëndë ekonomike të Shqipërisë. Akuza e ngritur kundër Fatos Nanos ishte vërtet qesharake dhe të gjithë mbetën të shokuar kur e dëgjuan, por nuk kishin se çfarë të bënin sepse në të vërtetë ishte një përsëritje e makthit të kaluar bashkë me komunizmin e përmbysur. Akuza universale e hoxhizmit u duk sikur doli sërish në skenë dhe sërish duke filluar me opozitën. Por, përpara tij, Sali Berisha kishte bërë edhe dy goditje të tjera penale nga politika: Azem Hajdarin dhe Prokurorin e Përgjithshëm Maksim Haxhia.
Që të dy unë i mbrojta në gjyq si avokat, dhe të dy kishin marrë pafajësinë. Në të vërtetë edhe ato të dyja ishin akuza të stisura, të cilat u zhvleftësuan hapur në gjyq dhe gjyqtarët nuk ishin dot në gjendje që të jepnin dënim për krime inekzistente. Maks Haxhinë, si Prokuror të Përgjithshëm, pasi e shkarkuan në Parlament për shkelje të rënda proceduriale dhe kushtetuese, e akuzuan për “shpërdorim të detyrës”, sepse “kishte emëruar pa vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një prokuror në prokurorinë e Vlorës.
Në gjyq i provuam se jo vetëm prokurori i Vlorës nuk kishte një akt ose vendim emërimi të firmosur nga Presidenti Berisha, por askush që ishte emëruar deri në ato çaste nga Berisha, gjyqtar apo prokuror, nuk ishte caktuar në post me anë të një vendimi administrativ. Unë madje deklarova në gjyq i bindur: “Nëse ju si gjykatë, pasi të këqyrni arkivin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, do të gjeni një vendim të shkruar qoftë dhe vetëm për një emërim gjyqtari apo prokurori, ne do ta pranojmë akuzën për shpërdorim të detyrës shtetërore”. Gjykata e pranoi sfidën dhe shkoi vetë në Presidencë që të këqyrte arkivin administrativ. Kur u kthye deklaroi se nuk gjeti asnjë vendim të shkruar për emërimin e ndonjë gjyqtari ose prokurori, dhe prandaj i dha pafajësi Maks Haxhisë.
Dhe po kështu, edhe akuza kundër Azem Hajdarit përfundoi në pafajësi, sepse ai u akuzua se kishte goditur me grusht një administrator partie në PD, në një kohë që Kodi i Atëhershëm penal, ishte ende ai i komunizmit dhe e njësonte punonjësin e një komiteti partie me një person zyrtar. Por, për faktin se ishim në pluralizëm, akuza kundër tij, ndonëse formalisht qëndronte, binte ndesh me kushtetutën tani pluraliste të Shqipërisë, e cila nuk e njësonte më një parti me shtetin dhe nuk e pranonte që një punonjës i administratës së një partie politike të konsiderohej person zyrtar. Pikërisht për këtë arsye, pas promemories sime drejtuar gjykatës, prokurori u tërhoq nga akuza dhe Azem Hajdarit iu dha pafajësi.
Por viti 1994 kuptohej se ishte shumë më i rënduar. Agresioni i Sali Berishës kundër shtetit erdhi dhe u bë edhe më i madh. Demokracia ishte një sistem i papranueshëm për të, dhe ai e ndiente së brendshmi që duhej të vepronte nëse donte që të siguronte një pushtet të gjatë politik. E ndiente se e pati humbur shumë kredibilitetin në popull, prandaj iu drejtua gijotinës. Ai u mbështet në thirrjen më të vjetër të diktaturave – arrestoni! Kjo thirrmë e vjetër e Fushesë, që ishte edhe melodia makabër e hoxhizmit, erdhi dhe u duk sërish në Shqipëri me pushtetin absolut të Sali Berishës përgjatë vitit 1994. Të gjitha arrestimet bëheshin me urdhër të tij dhe akuza erdhi dhe u shfaq sërish në Shqipëri si mbajtësja e domosdoshme e pushtetit politik.
Të gjithë mund të rëndoheshin me një akuzë, mjafton që të renditeshin në opozitë kundër Sali Berishës. “Filloi sërish qarkullimi i akuzës”, mendoja në atë kohë dhe e shihja se gjendja po degradonte më shumë në një komedi sesa në një tragjedi, sepse e dija se pas rënies së hoxhizmit, vetë neohoxhizmi do të ishte qesharak. Në fakt, pesë ishin elementët që ai e pa të udhës që t’i sulmonte: çështjen e Kushtetutës, kryetarin e opozitës, gazetën “Koha Jonë”, Kryetarin e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Kurt Kolën dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë. Luftën me gazetën “Koha Jonë” dhe me kryetarin e opozitës Fatos Nanon e kishte filluar që në vitin 1993, por, sidomos arrestimi i Fatos Nanos erdhi dhe u bë një ngjarje shumë e rëndësishme për Shqipërinë, sidomos gjatë vitit 1994. Berisha kishte të dhëna nga brenda Partisë Socialiste se, arrestimi i Nanos, do ta reshtte Partinë Socialiste dhe do ta drejtonte në kufijtë e një partie opozitare josulmuese kundër qeverisë dhe Sali Berishës.
Por i ndodhi e kundërta: Fatos Nano nuk u zëvendësua si kryetar i Partisë Socialiste, dhe kjo i dha menjëherë një tjetër trajtë luftës politike që socialistët filluan të bënin për lirimin e Fatos Nanos nga burgu. Ajo që më bënte të mendoja në atë kohë ishte e vërteta e rëndë dhe ngacmuese se Berisha më shumë kishte kundërshtarë reformatorët e sistemit të rrëzuar dhe të hoxhizmit, sesa vetë hoxhizmin. Nuk mund të ecej më me të, dhe, po ta analizoje me pak vëmendje, e kuptoje se në krye të shtetit kishte ardhur një individ i cili nuk mund ta lejonte demokracinë në Shqipëri.
Demokracia shqiptare e kishte humbur edhe njëherë shansin e saj për të jetuar normalisht dhe për t’u strukturuar realisht në Shqipëri. Ishte sërish një vullnet me ligësi që po tentonte ta shtinte të gjithë shtetin në dorë, njëlloj si paraardhësit e tij të parë, edhe Ahmet Zogu edhe Enver Hoxha. Ishte tamam koha kur autokratit të ri i duhej të lante njëherë e mirë duart me opozitën, dhe e dija gjithashtu se ai do të tentonte të krijonte një opozitë kukull që ta dominonte vetë, të përçante popullin në jugorë dhe në veriorë, dhe njëherësh të sundonte me anë të shërbimit sekret dhe frikës që kishte filluar ta përdorte, sidomos brenda partisë së vet. Koha po i jepte një goditje së brendshmi, por ai nuk e kuptonte, sepse mendonte që më rikthimin e frikës do të krijonte sërish një pushtet absolut personal në Shqipëri. Kuptohej se ky ishte individi i tretë që po hynte në histori për të shkatërruar për herë të tretë demokracinë shqiptare, por askush nuk po merrte përsipër rolin e eliminimit të tij me të njëjtat mjete që përdorte edhe ai. Në atë kohë Berisha ishte kryetar i shtetit shqiptar, dhe kishte në Parlament rreth 115 deputetë, me të cilët mund të bënte çfarë të donte. Ishte krijuar realisht oligarkia tiranike që pati paralajmëruar Hamiltoni në konventën e Filadelfias 200 vjet më parë. Por kjo ishte shumë më keq se një oligarki tiranike, sepse oligarkia ishte pa asnjë zë.
Ajo e gjitha ishte e nënshtruar nga forca e Berishës. Prandaj gjendja ishte shumë e rëndë. Por askush nuk gjente dot një rrugëdalje. Në arenë ishte vetëm një gazetë opozitare, e cila po bënte gjithçka, por nuk ishte e mjaftueshme; sepse e gjithë media tjetër ishte në dorë të Berishës, dhe sidomos Televizioni Shqiptar, i vetmi i asaj kohe, i cili gjithë ditën fliste për Presidentin, për Partinë Demokratike dhe denigronte opozitën, për ta paraqitur atë në sytë e popullit si një “armike të popullit dhe të vetë Shqipërisë”. Megjithatë shumimi i tirazhit të gazetës “Koha Jonë”, pa dyshim që të jepte shpresë se diçka do të bëhej për të frenuar këtë rrezik të ri tiranik që mund ta kthente gjendjen sërish në një totalitarizëm të ri. Megjithatë, po ta analizoje më thellë situatën politike në atë kohë, e kuptoje se nuk ishte e mundur më që shteti të vihej në një dorë absolute dhe kjo gjendje të vijonte gjatë.
Berisha po i bënte të gjitha ato që i duheshin një diktatori në hapat e para, por, në fakt, kuptohej se ishte krejtësisht i paorientuar dhe nuk arrinte të kuptonte se vetëm një politikë e gjerë, liberale dhe me ide mund ta mbante gjatë edhe me pushtet gjithashtu, kurse gjithë rrugët e tjera ishin kondraproduktive për të dhe për Shqipërinë. Në të njëjtën kohë, ajo që shpreha pak më lart ishte ndoshta më kryesorja: kishte dalë sërish një individ që nuk do ta lejonte shoqërinë shqiptare të shpresonte tek ajo që kishte ëndërruar të ndërtonte. Dhe kjo që atëherë dukej se ishte një gjë e vërtetë. Antiintelektualizmi i tij patologjik po e sheshonte gjendjen për të ardhur realisht në një diktaturë apo në një absolutizëm të ri shqiptar. Koha u kishte sjellë shqiptarëve përpara një pengesë të re e cila do t’i ndalonte edhe për 20 vjet ndoshta që të shpresonin në të ardhmen e tyre perëndimore. Por ishin të shumtë ata që nuk e kuptonin kështu këtë çështje edhe pse ishin dakord me mendimin se ajo që po shihnin ishte thjesht inercia e primitivizmit shqiptar dhe e vetë hoxhizmit i cili nuk po pranonte që të largohej nga Shqipëria. Ishte një fatkeqësi kombëtare që duhej kaluar si çdo fatkeqësi, por që shqiptarët ende nuk mund të kishin një përvojë sesi mund ta likuidonin një diktator që në hapat e para.
Në të vërtetë kjo ishte dobësia, dhe këtu po dukej se do të vinte triumfi i autokracisë Berisha. Pengesat e Berishës, në fakt nuk ishin pengesa, por pranimi i demokracisë. Prandaj, e gjithë ndërmarrja e tij shtyhej nga karakteri i tij jodemokratik. Kjo në fakt erdhi dhe po përbënte vetë kohën posthoxhiane në Shqipëri. Të gjithë intelektualët po e kuptonin këtë, por nuk donin të angazhoheshin në një betejë kundër tij; në një kohë që beteja ishte e hapur dhe drejtohej nga opozita legale në Parlament, por edhe nga gazeta “Koha Jonë”, dhe nga një sërë intelektualësh që u angazhuan me një ndjenjë të vërtetë lirie dhe qytetarie kundër një gjëme të re që ata po konceptonin.
Në gazetën “Koha Jonë” ishin rreshtuar në një luftë pa kompromis: Frok Çupi, Edi Rama, Ben Blushi, Fatos Lubonja dhe shumë të tjerë që shkruanin përditë mendimin e tyre dhe degradonin psikikën e Berishës. Në vitin 1994, çdo ditë gazeta e “Koha Jonë” kishte në faqe të parë një gjykim antiberishë, aq sa të gjithë e kuptuan më në fund që ajo gazetë ishte ndërtuar për një luftë të drejtpërdrejtë kundër Sali Berishës. Dhe rritja e tirazhit të saj që shkoi deri në 60 mijë kopje në ditë, e tregoi qartë se populli e kishte humbur më në fund durimin për të mbajtur Sali Berishën në pushtet. Sipas të gjitha shenjave Berisha po shkonte me shpejtësi drejt shkatërrimit të tij, por askush atëherë nuk ishte në gjendje që ta kuptonte se shkatërrimi i pushtetit të Sali Berishës do të vinte bashkë me shkatërrimin e madh të Shqipërisë.