Në librin e tij “Si e kam njohur...”, një botim i shtëpisë botuese UET- Press, Mustafa Nano shkruan se Lulzim Basha ka vetëm një mënyrë për të na bërë të marrim vesh se kush është në të vërtetë: “Të vrasë” Berishën. Mirëpo, të jep përshtypjen se kjo është e vetmja gjë që nuk i shkon në mendje. Edhe sikur t’i shkonte, nuk do të kishte këllqe për ta bërë. Më lehtë mund të vrasë veten.
________________________________________
Duhet të ketë qenë pranverë e vitit 2005. Unë isha në studion e Rudina Xhungës, në Top Channel, te Piramida. Ndërsa ai ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë, nga jashtë studios. Ishte i ri, i freskët, i dashur, i ngrohtë.
Teksa e shihja, mua më shumë më ngjante me një gigolo, sesa me një politikan. Por e gjitha kjo ishte një përshtypje para se ai të hapte gojën. Nga momenti që filloi të fliste, nuk dukej keq. Dinte të artikulohej. Dinte të binte në sy. Dinte të shfaqej simpatik, ndonëse në këtë pikë nuk i është dashur të sforcohet, pasi në të vërtetë ishte një djalë simpatik. Dinte të shpërndante buzëqeshjen e vet, që i ka mbetur emblematike tanimë.
Dinte se ç’donte të thoshte të ishe para kamerës, dhe kjo e fundit është një dhunti, nëse nuk vjen prej përvojës. Në atë rast nuk vinte prej përvojës. Ai nuk kishte pasur përvojë në jetën publike. Përkundrazi, deri në atë moment kishte qenë krejt larg shikimit të publikut. Puna ia kishte dashur të ishte në terr. Në terr në kuptimin literal të fjalës. Kishte bërë përkthyesin për eurokratë të ndryshëm që merreshin me punët në Kosovë. Më saktë, me çfarë kishte ndodhur atje gjatë Luftës. Kështu është thënë. Ende nuk e keni marrë vesh se për kë e kam fjalën? Seriozisht e keni? Epo mirë, po vazhdoj t’ju jap të dhëna të tjera: Ishte djalë i gjatë, fliste anglisht mirë, ishte diplomuar në Holandë. Ah, Holanda. Kjo e dhëna e fundit e prish magjinë e gjëegjëzës, pasi nxjerr çdo gjë në shesh.
Me të përmendur Holandën, mendja të gjithëve u shkon te Lulzim Basha. Madje, në fillim u shkon te ai, e pastaj te Erazmi i Roterdamit, Rembrandt-i, apo Johan Cruyff-i. Se përse e lidhin me Holandën, asnjëherë nuk e kam kuptuar. Dihet, ka mbaruar studimet atje, ka edhe një shtëpi, por kaq nuk mjafton të kesh hak etiketën “holandezi”. Unë kam një çun daje që është arsimuar në Greqi, që ka marrë madje dy diploma, ka atje edhe dy shtëpi, por unë nuk i them “greku”. Askush nuk e thërret “greku”. Të gjithë e thërrasin në emër. Mirëpo me Bashën kështu e teprojnë gjithnjë, për të mirë e për të keq. Meqë ra fjala, e teprojnë edhe kur vënë në dukje formimin e tij perëndimor. “Politikani me mentalitet perëndimor” e quajnë.
Dhe kjo ka lidhje prapë me faktin që ai ka mbaruar studimet në Holandë. Ky është një budallallëk me brirë. Kush e ka thënë këtë gjë publikisht, nëse nuk ka pasur ndonjë interes, është e sigurt që nuk mbush mirë. Jo sepse Basha nuk mund të jetë politikan perëndimor. Jo, jo, mund të jetë që ç’ke me të. Por puna është që ai nuk mund të jetë apriori i tillë, nuk mund të jetë i tillë ngaqë ka bërë studimet në Perëndim. Sepse nuk është vetëm ai që ka bërë studimet në Perëndim. Janë me mijëra shqiptarët që janë diplomuar në perëndim pas rënies së regjimit komunist. Dhe asnjërit prej këtyre nuk ka pse t’i njihen apriori kredenciale perëndimore më të forta sesa atyre që janë arsimuar në Shqipëri apo në Lindje.
Aq më pak atyre që merren me politikë. Këta të fundit kanë mënyra më të mira sesa një diplomë për të pretenduar kredenciale të tilla. Këta mund të na bindin me atë që bëjnë ditë për ditë, ose pothuajse ditë për ditë, lidhur me formimin perëndimor të tyrin. Po kthehem te biseda në programin e Xhungës. Ishte atje që ndodhi “takimi im i parë” me Lulzim Bashën. Dhe që të jem i sinqertë, vetëm në një gjë nuk më shkoi mendja. Kur e pashë atje, sido që më la një shije të mirë, nuk e mendova se në vitin 2019 ai do të ishte në krye të opozitës shqiptare. Sepse që të më shkonte mendja këtu, do të duhej të kisha parashikuar që do të vinte një ditë, në të cilën Topalli, Patozi, Imami, Bode, etj., do të ulnin kokën aq lehtë para fatit që iu paracaktua “nga lart”, Sokol Olldashi do të vdiste, e mbi të gjitha, Berisha do të ishte i detyruar të shmangej nga drejtimi formal i Partisë Demokratike, apo thënë ndryshe, Partia Demokratike do të kishte për kryetar një njeri që nuk quhej Sali, në një kohë që Saliu ishte gjallë. Kjo e fundit ka qenë e pabesueshme, apo jo? S’ka gjë se, sido që t’i sillemi rreth këtij argumenti, nuk mund të mos biem dakord që praktikisht kryetari i Partisë Demokratike është po ai,... Sali Berisha. Për herë të parë, sy më sy, jam parë me Bashën në një takim të bërë në piano-barin e restorantit Piazza. Me sa mbaj mend, akoma nuk ishin mbajtur zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, pas të cilave Partia Demokratike do të vinte në pushtet. Dhe atje, ishim të ftuar në një darkë të organizuar nga Ambasada Amerikane për nder të dikujt që kishte ardhur nga Departamenti i Shtetit. Ka pasur edhe dy-tre shqiptarë të tjerë në atë darkë, por mua nuk më kujtohet se cilët ishin. Unë isha përballë Lulzim Bashës, dhe në një moment na u desh të mos binim dakord lidhur me - çfarë litanie! - Sali Berishën. Kuptohet, Basha kishte dhe ka për të mendimin më të mirë të mundshëm, e unë kisha dhe kam mendimin më të keq. Nuk është sekret t’ju them se amerikanët atëmot mendonin për Berishën më zi sesa unë, s’ka gjë se në atë rrethanë nuk u shprehën për këtë gjë.
Por e shijuan atë “hidh e prit” mes Bashës e meje që, afërmendsh, ishte me tone korrekte e në respekt absolut të sho-shoqit. Edhe unë e Basha e shijuam, gjithashtu. Pas darke u ndamë miqësisht. Dhe unë isha i sigurt se me këtë njeri do të takohesha shumë shpesh. Mirëpo, e dini më të bukurën? Ky ka qenë takimi i fundit që kemi pasur. I pari dhe i fundit. Më pas, e kam marrë nja dy herë në telefon, dhe më ka marrë nja dy herë në telefon. E kam marrë për ta ftuar në programet e mia televizive.
Kur kam pasur Déjà Vu-në në Top Channel, ai nuk më erdhi. Donte të vinte, të paktën kështu më tha, pasi e pëlqente programin, dhe i dukej se mund të bënim një bisedë të mirë, por nuk erdhi. Unë nuk e di saktësisht pse nuk erdhi. Por mendja ma thotë, se arsyeja ka qenë shumë e thjeshtë: Ai nuk mund të vinte në studion time për sa kohë që në atë studio nuk kishte vënë këmbë Sali Berisha. Priste që kjo të ndodhte, e pastaj i hapej rruga edhe atij. Mirëpo Berisha nuk erdhi. Edhe këtë të fundit e ftova, por ai më tha se “nuk mund të vinte, e kishte të pamundur të vinte, dhe jo sepse kishte ndonjë gjë me mua; e kishte me televizionin TCH”.
Unë e dija që kjo nuk ishte e vërtetë, sidoqoftë. Ai te Top-i nuk shkelte, kjo dihej, por mua nuk do më vinte gjithsesi, edhe sikur të isha te CNN-i (qoftë te CNN-i i Atlantës, qoftë te ky i Tiranës). Dhe kështu, mbeti edhe Basha pa më ardhur. Unë e di, shpjegimi që po i bëj mungesës së Bashës në Déjà Vu është disi spekulativ. Si rregull, nuk kam pse ta përjashtoj që ai nuk ka dashur të vinte, dhe pikë, por nuk ma ka thënë këtë, se nuk ka dashur të më të fyejë. Mund të mendohet edhe kjo, apo jo? Hëm, unë e përjashtoj këtë gjë. Unë e di që ai donte të vinte në programin tim. Ai e pëlqente atë program. E ndiqte. E dija që e ndiqte. Pastaj, ai nuk ka pasur gjë me mua. As unë me të, kuptohet. Për sa më takon, unë kam jetuar me idenë se, në rrethana të tjera, unë dhe Basha mund të kishim një marrëdhënie të mirë, për të mos thënë që mund të ishim miq.
Mirëpo ç’e do, ishte ai, Berisha. Sa punë më ka prishur ky njeri mua! Dhe të mendosh që miqësia me Bashën është më e parëndësishmja. Më e rëndësishmja është që këtë vend ma ka bërë të pabanueshëm. Mund të më thuhet nga ndonjëri: Lëre Berishën, fol për Bashën! Dhe përgjigja ime është: Për Bashën po flas, dreqi ta hajë, por është e pamundur të flasësh për të, e të mos futet Berisha në mes, si pykë, vjedhurazi, në mënyrë furacake. Doni t’jua ilustroj edhe me një rast konkret? Një ditë prej ditësh, para nja dy vitesh, më bie telefoni. Ishte një numër i panjohur. Nuk ia hapa. Disa minuta më vonë i njëjti numër më kërkoi për herë të dytë. E sërish nuk ia hapa. Pas pak, i cytur prej numrit (ishte numër me 20, dhe dihet që numrat me 20 këtejpari nuk janë dosido; numri me 20 është shenjë statusi, siç është të banosh në ish-Bllok, të punosh në Kryeministri, të jesh gruaja e një të madhi, apo burri i një të bukure, etj.; është idiotësi, e di, por ja që kështu është), i cytur prej numrit me 20 pra, e rimora. “Kush je?” “Jam Lulzim Basha. Nuk ma ke numrin?” “Po si mund të ta kem numrin? Nuk kemi folur kurrë.” Dhe folëm një copë herë. Ai kishte lexuar një shkrim timin, në të cilin isha shumë kritik ndaj Edi Ramës. Dhe më tha: “Nuk mendon se ka ardhur koha të takohemi?” Dhe unë i thashë (e di që nuk do t’ju surprizoj, por s’kam ç’të bëj): “Unë jam gati jo thjesht të takohemi, por edhe të të jap fytyrën time, nëse të duhet. Sepse ky gjatoshi më ka zhgënjyer. Por kam një kusht të vogël: Bëj ndarjen me të paudhin. Largoje atë nga partia’.” Përgjigja e tij ishte (edhe këtu, siç mund të pritet, nuk ka asnjë surprizë): “Për ‘të paudhin’ kemi mendime të kundërta. Le ta lëmë mënjanë atë.” “Ai nuk mund të lihet mënjanë. Sepse ai në të vërtetë nuk është thjesht një i paudhë. Ai është një epokë, është një frymë, është një mosozot.” “Ah, jo, në këtë pikë nuk puqemi.” Këto të fundit ishin fjalët e Lulzim Bashës. Mirëpo, unë dua ta mbyll me fjalët e mia: “Epo çdo takim mes nesh do të ishte i kotë, atëherë. Të uroj gjithë të mirat! Suksese!” Dhe ende nuk jemi takuar. Dhe kushedi se kur do të takohemi.
Post Scriptum: Ja dhe një vëzhgim pa shumë rëndësi. Basha duket se është një njeri që ka lexuar pak. E demonstron këtë gjë në gjithë ligjërimin e tij publik, që nuk të ofron asgjë. Në një rast, mbaj mend që po sulmonte Ilir Metën para kamerave (meqë ra fjala, duhet të heqë dorë nga këto sulme ad hominem ndaj kolegëve e kundërshtarëve të vet) dhe mes të tjerash, në shenjë përbuzjeje, tha: Ilir Meta është tregtari i Venedikut. Jam i sigurt se as sot nuk e ka mësuar që tregtari i Venedikut, alias Antonio në dramën e Shakespeare-it, është një nga personazhet më bujarë e zemërmëdhenj të letërsisë botërore. Me fjalë të tjera, nuk mund të zhvleftësohet askush duke e damkosur si “tregtar i Venedikut”.
Theksova pak më sipër që ky vëzhgim është pa rëndësi. Sepse politikanët në përgjithësi, por edhe këta shqiptarë në veçanti, nuk është se janë më të kulturuar se Basha. Dhe me sa duket, as që ka pse të jenë të kulturuar. Ata duhet të kenë disa tipare, të cilat jo domosdoshmërisht t’i japin kultura e leximet. Madje, leximet nuk t’i japin. E kam fjalën për tipare të tilla, që asëll-asëll janë virtyte, si aftësinë për të marrë vendime të shpejta, guximin, talentin për të lënë shenjë te të tjerët, më saktë për t’iu imponuar të tjerëve, fuqia instiktive për të parë larg, gjakftohtësia, etj., etj. Meqë jemi në këtë pikë, duhet të themi se më të mëdhenjtë e botës, me fare pak përjashtime, kanë qenë të palëçitur: Jezu Krishti, Muhameti, Napoleoni, etj., etj.