Letërsi

Botim i UET Press/ Florian Çullhaj: "Kushtetuta" e Arben Imamit, reflektim i kthjellët e objektiv mbi evolucionin kushtetues

Shkruar nga Liberale

Botim i UET Press/ Florian Çullhaj: "Kushtetuta" e Arben

Nga Florian Çullhaj

Në fjalën time do të paraqes disa konsiderata mbi librin, KUSHTETUTA, PROJEKTE, DEBATE, REFORMA, PERSPEKTIVA të autorit Arben Imami. Ky libër ofron një reflektim të kthjellët dhe objektiv mbi evolucionin kushtetues të Shqipërisë, duke shqyrtuar proceset e themelimit të saj, reformat dhe tranzicionet politike. Ndërsa natyra heterogjene e materialeve, paraqesin një reflektim më të arritshëm dhe praktik mbi evolucionin kushtetues të Shqipërisë, është e rëndësishme të pranohet se libri mund të kishte përfituar nga një analizë më e thelluar teoriko-kushtetuese. Thënë këtë, dua të nënvizoj se kjo nevojë nuk është sine qua non për librin dhe nuk e mpak vlerën e tij, sepse autori ofron një qasje alternative siç është ajo realiste, duke u ofruar lexuesve një portë hyrëse të rëndësishme, për të kuptuar kompleksitetin e reformave kushtetuese dhe tranzicionin e vështirë politik në Shqipëri. Përmes një këndvështrimi kritik dhe një pasqyrimi realist-praktik të fenomeneve, libri shërben si një burim parësor për studiuesit, studentët dhe publikun e gjerë.

Këtë ndërkallje të shkurtër unë e kam ndërtuar bazuar në teoritë kryesore kushtetuese të autorëve bashkëkohorë siç janë, Bruce Ackerman, Mark Tushnet, Michael Walzer. Këta teoricienë do të na ndihmojnë të eksplorojmë me mire tri problematika, përkatësisht, 1) momentet kushtetuese të Shqipërisë 2) raporti i kushtetutës me shoqërinë politike qe rregullon, dhe 3) rëndësia e vlerave autentike shqiptare në formësimin e kushtetutës

Autori i parë është Bruce Ackerman i cili nënvizon momentet kushtetuese, këto momente janë periudha të rralla transformimi në të cilat një komb ripërcakton strukturën e tij kushtetuese. Shqipëria, siç pasqyrohet në këtë libër, padyshim që përjetoi momente të tilla, veçanërisht gjatë tranzicionit të saj në 1991 dhe 1998. Ackerman do të argumentonte se këto ishin mundësi kyçe për të riangazhuar popullin shqiptar në ripërcaktimin e qeverisjes demokratike.

Libri i Z. Imamit i thekson këto reforma kushtetuese, por, ai fokusohet më shumë, dhe me të drejtë, në pragmatizmin politik që i rrethonte ato reforma. Për shembull, reformat kushtetuese të vitit 1998, edhe pse të nevojshme për të stabilizuar qeverisjen, ishin kryesisht të udhëhequra nga elita. Teoria e Ackerman-it na sfidon duke shtruar 2 pyetje: 1) a e shfrytëzuan elitat në mënyrën e duhur këtë moment kushtetues si mundësi për angazhim të vërtetë demokratik? 2) A e kanë shfrytëzuar ato mjaftueshëm zërin e popullit shqiptar? Në gjykimin tim, autori mund të ofronte një reflektim edhe më kritik, nëse Shqipëria ka përqafuar vërtet momentet e saj kushtetuese nën frymën transformuese që parashikon Ackerman.

Autori i dytë është Mark Tushnet, koncepti i të cilit mbi konstitucionalizmin popullor, mbron idenë e minimizimit të rolit të gjykatave në interpretimin kushtetues dhe ngritjen e rolit të popullit. Për shembull, Z. Imami diskuton mbi heqjen e dënimit me vdekje dhe ndikimin e fortë të organeve ndërkombëtare si Këshilli i Evropës (KE) dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në formësimin e reformave kushtetuese të Shqipërisë. Po ashtu, mbështetja në organet ndërkombëtare si Komisioni i Venecias nxjerr në pah tendencën e Shqipërisë për të kërkuar udhëzime kushtetuese nga jashtë.

Kritika e Tushnet ngre shqetësimin se, konstitucionalizmi shqiptar është tepër i varur nga rishikimi gjyqësor, (judiciary review) duke privuar potencialisht qytetarët nga pushteti për të formuar në mënyrë aktive debate kushtetuese. Kjo varësi e tepruar nga institucionet e jashtme krijon një hendek midis kushtetutës dhe popullit që supozohet t'i shërbejë. Reflektimet e autorit mund të eksploronin, ose mund të eksplorojnë në të ardhmen, mënyra alternative se si mund të fuqizohen qytetarët shqiptarë për të marrë pjesë në interpretime kushtetuese, duke ndërtuar një themel më të fortë për angazhim demokratik.

Autori i tretë dhe i fundit është, Michael Walzer, tek i cili do ndalem pak më gjatë. Walzeri në teorinë e tij të komunitetit dhe drejtësisë, argumenton se drejtësia duhet të bazohet në vlerat dhe përvojat e përbashkëta të një komuniteti të caktuar. ‘Fiat justitia ruat caelum’ – Le të bëhet drejtësi edhe nëse qiejt të përmbysen është fraza që sintetizon besimin e Walzer se drejtësia duhet të rrënjoset në kontekst. Ndryshe nga qasjet universaliste, Walzer argumenton se drejtësia duhet të kontekstualizohet: ajo që është e drejtë për një komunitet mund të mos përputhet me normat dhe vlerat e një tjetri. Në kontekstin e Shqipërisë, një vend që ka kaluar një histori të trazuar, duke përfshirë sundimin autoritar, tranzicionet postkomuniste dhe aspiratat për integrim evropian, kjo teori ofron një lente vendimtare për të kuptuar drejtësinë kushtetuese.

Libri i Z. Imamit prek këtë tension midis vlerave lokale dhe standardeve më të gjera ligjore evropiane të adoptuara në Shqipëri. Megjithëse këto reforma janë në përputhje me normat evropiane, Walzer vë në dyshim nëse këto ndryshime pasqyrojnë plotësisht identitetin kulturor dhe historik të Shqipërisë. Vendosja e standardeve të tilla ligjore mund të rrezikojë shkëputjen e Kushtetutës nga vlerat e komunitetit shqiptar.

Le të marrim sërish shembullin e debatit për dënimin me vdekje, ‘vox populi, vox Dei’ - zëri i popullit është zëri i Zotit - na kujton se ndjenja publike në Shqipëri në atë kohë ishte kryesisht në favor të mbajtjes së dënimit me vdekje për shkak të rritjes së shkallës së krimit. Autori nënvizon se si vendimi i Shqipërisë për të hequr përfundimisht dënimin me vdekje u ndikua fuqishëm, nga dëshira e saj për t'u bashkuar me institucionet evropiane si Këshilli i Evropës. Por, Walzer argumenton se ky vendim, megjithëse progresiv në aspektin ndërkombëtar, nuk ishte domosdoshmërish në përputhje me ndjenjën e publikut vendas ose kontekstin historik të vlerave shoqërore të Shqipërisë në atë kohë. Sfida, siç do ta përcaktonte Walzer, është se si, Shqipëria, mund të pajtojë angazhimet e saj kushtetuese ndaj standardeve globale të të drejtave të njeriut me përvojat, dhe vlerat e veçanta të qytetarëve të saj.

Autori thekson gjithashtu se, reforma të tjera janë nxitur nga integrimi evropian, si ndryshimet në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pavarësia e gjyqësorit dhe miratimi i traktateve ndërkombëtare, shumë prej të cilave janë përfshirë në kuadrin ligjor shqiptar. Këto reforma, ndonëse progresive, na sjellin në dilemën ‘cui bono?’- për të mirën e kujt? - pasi rrezikojnë të krijojnë një kuadër kushtetues që, megjithëse përputhet me parimet universale, mund të mos rezonojë plotësisht me realitetet historike dhe kulturore të Shqipërisë. Teoria e Walzer sugjeron se drejtësia nuk duhet t'u shërbejë vetëm interesave të jashtme, por duhet të dalë organikisht nga përvojat e jetuara dhe vlerat e komunitetit shqiptar.

Për shembull, përfshirja e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kushtetutën shqiptare në vitin 1998, siç thekson dhe Z. Imami, shënoi një hap të rëndësishëm drejt përafrimit të Shqipërisë me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, parimi ‘pacta sunt servanda’ (marrëveshjet duhet të respektohen) duhet të bashkëjetojnë me parimin ‘salus populi suprema lex esto’ (mirëqenia e popullit duhet të jetë ligji suprem). Ndërsa këto angazhime ndërkombëtare janë të rëndësishme, ato nuk duhet të errësojnë përgjegjësinë parësore të kuadrit kushtetues të Shqipërisë ndaj popullit të saj. Perspektiva e Walzer do të mbështeste një ekuilibër, në të cilin strukturat ligjore të Shqipërisë do të respektojnë angazhimet e saj pa e harruar karakterin e saj unik kombëtar. Sfida për Shqipërinë, siç sugjeron dhe Z. Imami, është ‘in medio stat virtus’ (virtyti qëndron në mes), pra, gjetja e ekuilibrit të duhur mes respektimit të normave ndërkombëtare dhe pasqyrimit të vlerave specifike të popullit të saj. Teoria e Walzer, e aplikuar në kontekstin shqiptar, nënvizon se drejtësia e vërtetë nuk qëndron në adoptimin pa kriter të modeleve të huaja, por në një kushtetutë që pasqyron në mënyrë autentike përvojat dhe aspiratat e përbashkëta të komunitetit.

Si përfundim, ky libër është një kontribut thelbësor për të kuptuar rrugëtimin kushtetues të Shqipërisë. Libri, ofron një analizë të qartë, nën qasjen realiste të reformave kushtetuese në periudhën postkomuniste. Por, siç theksova edhe më herët, duke integruar pikëpamjet e teoricienëve si Ackerman, Tushnet, dhe Walzer autori mund ta pasuronte këtë studim edhe më tej – duke i ofruar lexuesit dy këndvështrime, atë objektiv dhe subjektiv. Përkatësisht, aspekti objektiv, i cili, në leximin tim është tërësisht i realizuar, pra, një dëshmi parësore me vlerë të lartë historike, dhe aspekti subjektiv, hapjen e një shtegu për një interpretim vizionar metafizik, për të ardhmen e kushtetutës së Shqipërisë

Siç ka thënë gjykatësi dhe filozofi i njohur amerikan Oliver Wendell Holmes Jr.: ‘Jeta e së drejtës nuk ka qenë logjika, por përvoja’. Le të kujtojmë se kushtetutat janë dokumente të gjalla, të formuara nga përvojat e personave dhe e brezave të cilëve u kanë shërbyer. Kushtetuta e Shqipërisë, duhet të jetë më shumë se një kuadër ligjor, ajo duhet të jetë një pasqyrim i shpresave, të drejtave dhe aspiratave të brezave që kanë qenë, janë dhe do të jenë në këtë tokë.

*Fjala e pedagogut Florjan Çullhaj në promovimin e librit të Arben Imamit, "Kushtetuta- Projekte, Debate, Reforma, Perspektiva", botim i UET Press

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH