Festivali i 63-të i Këngës po afron, ndërsa në një konferencë për mediat, nga drejtoresha e këtij festivali, Elhaida Dani, janë zbuluar detaje dhe risitë e këtij eventi spektakolar për publikun shqiptar dhe jo vetëm.
Në fetival do të ketë 30 konkurentë dhe vetëm një fitues që do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion.
“Do jetë një çmim i parë dhe çmimi i parë do të shkojë edhe në Eurovizion dhe unë jam shumë e qetë me këtë vendimmarrje”,- tha Elhaida Dani, drejtoresha artistike e festivalit.
Në këtë festival do të ketë edhe të ftuar special ndërsa i gjithë spektakli do të jetë i ndërthurur mes tradicionales dhe modernes.
“Është shumë interesante që këtë vit nuk këndohet vetëm për dashurinë, për ndjenjën për zhgënjimin por edhe për kauzat sociale”,-tha Zefina Hasani.
Për herë të parë, Fest 63 do të prezantojë një sistem votimi të zgjeruar, ku do të përfshihet edhe diaspora.
Festivali i këtij viti do të jetë në moderimin e Enkel Demit dhe Ornela Bregut. Magjia e spektaklit do të jetë nën regjinë e Redi Trenit, ku risi të shumta ka dhe në skenografi.
Edicioni i 63 i Festivalit të Këngës në RTSH do të zhvillohet nga data 19 deri në 22 dhjetor në sallën e madhe të Pallatit të Koncerteve.