Pikturat e tij të para janë frymëzuar nga koha e qëndrimit në Pogradec. Bëhet fjalë për një nga emrat më të njohur të artit shqiptar të shek. XX, Abdurrahim Buza.
Motivet etnike nga Gjakova, Kosova dhe veriu i Shqipërisë bëhen subjekt i shpeshtë i krijimtarisë së tij. Disa prej veprave të tij më të njohura, janë: “Dasma kosovare”, “Pogradeci”, “Nusja kosovare”, “Azem Galica dhe luftëtarët”, “Refugjatët” dhe vepra e shfaqur më lart "Gruaja me dy foshnja". Punimet e Buzës u ekspozuan për herë të parë në nivel kombëtar në prill 1945.
Karakteristikë e pikturave të tij janë ngjyrat e ndezura dhe një farë naiviteti fshataresk. Piktori ka trajtuar një mori të larmishme temash, nga portretet te peizazhet e Pogradecit dhe Tiranës si dhe temën historike, epike dhe kombëtare. Fryma e vendlindjes së tij, Kosovës, pasqyrohet në rreth 500 piktura në vaj si dhe në 10.000 skica, të cilat janë në ruajtje.
Veprat e Buzës, për sa i përket individualizimit të trajtave dhe tempit të ngjyrave, janë të thjeshta për tu kuptuar, komunikojnë me subjekte të ndryshme dhe ndikojnë mbi shikuesin ndjesinë e aprovimit dhe të kënaqësisë. Një vështrim i kujdesshëm mbi grupin e parë zbulon se Buza ende ka qenë nën ndikimin e akademisë. Të gjitha këto punime ruajnë fanatizmin dhe striktizmin e kompozimit dhe trajtimit artistik akademik.Ato tregojnë për një piktor shumë punëtor, kërkues ndaj vetes dhe prodhues i madh.
Buza lindi më 1905, në Shkup, në një familje me origjinë nga Gjakova. Në moshën 8-vjeçare mbeti jetim dhe shkollimi i tij kaloi nën tutelën e figurës më me ndikim në Malësinë e Gjakovës, Bajram Currit. Mësimet fillore i mori në në Shkodër dhe Tiranë dhe më pas, ndoqi Normalen e Elbasanit (1923-1928).
Në vitin 1928 fitoi bursë njëvjeçare në Akademinë e Arteve të Bukura në Torino, ku pati si bashkëstudent një prej skulptorëve më të njohur shqiptarë, Odhise Paskalin. Më tej, vijoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence.
Në vitin 1933 kthehet në Tiranë, ku punoi si mësues në Shkollën e Vizatimit në Tiranë. Më 1947-n, u punësua si mësues vizatimi në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku edhe doli në pension në vitin 1966.
Abdurrahim Buza nuk mund të quhet piktor primitiv, por plotësisht piktor i parë individual, modern, i pangjashëm, i pakrahasueshëm shqiptar i shek. XX dhe më e rëndësishmja pikturoi në këtë formë nën hundën e madhe të komunizmit të rrezikshëm.
Më 7 nëntor 1986 ndërroi jetë “Piktori i Popullit” Abdurrahim Buza.