Safo Marko është një nga piktoret më të njohura shqiptare e cila, përmes veprës së saj, ka lënë një gjurmë të veçantë në historinë e artit shqiptar. Një nga punët më të njohura të saj është “Portreti i Petro Markos” (1960), ku ajo sjell figurën e bashkëshortit të saj, shkrimtarit të njohur Petro Marko.
Safo Marko lindi më 28 mars 1925 në Selanik, me emrin Safije Çelo. Ishte bija e Shefqet dhe Shazije Çelos, nga një familje e njohur e Leskovikut. I ati kishte mbaruar studimet në Stamboll dhe kishte qenë kryetar bashkie në disa qytete të Shqipërisë.
Pas vdekjes së tij në 1942, Safoja vazhdoi studimet në Institutin “Nana Mbretneshë” në Tiranë, të cilat i ndërpreu për t’u bashkuar me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare.
U martua me Petro Markon dhe pas arrestimit të tij në vitin 1947, ajo përjetoi vështirësi të shumta, duke u përjashtuar shpesh nga jeta artistike. Pavarësisht këtyre pengesave, ajo vazhdoi të krijonte. Në vitin 1975, arrestimi i djalit të saj e goditi sërish familjen.
Vepra të saj ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në fondin e së cilës gjenden rreth 20 punime nga vitet 1959-1998, si: “Qymyrxhesha”, “Shitësja e luleve”, “Autoportreti”, “Fidanët”, dhe “Vajzat e Himarës”. Ajo u shqua si piktore, ilustratore librash, kopertinash dhe afishesh.
Veprat e saj ruhen gjithashtu në koleksione private shqiptare dhe të huaja. Pas vdekjes së bashkëshortit, Safoja u përkujdes për botimin e veprave postume të tij.
Ajo u nda nga jeta më 26 gusht 2012, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe njerëzore.