Një sipërmarrës i suksesshëm, organizator i mirënjohur i disa prej kolonive të piktorëve në Shqipëri. Bëhet fjalë për Fatmir Toçin i cili sot mbush 67 vjeç. Liberale.al ka përzgjedhur në këtë ditë të veçatë një portret të tij të realizuar nga artisti Pashk Përvathi.
Fatmir Toçi është një prej nismëtarëve dhe organizatorëve kryesorë për organizimin e panaireve kombëtare, rajonale dhe lokale të librit në botën shqiptare që prej vitit 1998 e në vazhdim.
Pashk Përvathi, i lindur më 27 shkurt 1958 në Manati të Lezhës, është një piktor shqiptar me një karrierë të shquar. Që në fëmijëri, ai zhvilloi një pasion të fortë për pikturën.
Në moshën 21-vjeçare debutoi në Ekspozitën Kombëtare të vitit 1979 me veprën "Vjeshtë në Manati".
Në vitin 1983, ai çeli ekspozitën e tij të parë vetjake dhe më vonë studioi në Akademinë e Arteve në Tiranë për Pikturë Monumentale.
Pas diplomimit, Përvathi ka marrë pjesë në shumë ekspozita personale dhe grupore në Shqipëri dhe jashtë saj. Veprat e tij gjenden në koleksione private në Evropë, Amerikë dhe Azi, si dhe në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Për talentin e tij, ai është nderuar me disa çmime, duke përfshirë "Naim Frashëri i Artë", çmimin "Abdurahim Buza" në pikturë në vitin 2010, dhe çmimin "KULT" për Artin Pamor në vitin 2011.
Me 28 Dhjetor 2016 i akordohet nga Presidenti i Republikës se Shqipërisë, Urdhri "MJESHTËR I MADH".