Piktura "Peisazh" është realizuar në vitin 1946 nga Nexhmedin Zajmi ku artisti paraqet një pamje natyrore të qetë dhe të harmonishme, me ngjyra të buta dhe drita natyrore që krijojnë një atmosferë melankolike dhe reflektuese.
Kompozimi i kujdesshëm dhe ndjeshmëria ndaj detajeve që Zajmi ka përdorur pasqyrojnë lidhjen e thellë të artistit me natyrën shqiptare.
Nexhmedin Zajmi, është piktor nga fshati Trebisht i Gollobordës, i cili lindi në vitin 1916 në një zonë të ftohtë por të pasur me tradita dhe ngjyra. Ai është një prej piktorëve më të njohur shqiptarë, me një ndikim të madh në rrethin e artit realist.
Pas studimeve në Akademinë e Arteve të Romës, Zajmi solli në Shqipëri një teknikë të avancuar dhe frymën e artit realist, që ndikoi fort në zhvillimin e pikturës shqiptare. Ai u bë një nga mësuesit e parë të brezit të ri të piktorëve, skulptorëve dhe artistëve shqiptarë.
Pasi kreu shkollën teknike në Tiranë, ai studioi vizatim dhe pikturë në Itali, ku i dha formë stilit të tij unik. Në vitin 1944 u emërua pedagog në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë dhe më pas në Liceun Artistik "Jordan Misja". Në vitin 1955, Zajmi mori drejtimin e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe u emërua pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura, ku punoi deri në vitin 1969.
Gjatë karrierës së tij, Zajmi mori pjesë në ekspozita të shumta, duke përfaqësuar Shqipërinë në Bienalet e Aleksandrisë, Bukureshtit, Sofjes, Vjenës dhe në shumë qytete të tjera.
Vepra e tij është pjesë e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ku ndodhen 72 piktura, përfshirë disa të realizuara në Itali gjatë viteve '40. Në vitin 1961, ai u nderua me titullin "Piktor i Popullit".
Pas një karriere të pasur, Zajmi u nda nga jeta në vitin 1991, por pasioni për artin e tij u trashëgua nga vajza e tij, piktorja Anila N. Zajmi, e cila vazhdon të jetojë dhe të krijojë në Itali.