“Nënat labe” një vepër e realizuar nga Fatmir Haxhiu (Mjeshtri i madh lindi më 28 dhjetor 1927 në Gjirokastër dhe ndërroi jetë në Tiranë më 10 mars 2001). Piktura është realizuar në vitin 1986
Nisur nga shënimi i lënë nga vetë piktori, Fatmir Haxhiu, ishte dëshira, ideja e tij, për të paraqitur ndihmën e madhe që kanë dhënë nënat e gratë trime shqiptare në luftërat e vazhdueshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Një kompozim përgjithësues me terrenin e thyer, dhe peizazhin me dëborë, për të treguar edhe vështirësitë e natyrës, si dhe veshjet e grave, karakteristike të zonës së Labërisë.
Piktura ka edhe një histori të veçantë. Ajo ishte grabitur nga Muzeu Historik Kombëtar gjatë trazirave të ‘97.
Teksa dy punëtorë po transportonin materiale ndërtimi me një tezgë të improvizuar, mësuesit e gjimnazit “Qemal Stafa”, njohës të pikturës, sipas rrëfimit të Uvil Zajmit, vunë re që ishte tabloja origjinale “Nënat labe” e Mjeshtrit Fatmir Haxhiu. Piktura kishte qenë pjesë e ekspozitës kombëtare të vitit 1986. Teksa mësuesit do të festonin 70-vjetorin e gjimnazit e vendosën pikturën në ambjentet e brendshme të shkollës
Tabloja u mbajt për gjashtëmbëdhjetë vjet në shkollë dhe në 80-vjetorin e gjimnazit në vitin 2010, pikturës iu vendos një kornizë dinjitoze. Profesorit Fatmir Haxhiu nuk ia tregua asnjëherë si arriti piktura në shkollë. Në vitin 2000, i ftuar në 75-vjetorin e gjimnazit ai u befasua kur e pa, duke shpjeguar qëllimin që e kishte shtyrë në realizimin e saj. Ai premtoi se do të bënte një riprodhim dhuratë për gjimnazin, për ta marrë më pas origjinalin. Por, në atë kohë ai ishte shumë i impenjuar për realizimin e tablosë monumentale “Beteja e Fushë Kosovës”, për Muzeun Historik të Kosovës. Fatkeqësisht në marsin e vitit 2001, papritur kur ishte në kulmin e punës, ai ndërroi jetë.
Sot piktura është pronë e familjes Haxhiu si një vepër arti e jo si një tezgë.