Piktorit Arif Lushi i jepet titulli “Qytetar Nderi” i Librazhdit – 2024
Nëse është art, nuk është popullor; nëse është popullor, nuk është art...
ARIF LUSHI
* Nga Bujar Kapllani
Arifi Lushi artin e vlerëson si një superioritet shpirtëror, pa u ngatërruar ndër hijet e njerëzores, apo tokësores si i bie të shprehemi përditshmërisht. Edhe miqtë e tij piktorë, Arifi nuk bën kompromise në art. Kjo është e vërteta e madhe e personalitetit të lirë e të pavarur për një artist si ai.
Arifi është i pangjashëm në art, origjinal. Kjo do të thotë se kushdo, që do të tundohet të kopjonte krijimtarinë e tij, nuk do të mundej t’a kopjonte atë, sepse arti i tij del si impuls nga brenda shpirtit.
Vepra të tilla mund të gjenden vetëm tek arti i Van Gogh e Paul Cezanne, vetëm tek ata mund të shohësh që kanë bërë eksperimente të të tilla, të larta e filozofike, që ndajnë tingujt e ngjyrave si tingujt e notave muzikore, në mënyrë fluide, dhe, po t’i shohësh në pamje të parë duken si lojë kaotike ngjyrash. Por, që fokusohen shumë mirë në pasurinë materiale, dhe krejt me identitet, aq sa edhe vetë Van Gogh e Paul Cezanne do e shijonin origjinalitetin në pikturën Arif Lushi. Është pasuesi i tyre, por nuk është ata, piktura e tij mbetet Arifi në shpirt. Edhe bashkohësit e tij, kolegë mjaft të talentuar, e pëlqejnë pikturën e tij, por edhe vetë ata shprehen se nuk do të munden t’a bëjnë dot atë frymë “kaotike”, por cerebrale në procesin rrjedhës të mjeteve dhe elementëve formalë e unikalë të artit.
Filozofia e artit të Arifit qëndron tek ‘’blerja’’ e konceptimeve dhe teknikave të arteve moderne, jo për të kopjuar ‘’kubizmin’’ apo “ekspresionizmin” e tij, si sloganë nënçmues, por me një frymë të drejtpërdrejtë, duke mos përsëritur vetveten në teknika të sofistikuara estetike të “bukurisë”, duke mbetur ‘’skllav’’ i momenteve emocionuese, dhe ndjesive të thella dhe profesionalizmit pioktorik.
Piktura e Arifit nuk imiton, ajo sjell një botë të lumtur, domethënë, ai tenton dhe e ndjek natyrën, për të kapur lumturinë e ngjyrave, dhe arrin ta kurorëzoj atë nëpërmjet lojës magjike mes katër elementëve të kursyer që ka arti pamor.
Së pari, piktura e tij e zhduk linjën si kontur, si formë figurative, e zhduk si siluetë, por këtë linjë e kthen, e shndërron, e transformon në ‘breaking’, si një lojë me copëza tullash, me mbivendosje intensive të ngjyrave e nuancave, që ndërtojnë masa (tonesh e tingujsh), dhe në këto masa jepet materialiteti i natyrës shqiptare.
Piktura e Arifit nuk ka sens grafik deklamativ, domethënë nga e bardha tek e zeza, por e krijon sensin grafik nëpërmjet intensitetit që kanë vetë ngjyrat, si për shembull bluja nga e kuqja, e verdha nga e kaltra. Arti luan me këto ritme koloristike. Pra, nëse e verdha dhe e kaltra janë ngjyra më afër dritës, në tonalitet grafik intensional, apo edhe jeshile blertë ndjek ritmin e lartëm të dritës së ngjyrave. Arifi e nis e zbulon dritën në këto ngjyra dhe nis e i shoqëron me ngjyrat e treta, ne roza të ngrohta e të kuqet e ndërmjetëve midis, për të zbritur në tonet e poshtme të hijeve blu, jeshile, lejla e të kafenjta, dhe e zeza vjen e stiset mes tyre si ndër hije të humbura dhe të sklerozuara nga shpërthimi i ngjyrave, plot dritë dhe intensitet koloristik të pasur.
Formula e ngjyrave të ngrohta e të ftohta, për Arifin, nis e humbet si eksplozion drite pa caqe të qarta, shkermoqur në impulse të ndërthurura brenda një të ftohte apo të ngrohte të madhe të materializuar si imazh përrallor e i begatë, në sytë e artdashësve të pikturës dhe natyrës. Harmonia dhe uniteti i të ftohtave dhe të ngrohtave, në artin e tij, kalon në filtra të pa-dekodueshëm nga një artist tjetër, që do të tundohej të kopjonte artin e Arifit. Kjo është magjia, se arti i tij ka rrënjë në gjenezën e tij krijuese, si artist i edukuar në natyrën e lëvizshme të vendlindjes, Librazhdin e vogël, të virgjër e udhëhapur mes shtigjesh pafund e paanë.
Që prej momentit kur ne fshehim të vërtetat e thjeshta, që burojnë nga arti i tij, aty nis e lind kritika mediokre dhe e zakonshme në rutinë komplementare, apo përçmuese, si një kontradiktë, pa filtra tekniko-profesional dhe pa vizion social, ekonomik apo edhe turistik, për të vlerësuar vende ku lindin krijues cilësorë si Arifi dhe më pas krijohen vepra të tilla, si ato që e kanë gjenezën në qytete e rrethina të tilla romantike, si këto bukuri natyrore të Librazhdit.
Natyra e bukur e “përndjek” artin e tij, ndaj edhe Arifi është mposhtur nga bukuria e ngjyrave të saj. Këtu nis e vërteta dhe lind mendimi i shëndetshëm kritik për artin e pikturës së tij.
Magjia e ngjyrave nuk mund të jetë askurrë dhe askund monopol konceptual, në vetmi, mbyllur vetëm në veprat e spanjollit Pablo Picasso, italianit Amedeo Modiglian, amerikanit Jackson Pollock apo të fluturuesit kozmik e etnografik të hebreut Marc Chagall, as edhe në linjat e “zhdukura” mes pikave-point të disiplinuara “ushtarakisht” të francezit Georges Seurat. Kjo magji, ku vallëzojnë ngjyrat në art, ka lirinë të shkoj ngado ku një ka shpirt krijues e artistik, dhe nuk ka pse të mos prek edhe natyrën e Librazhdit dhe artin e krijuar në pikturat e Arifit. Intensitet ekspresiv në minuta të shpejta plot emocion shpirtëror dhe në trysninë e gjurmëve, që lë peneli në majën e gishtave të Mjeshtrit Arif Lushi.
Vlerësimi simbolik i një marrdhenie njerëzore, qytetare dhe familjare për një artisti, është ndikimi filozofik i veprës së tij tek adhuruesit e tij tokësorë, shprehur qartësisht nga i biri i tij poet, Arti Lushi:
“Kush ka parë, njohur dhe pranuar hyjnoren te gjërat e vogla dhe të thjeshta të jetës, krejt zotat tokësor i duken qesharakë dhe të mjerueshëm” !
Respekte e nderime z. Arif Lushi, për këtë vlerësim të çmuar dhe të merituar dhënë nga qyteti i lindjes dhe bashkëqytetarët e tij. URIME!
* Nga fjala e mbajtur me rastin e dhënies së titullit “Nderi i Librazhdit” piktorit Arif Lushi