Intervistoi: Reldar Dedaj
“Të fshehta jashtë ekranit” është libri i aktorit dhe regjisorit Mevlan Shanaj, i cili mund të konsiderohet një libër pa letërsi, pa ditar por me copëza të vërteta nga përjetimet e tij dhe mbi të gjitha pa stërhollime imagjinatave e zbukurime. Aty është gjysmë shekulli jetë mund të thotë dikush që e ka lexuar dhe ashtu është në të vërtetë, duke shtuar se nuk mungojnë as 50 artistë të artit shqiptar që me punën e tyre, elegancën e shfaqur, kanë ditur të trazojnë mendjet dhe zemrat e admiruesve të tyre. Në këtë intervistë të shkurtër për Liberale.al, të cilën me shumë mundim arritëm ta shkëpusim nga panairi i fundit i librit, artisti Shanaj zbuloi se këto kujtime kanë udhëtuar për shumë vite brenda tij, duke theksuar se tani ka ardhur koha që ato të vijnë tashmë edhe tek ju, tek lexuesi, tek admiruesi i kinematografisë shqiptare në veçanti.
Në librin tuaj z.Shanaj nuk është e vështirë të kuptosh se tek një njeri, artist apo krijues i çfarëdoshëm nuk është e kaluara ajo që ngacmon të sotmen, por e sotshmja që thërret të kaluarën. A mund të na e shpjegoni ju lutem pse ndodh kjo?
Vjen një kohë, ose mosha, sepse qenka diçka e çuditshme, njeriu vjen e kthehet mbrapa, pra, bën një lloj biografie të jetës së tij edhe unë duke menduar një ditë për ata miqtë e mi, të cilët janë mbi 50 artistë me të cilët kam bashkudhëtuar mbi 50 vite, mendova të kap një ngacmim, një impresion dhe një kujtim për këta njerëz që publiku shqiptar i do dhe i ka respektuar, pse mos t’ju tregoj diçka nga jeta e tyre, por që s’është njohur më parë. Me një fjalë, ndjesitë e mia të brendshme, vendosa që të mos i mbaj më për vete, si pronë personale, por t’i bashkëndaj me publikun që realisht i ka dashur shumë këto personalitete të artit shqiptar. Në libër mund të ketë ndonjë artist të madh që s’mund të jetë i përfshirë, por kjo s’do të thotë aspak me që ai nuk është përfshirë në libër nuk është artist i madh. Aty unë kam përfshirë kujtimet me njerëzit me të cilët kam udhëtuar.
Nostalgjia për të shkuarën, mund të konsiderohet një kritikë e artistit Mevlan Shanaj, për ato ëndrra që ekrani i sotëm i madh i ka zhgënjyer rëndë, për nivelin artistik, kiçin në art apo për mungesën e mbështetjes ndaj prodhimit të filmit nga institucionet shtetërore?
Nuk ka qenë qëllimi i këtij libri ky. Këtë punë e kam bërë këto kohët e fundit, si një mbrojtje ndaj një sulmi të padrejtë që i është bërë filmit si krijimtari, si vepër dhe si një histori. Duke e trajtuar më shumë atë me ndikime politike, por këtu s’mund të them se në disa filma shqiptarë nuk ka pasur një ndikim të tillë, pasi ne jetuam në një periudhë ku diçka e tillë ishte e pashmangshme, por unë këtu në libër jam marrë me nivelin artistik, me vetë artistët. Dhe aty ka shumë emra të spikatur të artit kinematografik shqiptar.
Keni një kritikë për median shqiptare në përgjithësi, një lloj mospajtimi me të, por a nuk mendoni ju se në kushtet e konkurrencës së tregut, vetë produkti mediatik, më shumë varet nga referencat kulturore të audiencës, sesa nga linja editoriale e saj?
Unë mendoj se në Shqipëri media është e dhunuar, them e dhunuar nga mendësia komerciale, e politikës dhe e interesave. Ne s’kemi asnjë media që mund ta shumëzojë artin, ta socializojë atë. Arti përgjatë gjithë ekzistencës së tij është pjesë e shpirtit të kombit të vet. Megjithatë, duke filluar që nga vitet e para të pluralizmit politik në vend, pra, që nga ajo ditë që menduam se do kishim institucione mediatike të lira, media është prezantuar më shumë si shërbëtore e politikës.
Si mund ta përkufizoni kinematografinë shqiptare në raport me kohën në të cilën ajo u zhvillua dhe çfarë i mungon kinematografisë shqiptare sot?
Në atë periudhë si shumë zhanre të tjera, kinemaja mori një hov të madh, erdhën specialistë që mësuan në shkolla profesionale në lindje, por ata ishin të rinj dhe erdhën me ambicie për të bërë diçka. Ne që erdhëm më vonë si pasues të kërkesave të artit të tyre, ishim njerëz me pasion dhe punuam shumë seriozisht, kërkonim të ndërtonim jo vetëm një produkt të mirë artistik, por edhe një emër të mirë për vetveten. Kjo ëndërr, kjo madhështi e asaj kohe në kinematografinë shqiptare, të krijon dhimbje kur sheh mënjanim apo harrimin që pëson artisti sot dhe pothuajse përjashtim të nivelit artistik. Nuk është se sot nuk bëhen filma, bëhen, por këto janë filma komercial dhe jo artistik siç u prodhuan nga specialistët e asaj kohe.
Më lejo ju lutem ta tërheq këtë fill edhe pak më tepër, si çdo shikues i filmit shqiptar, kam vënë re se subjektet e filmave shqiptare, kanë një prirje për të kapur tema të përgjithshme, që mund t’u interesojnë të gjithëve, por që s’prekin asgjë të rëndësishme. Ju personalisht si mendoni?
Nuk mendoj se gjendja është kaq e zezë sa thoni ju. Ka filma që kanë krijuar debat në shoqërinë shqiptare edhe pse ato kanë qenë të pakët dhe kjo duhet theksuar. Edhe pse shumë pak, ato filma që unë i referohem, mund të them se kanë qenë të arritur artistikisht, bazuar në tema shumë serioze dhe duke qenë të tilla kanë krijuar trazim në mendjen dhe zemrat e shikuesve, admiruesve të filmit shqiptar. Në mendje më vijnë Gjergj Xhuvani, Bujar Alimani, Artan Minarolli dhe Joni Shanaj, të cilët, sipas meje, kanë realizuar filma shumë serioz. Prandaj media, për t’u kthyer edhe njëherë në fillim, ka rolin e saj qendror këtu, pasi ka shpërndarë më shumë filmin komercial sesa atë artistik, duke ngatërruar me dashje ose pa dashje vlerat artistike me materialet e dobëta kinematografike.
Niveli artistik i aktorëve të kinematografisë shqiptare sot?
Përjashto, Nik Xhelilaj. S’ka të tjerë.
/Liberale.al