Arte

INTERVISTA për Liberale/ “Djemtë e Detit” befasia e festivalit në RTSH, Markvukaj: Rikthehemi me mall, për të mos i qëndruar larg Atdheut

Shkruar nga Liberale

INTERVISTA për Liberale/ “Djemtë e Detit” befasia e

Aranit Muraçi

Ishin dy epoka që u ndanë në atë kohë. Ndryshimi nuk do të ndodhte vetëm në politikë. Në muzikë revolucioni i fillimit të viteve ‘90 nisi dhe erdhi pa u kuptuar, tamam si një uragan që vërshoi nga deti. Në vend të përmbytjes interpretimi “Rock” rrëmbeu përnjëherësh rininë e kohës. Ishin djem të talentuar, të guximshëm, të cilët erdhën natyrshëm dhe bënë epokë në kohëra të vështira.

Mjaftoi dekada e parë pas rënies së regjimit që “Djemtë e Detit” të pushtonin rininë e etur të atyre viteve për të kapur ritmin dhe kohën e humbur dhe për të përqafuar vlerat Europiane, me të cilat ishin distancuar pa dëshirën e tyre për dekada. Në 20 vitet e fundit interpretimi i tyre mbeti në memorien dhe zemrat e mijëra artdashësve, si një ëndërr e bukur. Ndërtuan një marrëdhënie të sinqertë me publikun prandaj edhe i deshi dhe i duartrokiti aq shumë. “Djemtë e Detit” nuk bënë kurrë kompromis kundër vlerave dhe profesionalizmit,  siç ndodh rëndom sot me shitblerjet e këngëve pa tekst, pa zë dhe as melodi, që qarkullojnë dhe trafikohen paturpësisht në “tregun e zi".

“Djemtë e Detit” janë rikthyer dhe do të këndojnë sërish, në skenën ku zbritën për herë të fundit gati çerekshekulli më parë, një këngë me tekst të aktorit dhe poetit të mirënjohur, Timo Flloko. Valentin Markvukaj bashkë me anëtarët e tjerë të grupit, teksa rikthehen në skenë, do të jenë pikërisht ata befasia e madhe e Festivalit të 63-të të Këngës në RTSH. Po, po! Nuk është aspak e ekzagjeruar. Si surprizë e këtij viti, Festivalit i rikthehet jo vetëm nostalgjia, por edhe hijeshia, suksesi, vetë madhështia e tij.

INTERVISTA për Liberale/ “Djemtë e Detit” befasia e

“Liberale.al” kontaktoi Valentin Markvukaj, kompozitorin e grupit legjendar, i cili ndan edhe emocionet e këtij rikthimi pas shumë viteve, aq shumë të mirëpritur nga publiku.

Fillimet e karrierës së grupit Djemtë e Detit janë në festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar dhe po t’i referohemi daljes në skenë për herë të fundit, për ne si grup ka qenë në vitet ’99-2000. Ka qenë kjo dalja e fundit në festival, me këngën ‘Kohë pa ty’”, - shprehet Markvukaj. – “Kështu që është diçka natyrale, që ne të rikthehemi sërish në festivalin e fund-vitit, në këtë skenë, ku kemi performuar disa herë dhe në një fare mënyre është sikur rikthehemi aty ku e lamë sërish. Pra, është diçka mjaft natyrale që vjen ky rikthim yni, pikërisht në skenën e festivalit”, shprehet Velentini, ndërsa ka nisur menjëherë nga përgatitjet, edhe pse ka vetëm pak orë që ka mbërritur nga Australia.

Jeta shpesh është e paparashikueshme. Ndonjëherë fati tregohet mizor. Një sëmundje e rëndë largoi nga jeta para disa viteve vokalistin e grupit, Gent Demaliaj. Mungesa e tij është ajo që do të ndihet me siguri, në rikthimin e “Djemve të Detit”.

INTERVISTA për Liberale/ “Djemtë e Detit” befasia e

Patjetër që mungesa e Gentit ndihet në skenë, fizikisht edhe shpirtërisht. Pasi është hera e parë që ne do të dalim në atë skenë pa Gentin. Por e tillë qenka jeta,”- thotë Valentini.

Kompozitori Markvukaj është larguar rreth 30 vite më parë nga Shqipëria ndërsa jeton aktualisht në Australi. E kompozuar dhe e orkestruar prej tij kënga titullohet "Larg"Me çfarë mesazhi rikthehen “Djemtë e Detit”?

Për sa i përket dedikimit, ky është një dedikim për vendin tonë, për Shqipërinë, për Atdheun. Unë si kompozitor i këngës jetoj në Astrali dhe kam gati 28 vjet që e kam lënë vendin. Por malli shtohet dhe akumulohet prandaj edhe interpretimi është një lloj reflkektimi i asaj çfarë unë ndjej, pra, mallin që kam për vendin tim, për Atdheun, për Shqipërinë. Bashkë me Timon kemi krijuar një dedikim të sinqertë që vjen fare natyrshëm për vendin tonë. Shpresojmë që kënga të pritet mirë dhe besojmë se edhe interpretimi në skenë do të jetë i tillë. Shpresojmë që të duartrokitet dhe të pëlqehet si çdo herë”, shprehet në intervistën për Liberale, kompozitori i “Djemve të Detit”.

INTERVISTA për Liberale/ “Djemtë e Detit” befasia e

Në total janë 30 artistë pjesëmarrës të cilët do të ngjiten në skenën e Festivalit të 63të të këngës, dhe do të garojnë për të rrëmbyer çmimet e këtij viti, njëri prej tyre do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2025. “Djemtë e Detit” mes interpretuesve të rinj kanë trashëgiminë, ndërsa këtë herë do të jenë përballë një brezi tjetër, më të ri...   

Po, është e vërtetë. Kemi një “fan-base” që akoma dëgjojnë muzikën tonë, pavarësisht viteve që kanë kaluar, dhe falë mbështetjes dhe dashurisë së publikut jemi rikthyer. Na kanë shkruar, na kanë mbështetur dhe na kanë nxitur që të rikthehemi. Falë adhuruesve tanë, jemi këtu ku jemi. Ndërsa për brezin e ri mund të themi që është një brez që ballafaqohen me disa stile të tjera muzikore. Por rinia di gjithnjë të “fluturojë” dhe të shikojë diçka të bukur, diçka të veçantë. Shpresojmë që të shikojë diçka profesionale edhe këtë herë, sepse në fund të fundit ajo ka rëndësi, profesionaliteti”.  

INTERVISTA për Liberale/ “Djemtë e Detit” befasia e
Markvukaj pas largimit në Australinë e largët, e ka ndërtuar atje familjen, karrierën, gjithçka. Rikthimi tregon se sa e vështirë dhe pamundur është braktisja e Atdheut. A po ndryshon dhe po ecën me ritmet e duhura Shqipëria? Artisti tregon ndjesitë e rikthimit, pas çerekshekulli.        

Shqipërinë e gjej gjithmonë e më mirë. Po të jetoja këtu, ndoshta do të shihja problemet ditore. Kur kthehem shoh anën tjetër, zhvillimin, avancimin e Shqipërisë. Dhe gëzohem shumë kur e shoh gjithmonë e më mirë, gjithmonë e më të zhvilluar vendin tonë”

Çdo gjë më mungon nga Shqipëria”, - shprehet më tej Valentin Marvukaj.  -“Është një emocion, edhe kur rrotat e avionin prekin pistën e aerodromit. Është vendi ku ke lindur dhe je rritur, është diçka që nuk shpjegohet, por  vetëm përjetohet. Tani e kuptoj pse rilindasit dhe çdo emigrant i shkruanin me aq dashuri vendit, sepse malli akumulohet dashje pa dashje me kalimin e viteve. Edhe ky rikthim është reflektim i mallit të akumuluar për vendim tim”, shprehet kompozitori dhe lideri i grupit, Valentin Markvukaj.  

Edicioni i 63 i Festivalit të Këngës në RTSH do të zhvillohet nga data 19 deri në 22 dhjetor në sallën e madhe të Pallatit të Koncerteve. Rikthimi i “Djemve të Detit” është edhe një arsye më shumë për t’i rikthyer festivalit publikun, interesin e dikurshëm bashkë me vitet e tij të arta.

INTERVISTA për Liberale/ “Djemtë e Detit” befasia e

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH