Aktori i mirënjohur Mehdi Malkaj ndodhet i shtruar në reanimacionin e Kardiologjisë në QSUT, pasi ka shfaqur probleme shëndetësore në zemër (Sindromë Koronare Akute).
Mësohet se Malkaj është paraqitur në spital pasditen e djeshme dhe burime pranë QSUT-së, njoftojnë se aktualisht gjendja e tij shëndetësore paraqitet e qetë, teksa pritet t’i nënshtrohet dhe ekzaminimeve të tjera mjekësore gjatë ditës së sotme.
Sipas burimeve, aktori ka qenë në spitalin e Traumës duke vizituar një të afërm të tij dhe papritur ka ndjerë shqetësime, dhimbje në krahun e majtë.
Atij i është dhënë ndihma e parë nga mjekët e Traumës dhe pastaj është nisur me ambulancë drejt shërbimit të kardiologjisë në QSUT, për ekzaminime dhe trajtim të mëtejshëm nga mjekët specialistë kardiologë.