Një aktore e njohur është gjetur e vdekur mbrëmjen e së dielës në shtëpinë e saj. Lajmin tragjik e bëri të ditur një nga miqtë e saj. Në moshën vetëm 24 vjecare aktorja koreano-jugore Kim Sae-ron, e cila u bë e njohur në filma të tillë si "The Man from Nowhere" (2010) dhe thriller-i i njohur "The Neighbor" (2012), , u gjet e pajetë nga një prej miqve të tij, i cili njoftoi menjëherë autoritetet.
Gjithçka ka ndodhur të dielën, rreth orës 16:50 dhe policia e mbërritur në vendngjarje ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Nga hetimet e para, efektivët nuk kanë konstatuar asnjë shenjë hyrjeje me forcë në shtëpinë e aktores dhe asnjë shenjë dhune fizike, ndaj nuk dihet ende qartësisht nëse bëhet fjalë për vrasje, problem shëndetësor apo vetëvrasje. Kim Sae-ron ra në sy në industrinë e filmit që në moshën 9-vjeçare, por karriera e saj ngeci në vendnumëro për shkak të një incidenti të ndodhur në vitin 2022. E reja u përfshi në një aksident trafiku në lagjen Gangnam të Seulit, ku u kap nga policia duke drejtuar makinën në gjendje të dehur. Më vonë ajo u detyrua të paguante një gjobë prej 11,000 £ dhe t'u kërkonte falje fansave të saj.
Pavarësisht të gjitha përpjekjeve për të pastruar imazhin, karriera e saj nuk qe më kurrë e njëjta. Kim Sae-ron u detyrua të tërhiqej nga disa shumë projekte të mëdha dhe nuk mori më asnjëherë role të rëndësishme, pavarësisht përgatitjes së saj. Vdekja e dyshimtë e aktores ka ngritur shumë pikëpyetje si tek fansat ashtu edhe tek kolegët e saj, të cilët kanë dërguar mesazhe të panumërta në internet. Rasti tragjik i 24 vjecares ka hedhur dritë sërish mbi atë që njihet tashmë si kultura koreano-jugore e “fshirjes” së individit dhe bullizmit të shfrenuar, sidomos online. Të famshmit atje konsiderohet se duhet të jetojnë sipas një kodi të rreptë morali, e madje nëpër kontrata u kërkohet që as të mos kenë lidhje romantike, të paktën jo në publik. Ndikimi i opinionit publik në këtë vend është aq i madh, sa një pjesë e të famshmëve që shënjestrohen, nuk arrijnë më që ta rikthejnë në shina karrierën e tyre. Kim Sae Ron është vetëm më e fundit që i bashkohet listës tragjike të yjeve të cilët kanë humbur jetën në moshë të re, pjesa dërrmuese e tyre në rrethana të ngjashme.
Moonbin, Sulli, Jonghyun dhe Goo Hara janë vetëm disa nga emrat që janë kthyer në sinonim të presionit shkatërrues të famës. Këto vetëvrasje nuk janë incidente të izoluara, por një pasqyrim i problemeve sistematike brenda industrisë së argëtimit.