Aktualitet

Mafia siciliane është në kërkim të bosëve? Arsyet pse ne duhet t'i harrojmë mafiozët si Totò Riina apo Bernardo Provenzano

Shkruar nga Liberale
Mafia siciliane është në kërkim të bosëve? Arsyet

Një nga pyetjet e përsëritura më shumë pas arrestimit të Matteo Messina Denaro është se kush do të jetë aktualisht në krye të mafies siçiliane. Përgjigja është: ndoshta asnjë. Në fakt, për momentin mafia nuk ka një strukturë që vazhdon nga lart-poshtë, me një bos që komandon të gjitha bandat në zonë. Kjo nuk do të thotë se mafia nuk e ushtron më pushtetin e saj, por që s’ka më strukturën organizative që kishte në kohën e dominimit të korleonezëve nga Toto Riina. Në praktikë, komisioni, i njohur edhe si "Koka", nuk ekziston më prej disa kohësh.

Në realitet kishte më shumë se një komision: ato krahinore dhe ndërkrahinore. Të parët përfaqësonin bandat, pra grupet e organizuara të mafiozëve, të krahinave të ndryshme. Në veçanti, komisioni i Palermos ishte më i rëndësishmi dhe më dominuesi; kryetarët e të gjitha familjeve ishin pjesë e tij. Kryetarët e krahinës janë përfaqësuesit e zgjedhur nga tre familje që përbëjnë një krahinë të caktuar në Italinë e jugut, veçanërisht të kësaj pjese gjeografike. Komisioni ndërkrahinor ishte në vend të atij “rajonal”, ku përfshiheshin palermitanët, së bashku me përfaqësuesit e familjeve mafioze të krahinave të tjera.

Të dy komisionet në fakt u mblodhën për të ratifikuar vendimet e marra tashmë nga korleonezët, të cilët, me luftën mafioze të fillimit të viteve 1980, arritën që të eliminonin klanet rivale. Toto Riina dhe korleonezët dominionin komisionin e krahinës së Palermos dhe kishin vendosur përfaqësues besnikë në krye të komisioneve të tjera.

Pas arrestimit të Riinës, kjo strukturë hierarkike nuk ekzistonte më ose nëse ekzistonte, në çdo rast, nuk u mblodh më. Kryeprokurori i Palermos, Maurizio De Lucia tha në një intervistë për Gazzetta del Sud: “Komisioni nuk ekziston për momentin, ai ekziston vetëm në kushtetutën formale të Cosa Nostra. Aq sa të gjitha hetimet e fundit të kryera nga prokuroria e Palermos, tregojnë një përpjekje të vazhdueshme për të rindërtuar kupolën e Cosa Nostra-s dhe për të “legjitimuar” komisionin. Aftësia e agjentëve tanë bëri që ky projekt mafioz të ishte i pasuksesshëm”.

Gjithashtu, nuk ka gjasa që vetë Messina Denaro, edhe pse shumë i fuqishëm, të ketë ushtruar pushtet mbi të gjithë Siçilinë. Duke folur për Gazzeta del Sud, Maurizio De Lucia shpjegoi: “Matteo Messina Denaro nuk është kreu i Cosa Nostra dhe nuk ka qenë kurrë i tillë. Ai ishte një personazh shumë i rëndësishëm në zhvillimet e mafias, duke u rritur nga Salvatore Riina, ndaj i njeh mirë jo vetëm rregullat e organizatës, por edhe shumë nga sekretet e viteve 1992-’93, vitet kur ndodhën masakrat. Ai ishte sigurisht kreu i krahinës së Trapanit, që është një zonë e rëndësishme ekonomike për mafien. Për më tepër, kreu i Cosa Nostra-s nuk është komanduar kurrë nga dikush që nuk ishte kreu i bandave të Palermos”.

Në dekadat e fundit, mafia siçiliane është shkatërruar nga arrestimet; jo vetëm bosët e tyre janë prangosur, por edhe qindra të tjerë që mbanin pozicione më të ulëta në hierarkinë e mafies apo deri edhe tek “ushtarët” e thjeshtë. Cosa Nostra prej kohësh nuk është më një nga organizatat më kriminale dhe më të forta në Itali, sepse ajo u zëvendësua nga Ndrangheta, e cila është më e fuqishme në të gjithë botën, e krijuar në të gjithë Europën dhe madje edhe në Amerikën e Jugut, aleate me kartelet më të rëndësishme të trafikantëve meksikanë dhe kolumbianë të drogës.

Enzo Ciconte, një nga ekspertët kryesorë në Itali për zhvillimin e organizatave të mëdha mafioze, shpjegon: “Në vitet 1990, pas masakrave që u kryen nga mafia, shteti italian vendosi t’u përgjigjet fuqishëm në nivel ushtarak, duke i dhënë një goditje shumë të fortë Cosa Nostra-s. Por, një tjetër fenomen doli në lojë; tregu i drogës arriti të ndryshojë, nga fluksi i madh i heroinës, u kalua në fluksin e madh të kokainës. Ndragheta më e shpejtë kapi kokainën, ndërsa mafia siçiliane për rrjedhojë të kësaj u detyrua në këtë trafik të luante një rol dytësor”.

Nga ajo kohë, mafia është përpjekur të ndryshojë profilin e saj, duke u paraqitur gjithnjë e më pak si një strukturë ushtarake, por duke qenë më shumë se gjithçka tjetër e pranishme në botën e financave dhe biznesit.

“Duke treguar historinë e Messina Denaro-s”, - vazhdon Ciconte,- të gjithë nënvizojnë rolin e tij në vrasjet dhe masakrat e tmerrshme, por vështirë se dikush është kujtuar se, ai ishte personi që ndërtoi biznese të mëdha, duke pasur parasysh përhapjen e energjisë së erës në Siçili. Ne duhet të harrojmë mafiozët si Totò Riina apo Bernardo Provenzano. Mafia tani është ajo që bën biznes me kompanitë në Veri. Nuk është zhdukur, por është transformuar”.

Në fakt, mafia, ndryshe nga organizatat e tjera të mëdha kriminale italiane, ka pasur gjithmonë një strukturë nga lart-poshtë. Nuk ka pasur kurrë një grup udhëheqësish që bashkoheshin për të marrë vendime, për shembull, të gjitha klanet e Camorra-s, dhe “Ndrangheta”-s, janë me të vërtetë të ndara në mënyrë rigoroze, të ndara në “grupe” të mbyllura, shpesh të padepërtueshme.

Nga ana tjetër, Cosa Nostra, historikisht ka kërkuar gjithmonë një koordinim të unifikuar, i cili sot është edhe më i nevojshëm, duke qenë se grupet mafioze priren të veprojnë në fshehtësi dhe jashtë kontrollit të grupeve rivale. Një tjetër pasazh nga raporti i Dia-s që e shpjegon mirë veprimtarinë e tyre është “Strategjia mafioze që synon të forcojë bashkëpunimin me profesionistët dhe institucionet, të cilat, duke braktisur përdorimin tradicional të metodave mizore për kontrollin e territorit, favorizojnë aty ku është e mundur qasjen korruptive. Veprimet e dhunshme dhe të bujshme të kryera në të kaluarën, e detyruan mafian për të adoptuar disa strategji të fshehura të manipulimit dhe korrupsionit”./ Përgatiti r.d- Liberale.al/

Liberale Newsroom

A duhet ta ftojë PS-ja PD-në në një bashkëpunim më të hapur në qeverisje, për të arritur objektivin e përbashkët të anëtarësimit në BE?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH