Qëkur e cilësoi si pjesë të trekëndëshit të Bermudeve të korrupsionit, pritej që mes presidentit dhe kryedemokratit konflikti të mos ishte më i heshtur. Pasi e mbajti përgjegjës për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve, Ilir Meta zbuloi dje se Basha i kishte kërkuar të ndërhynte para protestës së 8 qershorit. Kreu i shtetit tha se me bojkotin e zgjedhjeve lokale dhe mosregjistrimin për ato të shtyra më 13 tetor, kreu i PD-së i kishte shërbyer pushtetit të Edi Ramës
Suadela Balliu
Në një deklaratë për mediat, që pritej të ishte reagimi i presidentit pasi SPAK kërkoi pushimin e çështjes Dvorani nga gjykata, rezultoi si shpallja e një lufte të hapur të kreut të shtetit ndaj kryedemokratit Basha.
Pasi kreu i selisë blu e vendosi Metën në të ashtuquajturin Trekëndësh të Bermudeve të korrupsionit , bashkë me Berishën dhe Ramën, reagimet e presidencës kanë ardhur duke u përshkallëzuar deri në deklaratën e djeshme.
Fillimisht, kreu i shtetit e mbajti përgjegjës kryetarin e PD-së për djegien e mandateve parlamentare, bojkotimin e zgjedhjeve lokale, por edhe bojkot të Reformës në Drejtësi dhe asaj Territoriale. Për dy të parat, Basha mbajti përgjegjës Sali Berishën, sipas tij ideator i kahershëm i djegies së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve, ndonëse prej tetë vitesh ai kishte hequr dorë nga lidershipi i partisë.
Në një intervistë televizive të zotit Basha, dhënë pak orë para reagimit të presidentit, kryedemokrati deklaroi hapur se nuk i kishte asnjë borxh Metës dhe se ia njihte “bëmat dhe gjëmat”. Me ton të prerë, Basha la të kuptohej edhe përfundimi i aleancës dyvjeccare me LSI-në, që kulmoi me nënshkrimin e marrëveshjes paszgjedhore mes tij dhe Monika Kryemadhit. Marrëveshje që gjithaq shënoi edhe fundin e asaj që për dy vite u njoh si Opozita e Bashkuar. Me humbjen e zgjedhjeve, Kryemadhi pranoi edhe se djegia e mandateve kishte qenë një gabim. Gabim që i kushtoi LSI-së, duke e dobësuar dukshëm në këto zgjedhje, me vetëm katër deputetë në parlament.
Ilir Meta, i cili pas dekretit të 8 qershorit 2019 u vendos përballë një lufte me maxorancën, që ngriti ndaj tij dy komisione hetimore për shkarkim, tha se me bojkotin e zgjedhjeve Lulzim Basha kishte mbështetur kapjen e shtetit nga Partia Socialiste.
Ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe, kreu i shtetit i ka qëndruar vendimit të tij për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit 2019 përmes një dekreti për të shmangur rrezikun e një konflikti civil, zbuloi dje se kishte qenë një lutje e Bashës që sipas Metës nuk mundej të menaxhonte pasojat e protestës që 8 qershorit, të thirrur nga vetë ai.
“Basha m’u lut me lot në sy, që Presidenti të anulonte protestën e opozitës më 8 qershor e po kështu të shtynte zgjedhjet. Kjo sepse protesta që vetë Basha kishte organizuar do të degradonte në dhunë dhe se ai nuk e kontrollonte dot popullin opozitar dhe se për këtë ai do të ishte përgjegjësi kryesor për rezultatet e dhunës. I panikosur, duke premtuar që më datë 8 qershor do të ndodhte hataje dhe i frikësuar deri në palcë nga përgjegjësitë ligjore që do të mbante, Basha iu ul në gjunjë presidentit në mënyrë që të shtyheshin zgjedhjet, përpara mitingut të 8 qershorit”, tha Meta dje në konferencën për shtyp. Sipas tij, kjo kërkesë e kreut të opozitës kishte ardhur ndërsa presidenti ndodhej për një vizitë në Gjermani. Meta pati një reagim të shkurtër para nisjes së protestës në fjalë dhe lajmëroi shfuqizimin e datës së zgjedhjeve. Dy ditë më vonë, ai nxori një dekret për shfuqizimin e zgjedhjeve, i pari në këto tre dekada pluralizmi.
Edhe pak ditë më parë, presidenca në një deklaratë tha se kryetari Basha i ishte lutur presidentit të anulonte zgjedhjet, për të shmangur gjakderdhjen e mundshme.
“Në ditët që paraprinë këtë protestë të paralajmëruar si protestën finale, Presidenti mori informacione që do të përdorej dhunë e paralajmëruar ndaj institucioneve të vendit”, tha presidenti, pretendim i mbajtur edhe kur u pyet nga delegacioni i Komisionit të Venecias, që në raportin e tyre konkluduan se ai kishte tejkaluar kompetencat, por nuk kishte kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës që të mund të justifikonte shkarkimin. Aq më tepër në një situatë ku si pushteti qendror, ashtu edhe ai lokal ishin në duart e njërës forcë dhe rrezikohej parimi “check and balance”.
Meta pranoi dje se vendimi për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve të 30 qershorit, nuk kishte qenë i lehtë për të.
“Presidenti, duke marrë përgjegjësinë e madhe kushtetuese dhe profesionale, duke analizuar situatën, por edhe të gjitha aktorëve të tillë në mënyrë që të krijonin hapësirë dialogu për mbajtjen e votimeve në mënyrë demokratike”.
Ftesë, së cilës iu përgjigjën vetëm partitë e vogla opozitare, aleate të Bashës dhe jo vetë ai, kryeopozitari. Meta do të argumentonte se kompetencën për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve- që në raste të tjera ishte bërë me shtyrje pak ditësh pas pëlqimit të të gjitha palëve politike para presidentit-, e kishte gjetur pikërisht tek ajo mosdakordësi e të dyja palëve për dialog.
Meta dje risolli një deklaratë të Bashës, dhënë qershorin e 2019-s, ku thoshte se, koha e fjalëve kishte mbaruar dhe se ishte koha që të dëgjohej sovrani. Presidenti e akuzoi për nxitje të dhunës dhe për mosmarrje të përgjegjësisë. Sipas tij, klima e krijuar cenonte sigurinë kombëtare.
Basha dhe Kryemadhi bënë thirrje të hapur për bojkot të zgjedhjeve, duke moderuar disi edhe gjuhën e tyre pas paralajmërimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit, se nëse zgjedhjet pengoheshin dy partitë do të listoheshin si organizata të dhunshme dhe përgjegjësia e çdo incidenti do të ishte e tyrja. Nga ana e tij, presidenti dekretoi një tjetër datë zgjedhjesh, duke i shtyrë ato më 13 tetor. Datë për të cilën kryedemokrati Basha nuk pati asnjë reagim dhe as nuk shkoi në zyrën e presidentit, i cili po akuzohej nga maxhoranca se kishte marrë kështu drejtimin e opozitës.
Basha kishte një tjetër axhendë që synonte zgjedhje të dyfishta, lokale dhe parlamentare, pasi të largohej kryeministri Rama. Megjithatë, këto plane të kryedemokratit kishin ndryshuar strategji, duke kaluar nga protestat në rrugë tek përgatitja e strukturave si të ishin para zgjedhjeve.
Zgjedhje që erdhën vetëm në prill të 2021-shit, ndërsa largimi i Bashës nga presidenti Meta kishte nisur të thellohej. Megjithatë, ai u shfaq në tubimin e 2 marsit të 2020-s, të thirrur nga presidenti në bulevard, e që kishte si moto të tij mbrojtjen e Kushtetutës.
“Basha jo vetëm që bojkotoi 30 qershorin, por edhe 13 tetorin”, tha Meta, ndërsa kujtoi se disa subjekte politike si PR, PAA, LSI i kanë paraqitur KQZ-së kërkesat respektive zyrtare, si për t’u regjistruar si konkurrentë në zgjedhjet e 13 tetorit, por edhe për të marrë masat për përgatitjen e tyre. Presidenca e ka cilësuar Bashën si kryetar kukull, e ngjashme me etiketimet e Berishës, që e ka etiketuar si peng-kryetar.
“Bojkoti i zotit Basha ishte në sinkron të plotë me bojkotin e 4 anëtarëve të KQZ-së të PS-së të cilët organizuan zgjedhjet antikushtetuese dhe të paligjshme të 30 qershorit”, tha Meta, duke e cilësuar përgjegjës Bashën që e përjashtoi opozitën krejtësisht nga qeverisja vendore, ndërsa PS mori të gjitha bashkitë e vendit, pa garë.
“Është e qartë si drita e diellit se Lulzim Basha mbështeti kreun e rilindjes dhe për kapjen e pushtetit lokal. Ai mbështeti kreun e rilindjes dhe në sulmet ndaj Presidentit të Republikës”, ka vijuar më tej Meta, në konferencën e djeshme.
Meta ka qenë i ashpër edhe më herët me Opozitën e kryesisht kryetarin e PD-së, Lulzim Basha për djegien e mandateve parlamentare, duke u thënë se rrezikonin kështu të ktheheshin në OJF, pa vendimmarrje.
Edhe kryetarja e LSI-së doli pak ditë më parë e zhgënjyer me kreun e PD-së dhe tha se i ishte premtuar nga ai mbështetje e Bundestagut gjerman dhe e kancelares Merkel, ndërsa hodhi poshtë edhe pretendimet e selisë blu se i kishin ofruar marrëveshje parazgjedhore për të hyrë në një listë, të cilën LSI e kishte refuzuar për të maksimizuar votat e saj.
Partia Demokratike doli dje me një reagim, duke përsëritur fjalët e Bashës ndaj presidentit, ndërsa ky i fundit ka paralajmëruar se do të ketë fakte të tjera ndaj kryedemokratit. Me konferencën e sotme të Metës dhe deklaratat e Bashës, duket qartë se mes tyre ka nisur një luftë e hapur, ndërsa kryedemokrati ka të hapura shumë fronte të tjera me të cilat i duhet të përballet së fundi.
PD reagon pas deklaratave të Presidentit: Demokratët të njohin mirë ty dhe bëmat e tua! Nuk t’i zgjidhim dot hallet
Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave dhe akuzave të presidentit Meta ndaj kryedemokratit Basha. PD në një deklaratë shprehet se demokratët e njohin mirë atë, ia dinë bëmat dhe gjëmat, se si e përdori pushtetin në kurriz të tyre dhe asnjë përpjekje e ulët për përçarje nuk do t’i funksionojë.
“Përmes diversionit dhe mashtrimeve, mjetet e tij të zakonshme, Meta tenton të përçajë Partinë Demokratike. Demokratët e njohin mirë atë, ia dinë bëmat dhe gjëmat, se si e përdori pushtetin në kurriz të tyre dhe asnjë përpjekje e ulët për përçarje nuk do t’i funksionojë. Ne demokratët nuk i kemi asnjë borxh dhe nuk ia zgjidhim dot hallet e tij”, shkruhet në deklaratë.
Basha akuzon Metën: Ia dinë bëmat dhe gjëmat, nuk i kemi asnjë borxh!
"As unë, as demokratët nuk i kemi asnjë borxh Ilir Metës, dhe nuk ia zgjidhim dot hallet Ilir Metës. Demokratët ia njohin bëmat dhe gjëmat. E vetmja gjë që kam për të shtuar, t’iu kërkoj ndjesë të thellë demokratëve, edhe në emër të strukturave drejtuese, që nuk e kemi dëgjuar më mirë dhe më qartë zërin e tyre".
Kështu deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha gjatë një interviste televizive, duke vulosur krisjen mes tij dhe presidentit Ilir Meta. Në intervistën e dhënë për Vizion plus, Basha e ka quajtur edhe të mbyllur kapitullin e bashkëpunimit me LSI-në.
Ditën që ju shpallët “trekëndëshin e Bermudës”, ju shpallët një front beteje me Ilir Metën. Pse e sulmuat ju Ilir Metën?
E para e punës, as unë dhe as demokratët nuk kemi asnjë borxh Ilir Metës dhe nuk ia zgjidhim dot hallet Ilir Metës. Demokratët ia njohin bëmat dhe gjëmat. E vetmja gjë që unë kam për shtuar, përveç asaj që kam thënë përpara, është që t’ju kërkoj një ndjesë të thellë, edhe si kryetar, por edhe në emër të strukturave drejtuese, që se kemi dëgjuar më mirë dhe më qartë zërin e tyre.
Pyetje: E keni kërkuar dhe në 2017-ën, kur thatë nuk do të ketë koalicion me LSI-në. Këtë herë nuk do të ketë më koalicion me LSI-në, realisht?
Lulzim Basha: Nuk kam asgjë tjetër për ti shtuar kësaj çështje, besoj se është shteruese dhe nuk kam ndërmend ti jap askujt vëmendjen që nuk meriton, secilit i kam dhënë atë që meriton. /Gazeta Liberale