Arte

Letra e Rudolf Markut për çmimet "At Zef Pllumi"

Shkruar nga Liberale
Letra e Rudolf Markut për çmimet "At Zef Pllumi"

Poeti Rudolf Marku nga Londra ka dërguar një letër përshëndetje për çmimin kombëtar “At Zef Pllumi”, i cili shkoi për Belina Budinin, në memorialistikë për Vera Bekteshin, ndërsa në monografi, për Sabri Hamitin.

Në letrën e tij, Marku thekson se me sigurinë e padyshueshme, Pater Zefi, po të kishte qenë gjallë, do të kishte mbetur jashtëzakonisht i kënaqur nga veprat e vlerësuara me çmimin që mban emrin e vet.

Si më poshtë vijon, po publikojmë të plotë letrën e përshëndetjes!

Në pamundësi të jem fizikisht në Lezhë, më lejoni t’Ju përshëndes me këtë mesazh të shkurtër.

Çmimi që ndahet sot mban emrin e një Frati që quhet At Zef Pllumi.  Një emër i barabartë me respektin e kujtesës historike si një vlerë e çmueshme e kulturës kombëtare . Emri, i një njeriu, që në traditën e bashkëvëllezërve të mëdhenj të Urdhrit Françeskan, u bë shumë shpejt, që në gjallje të vet, një simbol i kësaj kujtese përmes mirësisë, dashnisë, përuljes ndaj së Vërtetës. Sot, në kushtet e një amnezie të përgjithshme, që ndodh jo vetëm në Shqipni, librat e At Zef Pllumit dhe vetë emri i tij, marrin një rëndësi të jashtëzakonshme.

Rëndësia e kujtesës historike që e preokuponte aq shumë Pater Zefin, me ka kujtuar shpesh një episod nga jeta e filozofit Frederik Niçe. Një ditë Filozofi ndodhej në Zvicer, mes ca livadhesh tërë gjelbërim idilik. Përreth ca lopë kullosnin në mënyrën më paqësore. Tek sheh lopët, Niçe nxjerr ditarin dhe atë ditë shkruan vetëm këtë frazë: Lopët nuk kanë histori!

Me emrin e At Zef Pllumit sot ndahen tre Çmime -për vepra të gjinive memuaristike dhe të publiçistikës. Është në nderin e Bashkisë së qytetit të Lezhës që, të paprekur nga amnezia, u kujtuan të organizojnë këtë konkurs.

Po kështu, është jo vetëm në nderin e kujtimit të At Zef Pllumit, por dhe në nderin e qytetit të Lezhës, cilësia e veprave dhe autorëve pjesëmarrës!

Ju jap sigurinë e padyshueshme – një siguri mbështetur dhe në miqësinë time personale disa vjeçare me Patër Zefin-se Padër Zefi, po të kishte qenë gjallë, do të kishte mbetur jashtëzakonisht i kënaqur nga veprat e vlerësuara me çmimin që mban emrin e vet. Po ashtu desha t’ju siguroj se fitues janë edhe të gjithë ata që s’morën asnjë çmim, sa kohë që veprat e tyre bëjnë që anëtarët e Jurisë të ndjehen fajtorë që nuk patën një numër më të madh çmimesh për veprat që meritonin të vlerësoheshin po aq sa dhe fituesit!

Rudolf Marku, Londër

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH