Letërsi

Letërsi apo circle jerk?

Shkruar nga Liberale

Behar Jacaj

Paçka se ideja e këtij shkrimi ka shumë muaj që më sorollatet brenda kafkës, kisha vendosur të mos e hidhja në letër, ose të paktën të mos e publikoja, për shumë arsye. Leximi i librit “Del Hija” i  Philip Roth, më bëri të ndryshoj mendje!

Po të kisha ca nga pushteti i Stalinit, nuk do ta çoja dëm për t’iu mbyllur gojën shkrimtarëve krijues. Do t’ua mbyllja gojën të gjithë atyre që shkruajnë për shkrimtarët krijues. Do të ndaloja të gjithë diskutimin publik të letërsisë në gazeta, revista dhe periodikë shkollorë Do të ndaloja çdo mësimdhënie të letërsisë, në çdo shkollë fillore, gjimnaz, kolegj dhe universitet në vend. Do t’i shpallja të paligjshme grupet e leximit dhe bisedat për librat në internet. Do t’i lija lexuesit vetëm me librat, që t’ua jepnin atyre kuptimin vetë, si të donin. Dhe këtë do ta bëja për sa shekuj do të ishte e nevojshme, për ta bërë esëll shoqërinë nga gjepurat tuaja helmuese.”

Këtë paragraf, Roth e adresonte ndaj gazetarëve të kulturës dhe të kritikëve që, sipas tij, më shumë rëndësi u jepnin skandaleve të jetës së autorit, vendeve ku ai kishte shkelur, rrobave që kishte veshur, madje edhe qenit që mund të ketë pasur, sesa thelbit të letërsisë që ky autor kishte lënë pas.

Për “të zbritur më këmbë në tokën e atdheut tonë”, duhet të pranojmë se tek ne, gazetarët e kulturës numërohen me gishtat e njërës dorë dhe akoma më të mezigjindshëm janë gazetarër që u intereson realisht letërsia e mirë dhe thelbi i saj. Kritikë të mirfilltë nuk kemi, por mungesa e lexuesit, në gjykimin tim, është gremina më e madhe e letërsisë shqiptare.  Mungesa e lexuesit, vërtetë është percetimin personal, por bazohet në faktin se nuk njoh as edhe një njeri të vetëm që të jetë thjesht lexues dhe të mos shkruajë, pra të mos botojë apo të mos dojë të botojë. Gjithashtu, nëse shpallet një evenimet ku ftohen poetët ose autorët, pjesëmarrja është  shumë e madhe, me dhjetra, ndërsa nëse shpallet një aktivitet ku ftohen lexues, pjesëmarrja mezi kap numrin dyshifror.

Në një realitet të tillë, në mënyrë të vetëdijshme, autorët (shumica dërrmuese), përveç  sajimit të fabulave dhe trilleve letrare, marrin përsipër të shpikin edhe lexuesin (lexojnë njëri-tjetrin), edhe kritikun (lavdërojnë shoqi-shoqin) madje, në jo pak raste edhe gazetarin.

Kush i ndjek sadopak zhvillimet letrare, e di shumë mirë që së fundmi, gjithnjë e më shumë po nxjerr krye një lloj kritike që natyrshëm mund të quhet edhe kritika e lajkës.

“Leva me të cilën Arkimedi mund ta zhvendoste botën është përkëdhelia e sedrës”, thoshte Lermontovi tek “Një Hero i Kohës tone”. Përdorimin e kësaj “leve” duket se po e perfeksionojnë autorët shqiptarë, ndaj edhe të tilla “kritika” ose pasthënie të botuara, nisin me furça, dynden me lëvdata, dhe mbyllen me lajka. Përveç shijes së keqe, që nganjëherë shkon deri në neveri, problemi i këtyre “kritikave” (disa nguten ta quajnë mbështetje për librin dhe autorin), është se nuk ka për qëllim t’i sherbejë lexuesit, aq më pak autorit apo librin të tij, por ka qëllim t’i shebejë shkruesit të saj. Kështu, nuk shkon shumë kohë dhe autori i lavdëruar, lavdëron veprën e lavdëruesit të tij. Kuptohet, punë qokash (do t’i shkojmë, se na kanë ardhur). Aq e shumtë dhe aq e shpeshtë është kjo, sa duket se është krijuar një circle jerk. Një rreth ku autorët masturbojnë njëri-tjetrin.

Sigurisht, ky nuk është shkaku i vetëm, por sidoqoftë, është një nga shkaqet kryesore pse ne sot kemi libra që për nga reklamimi dhe trumbetimi që u bëhet krijohet përshtypja se janë libra të shenjtë, teksa kur u shfleton brendinë kupton që nuk e kapërcejnë dot lartësinë e hartimeve të dikurshme dhe që nuk lënë skenar mëshire pa përdorur (ngulmimi që autorët shqiptarë kanë për të ngjallur mëshirë me personazhet e tyre, është temë diskutimi më vete).

Tek “Krim dhe Ndëshkim”, Dostojevski thoshte se asgjë në botë nuk është më e vështirë se çiltërsia, dhe asgjë nuk është më e lehtë se lajkat. Nuk mund të thuhet me siguri nëse autorët kanë zgjedhur rrugën më të thjeshtë apo më të vështirë. Ajo që duket qartazi është se kjo nuk është rruga e letërsisë, por e shitjes. Është e njohur këshilla e marketingut, sipas së cilës shitësi i mirë nuk lavdëron produktin, por i bën lajka blerësit. E kam dëgjuar shpesh argumentin se, me demek në shekullin e formës dhe të marketingut, as letërsia nuk mbijeton dot pa bërë disa truke dhe “kompromise”. Arti i mirë, konkretisht letërsia e madhe është ajo që është ngritur mbi frymën e kohës në të cilën ka jetuar autori i saj, është ngritur mbi turmën dhe ka shkuar kundra rrymës, edhe kur ka qenë fillikat e vetme. Për autorin mund të jenë të rendësishme shitjet, lekët, lajkat, por për veprat e mira është i rëndësishëm vetëm epitafi. Rruga e letërsisë së mirë është e stërgjatë dhe synon vetëm një “blerës” - kohën.  Koha ecën përpara dhe merr me vete më të mirët. Sidomos ata që dalin nga rreshti dhe nga rrethi.

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH