Aleksandër Biberaj
Kryeministri Edi Rama me një super-pushtet, të cilin se ka pasur asnjë kryeministër gjatë gjithë historisë së shtetit tonë, vazhdon të këmbëngulë në kokëfortësinë e tij, me një demagogji mashtruese dhe të dalë boje që nuk bind më as matrioshkat e tij, se me datën 30 korrik do të votojë ndryshimet kushtetuese në mënyrë të njëanshme, pavarësisht se ka kundër të gjithë opozitën dhe popullin opozitar, të gjithë faktorin ndërkombëtar dhe Presidentin e Republikës si garantues dhe mbrojtës të kushtetutës.
Ai po përpiqet që ta bëjë këtë me një tufë mercenarësh pa identitet, të cilët hynë “vjedhurazi” në parlament me votat e popullit opozitar, pasi opozita “dogji” mandatet e detyruar nga rrethanat. Këta mercenarë që kanë ushqyer me votat e demokratëve qeverinë e ‘Rilindjes” që kur shkelën ditën e parë në parlament, tani po përpiqen që t’i bëjnë gjëmën demokracisë shqiptare, duke u bërë palë në krimin e ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës për një javë dhe pa asnjë lloj konsensusi politik, çfarë nuk ka ndodhur asnjëherë gjatë këtyre dekadave demokraci. Mercenarët “opozitarë” po investohen shumë që nëpërmjet ndalimit të koalicioneve, t’i krijojnë kushte “Rilindjes” që të vjedhë dhe manipulojë përsëri votat si në vitin 2017, me qëllim që të rrijë në pushtet, çfarë do të thoshte vazhdimi i shkatërrimit të vendit sipas modelit “rilindas”.
Kryeministri e ka sajuar gjithë këtë provokim me pretekstin e “listave të hapura” për të parandaluar me Kushtetutë koalicionet parazgjedhore, thjesht dhe vetëm “për interesat e veta”, me qëllim që duke manipuluar procesin e ardhshëm zgjedhor, dhe me vota të vjedhura të dalë parti e parë politike, me synimin për t’u mandatuar për të krijuar qeverinë, dhe përsëri pastaj me “blerje deputetësh” si këta aktualët të krijojë qeverinë. Aq më keq që këtij parlamenti i mungon totalisht legjitimiteti juridiko-kushtetues, por edhe ai moral dhe politik, pasi “Rilindja” i ka vjedhur votat e vitit 2017 (e vërtetuar edhe ndërkombëtarisht, tani kemi më në fund edhe komisionerë të arrestuar për masakrën elektorale të vitit 2017), ndërkohë që deputetët e “opozitës parlamentare” janë ilegjitim, pasi as nuk janë votuar nga populli dhe as nuk përfaqësojnë opozitën.
Po të kishte pasur Gjykatë Kushtetuese Presidenti i Republikës do t’a kishte shpërndarë disa herë Parlamentin, për mos-përputhshmëri të tij me Kushtetutën si dhe për faktin se ky parlament është mos-pasqyrues dhe mos-ushtrues i vullnetit të popullit, si dhe deformues i këtij vullneti, e realizuar kjo nëpërmjet veprimeve anti-kushtetuese dhe antiligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të vetë Parlamentit. Ky skenar ogurzi i Edi Ramës, destabilizues për vendin dhe kërcënues për demokracinë nuk duhet të ndodhë, ai duhet parandaluar me çdo kusht, pasi nëse ndodh pasojat do të jenë të paparashikueshme, me kosto të jashtëzakonshme dhe të parikuperueshme.
E gjithë kjo situatë “sureale” e ka bazën tek paniku dhe tmerri i kryeministrit nga humbja e pushtetit, pasi edhe sondazhet e tij e nxjerrin “Rilindjen” shumë dobët, më pak se 30 % ndërkohë që edhe votimet moniste të 30 qershorit nuk kishin më shumë se 10 % pjesëmarrje. Në këto kushte opozita dhe populli opozitar duhet të reagojnë me ashpërsinë më të madhe në mbrojtje të Kushtetutës dhe të demokracisë, pasi nesër do të jetë tepër vonë. As Enver Hoxha nuk e vendosi diktaturën për 24 orë, ju deshën 10-15 vite që ta konsolidonte atë.
Faktori ndërkombëtar ka qenë i prerë dhe i ashpër në qëndrimin e vet se “nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese në mënyrë të njëanshme, pa konsensus” dhe se “asnjë ndryshim i marrëveshjes së 5 qershorit nuk mund të bëhet pa kaluar nga Këshilli Politik i reformës zgjedhore”, por tani ka kaluar kjo fazë. Faktori ndërkombëtar duhet t’a ndalojë këtë çmenduri, para se të ndodhë. Mundësia e fundit është që Presidenti ta shpërndajë këtë parlament, përpara se ky parlament t’i bëjë gjëmën Shqipërisë. Koha nuk pret, dhe duhet reaguar shpejt, pasi pasojat do të jenë të jashtëzakonshme për të gjithë ne.