Pasi Rusia u vendos nën një regjim të paprecedent sanksionesh, BE pritet të shënjestrojë Alina Kabaeva, një politikane, drejtuese mediash, ish-gjimnaste olimpike dhe sipas thashethemeve, nëse do ishin të vërteta, e dashura dhe nëna e disa prej fëmijëve të Vladimir Putin.
Sanksionet e vendosura nga BE dhe vendet e tjera janë krijuar për të ndëshkuar njerëzit që qëndrojnë më afër Putinit, si oligarkët, politikanët dhe zyrtarë të tjerë që thuhet se kanë përfituar për shkak të afërsisë që kanë pasur me presidentin.
Muajin e kaluar, SHBA dhe Britania e Madhe vendosën sanksione ndaj vajzave të tij; Maria Vorontsova, 36 vjeç dhe Katerina Tikhonova, 35 vjeç. Ato janë vajzat e tij me ish-bashkëshorten, Lyudmila.
Deri më tani, zonja Kabaeva nuk është parë në publik, pavarësisht statusit të saj që është raportuar. Ajo mund të kishte nuhatur se diçka do të ndodhte; një peticion në internet, i cili u publikua në muajin mars kërkonte dëbimin e saj nga rezidenca që kishte në Zvicër.
Burimet kanë konfirmuar për BBC se ajo është e fundit në listën e personave që pritet të sanksionohen nga BE. Sipas AFP-së, ajo do të jetë në shënjestër për aq sa i takon në kontributin që ka dhënë për shpërndarjen e propagandës së Kremlinit dhe lidhjen e ngushtë që ka me presidentin 69-vjeçar, Vladimir Putin. Drafti nuk e cilëson atë si partnerën e tij dhe BE ende nuk e ka nënshkruar zyrtarisht propozimin.
Udhëheqësi rus ka qenë gjithmonë shumë i rezervuar sa herë është pyetur për jetën e tij private, duke vendosur t’i shmanget gjithmonë një pyetje të tillë. Megjithatë, Putin ka mohuar në mënyrë të veçantë dhe veçanërisht thashethemet se mund të jetë në një lidhje me zonjën Kabaeva.

Në vitin 2008, gazeta Korrespondent Moskovsky raportoi se ai po planifikonte të divorcohej nga gruaja e tij Lyudmila dhe të martohej me zonjën Kabaeva. Të dy ata e mohuan një histori të tillë. Menjëherë pas këtij lajmi, autoritetet mbyllën gazetën. Putin dhe Lyudmila do të njoftonin ndarjen e tyre pesë vjet më vonë.
Në kohën kur presidenti rus mohonte se ishte i lidhur me zonjën Kabaeva, ajo po kalonte nga një karrierë e suksesshme sportive në një karrierë politike. Disiplina e saj e zgjedhur ishte gjimnastika ritmike, ku atletët demonstrojnë numra të ndryshëm me ndihmën e pajisjeve si shirita dhe topa.
Zonja Kabaeva, në kulmin e saj, pretendon se ka qenë më e mira në botë. Ajo ishte një interpretuese kryesore në ekipin që dominonte këtë lloj sporti. Rusia fitoi çdo medalje të artë Olimpike nga viti 2000 deri në 2016.
E lindur në vitin 1983, ajo filloi gjimnastikën ritmike që në moshën katër vjeçare. Trajnerja e saj, Irina Viner, tha: Nuk mund t’u besoja syve kur e pashë për herë të parë. Vajza ka kombinimin e rrallë të dy cilësive thelbësore në gjimnastikën ritmike- fleksibilitetin dhe shkathtësinë.
Zonja Kabaeva do të bëhej e njohur si “gruaja më elastike e Rusisë”. Ajo bëri debutimin e saj ndërkombëtar në vitin 1996 dhe ishte një fituese surprizë në Kampionatin Evropian të 1998.
Në Lojërat Olimpike të Sidneit të vitit 2000, një gabim me rrethin i kushtoi shtrenjtë, duke arritur të kapë vetëm medaljen e bronztë. Katër vjet më vonë, në Athinë, ajo doli më mirë, duke u kthyer në shtëpi me medalje ari.

Deri në kohën e pensionimit të saj, ajo kishte fituar 18 medalje të Kampionatit Botëror dhe 25 medalje të Kampionatit Evropian. Mirëpo, ashtu si shumë atlete ruse, ajo nuk ka arritur dot t’i shpëtojë dopingut, duke humbur medaljet e saj në një turne në vitin 2001, pasi rezultoi pozitive me një substancë të ndaluar.
Ajo u zhvendos në politikë, duke mbajtur një vend në dhomën e ulët të parlamentit të Rusisë nga 2007 deri në 2014 me partinë në pushtet, Rusia e Bashkuar. Në vitin 2014 ajo u bë kryetare e Grupit Kombëtar të Medias, i cili ka aksione të mëdha në pothuajse të gjitha mediat kryesore ruse.
Media të tilla kanë transmetuar një mesazh të pamëshirshëm pro-Kremlinit për luftën në Ukrainë, duke akuzuar ukrainasit për bombardimet e qyteteve të tyre dhe duke i paraqitur trupat ruse si çlirimtare të vendit.
Pozicioni i saj thuhet se e ka bërë atë një grua të pasur, me dokumente të zbuluara që tregojnë se ajo fiton rreth 12 milionë dollarë në vit.
Nuk dihet kur ajo dhe Putin u takuan për herë të parë, por nuk është e pazakontë që një atlete kryesore olimpike të takojë presidentin e një vendi. Ekziston një foto e çiftit që në vitin 2001, kur Putin i dha asaj Urdhrin e Miqësisë- një nderim i lartë shtetëror.
Ka zëra se ata kanë fëmijë së bashku, ndonëse raportet ndryshojnë se sa fëmijë kanë. Një gazetë zvicerane shkruajti se zonja Kabaeva kishte një djalë dhe që e kishte lindur në një klinikë private pranë liqenit të Luganos në 2015-ën, si dhe një djalë tjetër po në të njëjtën klinikë në vitin 2019. Por Sunday Times dhe Wall Street Journal thanë se ajo kishte binjakë dhe që kishin lindur në 2019 në Moskë.
Kremlini i ka mohuar në mënyrë kategorike të gjitha raportet. Në vitin 2015, zëdhënësi i Putinit tha se “informacioni për lindjen e një foshnjeje dhe se babai i saj është Vladimir Putin, nuk korrespondon me faktet”.
Në fakt, e tillë është natyra e Vladimir Putin, ai kurrë nuk i ka përmendur emrat e fëmijëve që ka me Lyudmila, përveçse thotë se ka dy vajza të rritura. Zonja Kabaeva ka qenë si brenda por edhe jashtë vëmendjes së medias që kur dolën zërat e parë për një marrëdhënie të saj me Putin.
Ishte një kopertinë e Vogue në vitin 2011, ku ajo kishte veshur një fustan të shtrenjtë ari nga shtëpia franceze e modës Balmain. Ajo ishte gjithashtu një mbajtëse e pishtarit në Lojërat Olimpike Dimërore në 2014 në Soçi.
Kohët e fundit, në prill, ajo u shfaq në një festival të gjimnastikës për të rinj në Moskë, duke hedhur poshtë lajmet se ajo fshihet. Atje, ajo vlerësoi përpjekjet e Rusisë për luftën.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë ka pasur raportime se ajo do të përballet me sanksionet e Perëndimit. Wall Street Journal ka raportuar se SHBA-ja heziton të sanksionojë zonjën Kabaeva nga frika se mund të konsiderohet një goditje shumë personale për zotin Putin dhe që me shumë gjasa do të përshkallëzonte tensionet me Rusinë.
Megjithatë, ajo, mund të mos jetë jashtë listës së saknsioneve.
Kur Shtëpia e Bardhë u pyet në muajin prill se për çfarë arsye emri i saj nuk është në listën e personave që do të sanksionohen nga Perëndimi dhe vendet e tjera, sekretari për mediat tha se “askush nuk është i sigurtë”./Përgatiti: Liberale.al/