Letërsi

Kujtesa në letërsinë e Petro Markos

Shkruar nga Liberale

“Re dhe Gurë” e Petro Markos  - Kur letërsia dokumentare-kujtimore (jo fiksionale) e kapërcen artistikisht atë të trillimit (fiksionale)

Viktor Canosinaj

Në historinë e letrave janë të shumta dëshmitë kur letërsia dokumentare-kujtimore ka rivalizuar denjësisht atë që e konsiderojmë letërsi të mirëfilltë artistike, letërsinë e trillimit, madje edhe e ka kapërcyer për nga mjeshtëria e të treguarit, duke filluar nga “Udhëtimet” e Marko Polos, ditari i Kolombit, për të ardhur në shekullin XX me biografitë për njerëz të shquar të Cvajgut, “Ditarin” e Ana Frankut, që mbetet dëshmia më tronditëse e përndjekjes së hebrejve, kronikat familjare të Isabelë Aljendes dhe së fundi “Jeto për të treguar” të Markesit. Kjo dukuri ndodh sepse krijimtaria domumentare-kujtimore në shumë raste mund të marrë formën e një historie, që është themeli i prozës. Kufijtë mes fiksionit dhe jofiksionit janë të mjegullt, lehtësisht të ngatërrueshëm dhe të kapërcyeshëm. Varet nga prirja e brendshme e autorit për ta defamiljarizuar realitetin apo për t’i qëndruar atij besnik dhe nga distanca ironike që ai mban në raport me ngjarjet që tregon.

Fakti që letërsia e jofiksionit mund të japë kënaqësi estetike, të përçojë emocione të forta dhe ta mbajë lexuesin të gozhduar pas librit lidhet edhe me një element tjetër bazik të prozës: tregimtarinë si mjeshtëri. Kur e zotëron këtë mjeshtëri, pak rëndësi ka nëse shkruan fiksion apo jofiksion. Dekadat e fundit, me mbylljen e odisesë moderniste dhe post-moderniste dhe me pothuaj shterimin e formave dhe teknikave letrare të letërsisë së trillimit, letërsia dokumentare-kujtimore në botë ka gëzuar një denduri të dukshme dhe një vëmendje të shtuar të lexuesit.

Në letrat shqipe prodhimi dokumentaro-kujtimor , pra jofiksioni, nuk ka traditë të gjatë. Ai mori hov në vitet ’90 si pasojë e rënies së diktaturë dhe lirisë për të shkruar. Në këtë prodhimtari do të veçoja (sigurisht me koston e subjektivizmit) një trinom mjeshtëror: “Re dhe gurë” të Petro Markos, “Rrno për me tregue” të at Zef Pllumit dhe “Kujtimet” e Eqerem bej Vlorës, ndonëse të ardhura përmes përkthimit. Së fundi, këtij trinomi i është afruar denjësisht “Tirana e nonës” i Blendi Fevziut.

Letërsia e Petro Markos në pjesën më të madhe shquhet për autobiografizmin e saj. Mjaft të kujtojmë “Hasta la vista” dhe “Nata e Ustikës”, ndër veprat e tij të pjekurisë letrare. Në lidhje me këtë dukuri, Arnold Benet, shkrimtar dhe kritik i njohur, thekson se: “ Fiksioni i klasit të parë është dhe duhet të jetë autobiografik. Letërsia e mirë është biografi e veshur me ngjyrat e gjithë njerëzimit.”

Por si ndodh letrarisht që “Retë dhe gurët” të rivalizojë denjësisht me këto vepra fiksioni?

Së pari, është magjia e gjuhës, e shoqëruar  me tiparet kryesore të letërsisë dokumentare-kujtimore: thjeshtësinë, lakonizmin, qartësinë dhe të qenit e drejtpërdrejtë. Niçe, një nga kryemjeshtrat e shkrimtarisë, thoshte se “Gjuha është një çmenduri e ëmbël”. Te Petro Marko gjuha është një magji e ëmbël. Ajo shoqërohet me një aftësi tjetër mjeshtërore për të transmetuar te lexuesi ndjenjat dhe atmosferën e zhvillimit të ngjarjeve në mënyrë sa më lakonike, siç theksonte Shklovski: “Stil i përlqyeshëm është ai që jep sasinë më të madhe të mendimit me sa më pak fjalë.”

Së dyti,  është skalitja e karaktereve. Te “Re dhe gurë” edhe figurat krejt minore në raport me të tërën, janë paraqitur me një vërtetësi shtangëse dhe të mbeten në kujtesë. Pa folur për staturën e figurës së autorit që në orët e zeza të varjes me zinxhirë në qelinë e burgut merr përmasat e një Krishti. Kjo është pjesa më tronditëse e librit, ku asnjë lexues me zemër nuk mund t’i përmbajë lotët.

Së treti, ndodh letrarisht që jeta e autorit ia kapërcen për nga ndodhitë dhe emocionet asaj të personazheve të trilluar. Petro Marko i përket asaj race shkrimtarësh me jetë aventuroze dhe tepër të ngarkuar me ngjarje, si rasti i Heminguejit (tri herë rrëzuar me avion, i martuar katër herë, i përfolur për impotencë dhe homoseksualizëm, i marrosur pas peshkimit dhe gjuetisë në Afrikë) apo rasti i Xhek Londonit dhe shumë shkrimtarëve të tjerë, jeta private e të cilëve është romani i tyre më i bukur. Edhe te Petro Marko jeta e tij është libri më i bukur dhe kjo u provua me “Re dhe gurë”. Ai pati rini të trazuar. I mbërthyer nga dalldia e parimeve republikane mori pjesë në Luftën e Spanjës, u internua si antifashist, u burgos nga diktatura, u përndoq tërë jetën me ndalim të veprës artistike dhe heqjen e të drejtës së botimit. Marko qe një shkëmb i vetmuar letrar. Ai bëri letërsi ndryshe nga ajo e shkrimtarëve zyrtarë dhe siç shprehet Oruell, “Të guxosh të jesh vetvetja, është kriminale ideologjikisht dhe e rrezikshme praktikisht.” Marko kishte arritur me kohë të kuptonte sekretin e madh të letërsisë së vërtetë se sa herë imponohet një ideologji, proza e mirë merr fund dhe se humbja e lirisë është armiku më i madh i të gjitha formave letrare. Shumë nga bashkohësit e tij vendosën të bënin të kundërtën dhe sot letërsia e tyre nuk lexohet më, ndonëse ndokush përfiton ende nga autoriteti i reputacionit dhe lëvdatat e sforcuara. Fatin e tyre e kishte parashikuar Oruelli që në vitin 1946: “Çdo shkrimtar që përqafon këndvështrimin e dikaturës, që gjen shfajësime për përndjekjen dhe falsifikimin e realitetit, shkatërron veten si shkrimtar.”

Së katërti, është vetë titulli i librit. “Re dhe gurë” është titull metaforik, romanesk. Normalisht ai shkakton kërcitje mbi një vepër dokumentare-kujtimore. Të gjithë e dimë se shenjuesi është neutral, i ftohtë, ai nuk përçon emocion. Kjo është arsyeja që shkrimtarët, si edhe njerëzit në përgjithësi ngarendin drejt metaforave, për ta bërë shenjuesin sa më goditës dhe sa më emocional. Retë dhe gurët nuk përfaqësojnë këto fenomene fizike natyrore. Ato janë metafora të qëndresës (gurët) dhe jetës plot tallaze dhe gënjeshtra (retë).

Së pesti, në “Re dhe gurë” për herë të parë në karrierën e tij shkrimore Marko shfaqet si story-teller që tregon jetën e vet. Në thelb story-telling është një formë letërsie e treguar me gojë dhe ky detaj përbën avantazh për autorin. Por në këto rrethana ai ka edhe pengesën e mbështetjes së jashtme. Asnjë lexues nuk e njeh si biograf. Gjithçka varet nga mjeshtëria me të cilën ai do të tregojë jetën e tij. Dhe siç normalisht pritej, ai e kapërceu edhe provën e story-tellerit.

“Re dhe gurë” është vepër e asaj rëndësie para së cilës historia e këtij vendi, e shkruar nga fitimtarët, duket një tufë me gënjeshtra. Jo më kot Kamy theksonte se letërsia duhet të merret me fatin e të humburve dhe jo të fitimtarëve. Arti ka një veçori që Oktavio Paz e përshkruan me fjalët: “ringjall atë që historia ka vrarë, i jep zë asaj që historia e ka mohuar, sjell të vërtetën në vend të gënjeshtrave të historisë.” Pikërisht këtë bën “Re dhe gurë”./Gazeta Liberale       

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH