
Qeveria e Kosovës ka dënuar deklaratat e disa zyrtarëve të lartë të Serbisë, duke u shorehur se ato tregojnë mungesë të thellë respekti për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, si dhe familjet e tyre.
“Këto deklarata skandaloze, përveç që fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”, thuhet në komunikatë.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka bërë disa deklarata, që në Kosovë janë konsideruar kërcënuese, për serbët që bëjnë të ditura lokacionet e shqiptarëve të varrosur në territorin e Serbisë.
“Mos u merrni me amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ka thënë ai për një televizion në Serbi.
Ndërkohë Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vullin ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së arritur më 2 tetor mes Kosovës dhe Shqipërisë, në të cilën është thënë se Porti i Durrësit do t’i takojë Kosovës.
Duke iu drejtuar shqiptarëve me termin pezhorativ dhe nënçmues “shiptari”, ai ka thënë se kryeministri shqiptar, Edi Rama po vazhdon përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”.