Reldar Dedaj
Kryeministri Edi Rama ka qenë gjithmonë i gatshëm të dënojë me forcë agresionin rus mbi Ukrainën, por asnjëherë i gatshëm të dënojë rastet e agresionit serb apo maqedonas ndaj shqiptarëve.
Kemi parë një kryeministër shqiptar shumë protagonist kundër Putinit dhe krejtësisht të heshtur ndaj Vuçiç-it dhe Zaev-it. E kemi parë të heshtur atëherë kur protestuesit maqedonas u mësynë bizneseve të popullsisë shqiptare atje, e kemi parë të heshtur disa vite më parë edhe për rastin e vdekjes së katërvjeçarit nga Kumanova, e kemi parë të heshtur edhe për rastin kur forcat “paramilitare” serbe nën nxitjen e Vuçiç-it mbajtën nën terror prej gjashtë orësh një popullsi prej 150 mijë banorësh në Mitrovicën e Veriut.
Fatkeqësisht një ankth të tillë, shqiptarët e përjetojnë vazhdimisht në shtetin ku jetojnë. Sepse nga njëra anë kemi politikanë të papërgjegjshëm dhe nga ana tjetër kemi një klasë politike që përveç retorikës s’i japin asgjë tjetër shqiptarëve të trojeve.
Sepse, nëse mendoni ndryshe, na thoni të paktën një projekt mbarëshqiptar, të cilin e përkrahin të gjitha qeveritë e “Shqipërive” tona, e që ka të bëjë me mbrojtjen e interesit mbarëshqiptar? Na thoni, pse Tirana e Prishtina zyrtare lënë përshtypjen se as që e dinë se ku ndodhet shtëpia e Kongresit të Alfabetit?! Na thoni, për shembull, pse pushtetarët në Tiranë e Prishtinë nuk heqin dorë nga darkat e drekat që i paguajnë me parat e popullit, e që me ato para të ndërtojnë ndonjë shkollë në Luginën e Preshevës. Na thoni pse heshtin kur i vrasin, i rrahin dhe i shajnë?
Përralla e “Open Balkan” hamendësohej të ishte një mënyrë që i gjithë Ballkani Perëndimor të niste me turr udhëtimin drejt Evropës, por me sa pamë ne të gjithë, pyesim vetën se si mund të ndodhë kjo, veçanërisht kur Serbia provokon vazhdimisht shtetin e pavarur të Kosovës?
Mjegullimi i kufijve midis patriotizmit të vetvetishëm, të shëndetshëm, që njihet qysh në kohërat antike, me nacionalizmin vulgar është bërë diçka që përsëritet, sidomos në vitet e fundit. Kryeministri Rama është i pari në radhën e gjithë kryeministrave për të frymëzur një nacionalizëm të tillë, që fokus të vetëm ka demagogjinë dhe aspak racionalitetin.
Ngado që të shkosh në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në të gjitha trojet shqiptare, do vësh re, se do ndihesh i shtypur nga mungesa e plotë e jetës, ritmit, fëmijëve, të ardhmes. Shqipëria as nuk ëndërron më. Edhe ëndrrën e ka vdekur, hapësirën e vetme të lirisë./Liberale.al/