Reldar Dedaj
Kjo është nata e fundit për Ilir Metën si President i Republikës, pasi më 24 korrik (të dielën) i përfundon mandati i tij i plotë 5-vjeçar.
Edhe pse i zgjedhur në vitin 2017 nga 87 votat e socialistëve dhe deputetët e LSI-së, Meta në postin e Kreut të Shtetit, gjatë vitit të dytë të detyrës së tij u kthye në një “mur” për qeverinë dhe mazhorancën e Edi Ramës.
Në postin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, do mbahet mend gjatë për gjuhën agresive të përdorur kundrejt kundërshtarëve të tij politikë, por veçanërisht do kujtohet për firmosjen e 68 dekreteve kundër qeverisë Rama, duke shkaktuar kështu një krizë të thellë mes dy institucioneve më të larta të vendit, që vite më parë, drejtuesit e këtyre dy institucioneve, kishin bashkëpunuar ngushtësisht për të ardhur në pushtet.
Drejtimi i Presidencës u karakterizua nga përplasje të shpeshta me qeverinë, të cilat zanafillën e kanë në fillim të 2019, kur Meta refuzoi dekretimin e Gent Cakajt, si ministër të Jashtëm, duke e cilësuar këtë të fundit si të papërgjegjshëm dhe pa përvojë. Madje për një çështje të tillë përfunduan edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Një tjetër përplasje me qeverinë, kreu i shtetit e shënjoi po në 2019, pas dekretit që shtynte zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, dekret që nuk gjeti zbatim nga shumica socialiste, pasi zgjedhjet i mbajti pa opozitën.
Një konflikt tjetër institucional mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama u shënua disa vite më parë, kur kryetari i shtetit, vendosi t’i dalë kundër prishjes së Teatrit Kombëtar.
Largimi i PD dhe LSI nga Parlamenti duke djegur mandatet e tyre nxorën më shumë në pah konfliktin institucional, por tashmë jo vetëm President-Qeveri, por edhe me Kuvendin e Republikës.
Mirëpo, akti më i paprecedentë, ishte zhdekretimi i datës së zgjedhjeve vendore, vendim për të cilin Partia Socialiste nisi edhe nismën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Por asnjëra palë nuk doli e fituar, pasi PS hyri e vetme në zgjedhjet lokale, duke mos marrë parasysh dekretin e Metës dhe, nga ana tjetër, Venecia nuk i dha mbështetje ligjore socialistëve për ta shkarkuar.
Më 2 mars, të vitit 2020 Meta shënoi një tjetër akt të pazakontë të një kryetari shteti, duke thirrur protestë kundër qeverisë. Ai u zhvendos nga zyra e tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në tubimin kundër atij që e quajti grusht shteti.
Pavarësisht retorikës agresive, pavarësisht akteve të paprecedenta të marra nga kreu i shtetit, pavarësisht edhe agresivitetit me raste kundrejt ambasadorës amerikane në Tiranë, Presidenca e Ilir Metës, në mungesë të opozitës shqiptare në pushtetin legjislativ dhe atë vendor, u karekterizua si askush tjetër si garante e shtetit ligjor, Kushtetutës dhe demokracisë në vend.
Mbas pështjellimeve institucionale dhe politike, mbas kaosit opinional dhe mediatik ishte përsëri Presidenti Meta, ai që kontribuoi jashtë mase për të ruajtur rendin kushtetues, balancat politike dhe kredibilitetin e vendit në raport me diplomacinë e huaj të akredituar brenda dhe jashtë vendit.
Mund të mos jesh dakord me faktin që me anë të retorikës politike Presidenti Meta pati raste që u bë palë politike. Mund të mos jesh dakord edhe me përmbajtjen e deklarimeve të tij politike për këtë çështje ose për të gjitha çështjet. Por, nuk mund të mos biesh dakord me faktin se ishte i vetmi pushtet që arriti të frenojë pushtetin gati absolut të Edi Ramës.
Dy vite më parë, Parlamenti votoi pro shkarkimit të Presidentit për "deklarata publike që nxisin dhunën dhe shkelin Kushtetutën”, por Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Sipas vendimit të Kushtetueses, shqetësimet e ngritura nga Presidenti para dhe gjatë fushatës së 25 prillit dhe gjuha e përdorur ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë nuk përbënin shkelje të ligjit themeltar të shtetit.
Fill pasi të lërë presidencën, më 25 korrik LSI mbledh Konventën Kombëtare, ku me shumë gjasa pritet që Ilir Meta të marrë drejtimin e forcës politike që themeloi dhe drejtoi. Ai ka premtuar se do të kthehet aktiv në politikën shqiptare, edhe pse nuk ka sqaruar ende nëse LSI do të jetë sërish mekanizmi i tij.
Nesër, Ilir Meta do t’i lirojë zyrën Bajram Begajt, një kandidat i propozuar dhe i zgjedhur nga votat e socialistëve më 4 qershor. Pavarësisht konfliktit me mazhorancën e majtë, Meta nuk e kundërshtoi emrin e pasardhësit të tij, madje nxitoi duke firmosur nga Stambolli lirimin nga detyra si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Mirëpo, pas 24 korrikut, pyetja që do shqetësojë më shumë politikën shqiptare është se kush do jetë aleati kryesor politik i Ilir Metës?!/Liberale.al/