Ingenious

Juljan Grori, inxhinieri që çon Shqipërinë në lojërat Olimpike të Robotikës

Shkruar nga Liberale

Nga Luiza Pinderi

Dëshira për të njohur, eksploruar dhe sfiduar veten e bëri të pranonte atë propozim që mund të dukej në atë kohë i çuditshëm. I tillë ndoshta mbetet edhe sot, por tashmë ka një shtysë të madhe që e bënte mos heqë dorë: ka pasionin. Në vitin 2017 ndiqte vitin e katërt në shkollën profesionale “Gjergj Canco” për elektronikë, e njëkohësisht punonte në shkollën “Tirana Internacional School”. Njohja me profesorin e kësaj shkolle Besnik Zylka, i cili merrej me kampionate robotike midis shkollave te mesme, organizuar nga “First”, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA, do të krijonte një mundësi të artë dhe një eksperiencë ndryshe, që pak kanë pasur fatin ta provojnë deri tani.

Juljan Grori e jeton këtë eksperiencë prej 6 vitesh, në fillimi si kapiten i skuadrës dhe tashmë si mentor dhe drejtues i First Global Challenge Team Albania. “Është një eksperiencë e paharrueshme”, thotë ai, i cili nëpërmjet robotikës ka kaluar kufijtë dhe ka shkelur disa kontinente. Para dy muajsh ishte në Gjenevë, kryeqendrën e Zvicrës, ku përgatiti dhe drejtoi një skuadër prej 5 nxënësish të kësaj shkolle, për të marrë pjesë në First Global Challenge 2022, që njihen ndryshe si lojërat Olimpike të Robotikës.

Flamuri i Shqipërisë u valëvit mes atyre të afro 200 shteteve nga e gjithë bota, të cilët parakaluan në mënyrë olimpike për prezantim dhe pastaj garuan nëpërmjet robotit të tyre për të zgjidhur disa sfida me të cilat përballet planeti ynë, nga 14 të tilla që përmban ky kompeticion. Çdo vit sfidat dhe problematikat që duhet të zgjidhin konkurrentët janë të ndryshme, novative dhe krijuese, njëkohësisht edhe kryeqytet që zgjidhen për zhvillimin e garave ndryshojnë nga viti në vit. Puna, pasioni dhe shkollimi i tij nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën, por në thelb i përbashkon logjika, një tipar që i rri më së miri në natyrën e vet kërkuese, ambicioze dhe të përmbajtur.

I ardhur nga elektronika, ai vazhdoi studimet bachelor për Inxhinieri Informatike në Universitetin Europian të Tiranës dhe më pas masterin për Informatikë Ekonomike. Profesionin e tij e ushtroi gjatë studimeve, ku u bë pjesë e grupit të IT-së së universitetit, por pas përfundimit iu desh të fokusohej në punën brenda QSI-së. Me vitet, ashtu si fuqia edhe përgjegjësia e tij është rritur duke mbajtur tashmë pozicionin e koordinatorit të logjistikës. Në mënyrë të pandërprerë vijon angazhimin me konkurset e robotikës.

“Për mua është çështje pasioni, pasi nuk paguhem. Çdo gjë e bëj vullnetarisht. Për sa kohë do të kem kohë dhe pasion do të vazhdoj ta bëj”, tregon ai. Dalja jashtë Shqipërisë, shkelja në shtete të ndryshme, njohja me të rinj anekënd botës, krijimi i kontakteve, njohja me kultura të reja, janë disa nga benefitet e dëshiruara për ata që janë bërë pjesë e skuadrës. “FIRST Global më lejoi të shkoja përtej kufijve të mi, të zgjeroja fushën time të vizionit, të zbuloja bukurinë e vlerave të tilla si loja e ndershme dhe puna në grup”, thotë Juljani.

Shton se falë kësaj eksperiencë e ka kuptuar nevojën e të punuarit me të tjerët për të mirën e komunitetit ku jetojmë. FIRST (për frymëzim dhe njohje të shkencës dhe teknologjisë) është finalizimi i punës dhe karrierës 30 vjeçare të Dean Kamen, shkencëtar dhe shpikës i njohur amerikan. Emri i tij qëndron mbi 1000 patenta, duke filluar nga AutoSyringe, pompë e infuzionit ambulator, pompa e insulinës, e shumë pajisje të tjera mjekësore, për të arritur te mjeti i transportit Segway(HT) dhe karrigia me rrota me bateri iBOT.

Njihet ndryshe edhe si Thomas Edison i kohëve moderne për shkak të impaktit që ka pasur në lehtësimin e jetës njerëzore. Me FIRST Global synon të frymëzojë të rinjtë që të bëhen liderë të ardhshëm në zgjidhjen e sfidave teknologjike të botës si dhe të ndjekin karrierën në STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë). “Ne nuk po përdorim fëmijët për të ndërtuar robotë. Ne po përdorim robotë për të ndërtuar fëmijë që kanë vetëbesim, grupe aftësish, imagjinatë, guxim dhe vizion për të bërë gjëra të rëndësishme”, është motoja e Dean Kamen.

FIRST ka funksionuar me kampionate mes shkollave të mesme, ndërsa prej vitit 2017 u hap First Global Challenge, ku tashmë një ekip përfaqëson shtetin në garën ndërkombëtare. E në këtë vit të parë erdhi thirrja për Juljanin, i cili nuk hezitoi t’i thoshte jo, duke shkuar në Uashington.

Ambasada amerikane dha ndihmën e vet duke ofruar ambientet e American Corner për ndërtimin e robotit sipas rregullave të kompanisë, pas dërgimit të kittit robotik. Mes 15 nxënësve pjesëmarrës të moshës 14- 18 vjeç, nisi përzgjedhja e skuadrës, mbi kriteret e pasionit për teknologjinë, përkushtimit dhe njohurive për organizatën. “Njohuritë ishin të rëndësishme dhe ka pasur të skulaifikuar vetëm sepse nuk dinin emrin e themeluesit të FIRST”, tregon Juljani.

Viti 2018 ishte në Meksikë. Tashmë përveçse përzgjedhjes së ekipit, përballeshin me një problem të ri, mungesën e fondeve. Zhvilluan takime me biznese të ndryshme, por nuk ar- ritën të plotësonin 25 mijë euro, të nevojshme për të mbuluar gjithë shpenzimet, nga regjistrimi, te udhëtimi e akomodimi. E atëherë kur dukej se kishte mbaruar gjithçka, provuan shansin e fundit. Zhvilluan një takim me kryeministrin Edi Rama. “Nuk ishte shumë i interesuar në këtë pjesë. Por na mbështeti, duke thënë se çfarëdo që do të na duhej, do të ndihmonte financiarisht”. Mundi arriti të shpërblehej në fund. “Skuadra jonë fitoi çmimin e dytë mes 196 vendeve i quajtur “Dokumentacioni i Kath- erine Johnson”, në nder të matematicienes Katherine Johnson, kalkulimet e së cilës mbi mekanikën orbitale, mundësuan suksesin e udhëtimit të njeriut në hapësirë”, rrëfen Juli.

Viti 2019 u zhvillua në Dubai, me mbështet- jen e Princit të Arabisë Saudite, ku edhe në këtë kompeticion Shqipëria arriti të merrte një çmim të dytë për “Helping hands”, për ndihmën që iu ofrua skuadrave të tjera. Pandemia sig- urisht që e zhvendosi aktivitetin online, ashtu si çdo aktivitet tjetër, por sigurisht jo me të një- jtën përfshirje dhe gara siç mund të realizoheshin fizikisht.

Pas vitit të parë si kapiten, Juli, për shkak edhe të moshësh, nuk mund të konkurronte, kështu që u angazhua në pjesën organizative dhe menaxheriale, si mentor. “Të jesh mentor kërkon një përkushtim dhe një punë shumë të madhe, por duke pasur një ekip të pasionuar dhe bashkëpunues ia kemi dalë të përballojmë çdo sfidë dhe çdo vështirësi”, thotë ai më tej. Tregon se qëllimi i tij ka qenë përfshirja e sa më shumë të rinjve, mes tyre edhe të vajzave. Përveçse eksperiencës dhe njohurive të fituara, të rinjtë që angazhohen marrin certifikatë nga FIRST, që iu vlen për të aplikuar në universitetet amerikane apo mund t’iu hyjë në punë për përfitimin e bursave.

Ngjarje të tilla përforcojnë atë që flitet shpesh, se jetojmë në kohën e bumit teknologjik, ku ajo që nuk guxohej të mendohej tashmë është realitet. Brenda një shekulli, nga drama fantastiko–shkencore e autorit dhe gazetarit çek Karel Çapek, e titulluar “R.U.R”, i cili ishte i pari që përdori fjalën robot (‘robota’ nga gjuha çeke, që do të thotë punë e detyruar), janë prodhuar një sërë robotësh, që kryejnë funksione të ndryshme në fushat përkatëse, nga mjekësia te ajo ushtarake, e deri te humaniodët, të cilët përpiqen të imitojnë njeriun. Elon Musk, miliarderi më i përfolur e më kontravers i momentit e prezantoi një të tillë të quajtur Optimus, që edhe pse e kishte propaganduar se do ta çonte qytetërimin në një tjetër hap, në fakt u kritikua se nuk solli asnjë gjë të re apo të paprovuar më parë.

Në këtë kohë, më shumë se kurrë po investohet për të krijuar një qasje drejt kësaj fushe. Një ambicie e tillë, për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë shqiptarë në qasjen e tyre drejt robotikës, është formësuar vitet e fundit te Juljani. Dëshiron të gjejë mbështetjen e duhur për të hapur një qendër që zhvillon kurse robotike, e nëpërmjet saj të vijojë pjesëmarrjen në konkurset e FIRST Global. “Synojmë që të kemi sa më shumë të rinj me dëshirën për t’u përfshirë në ekipin tonë dhe ky program që ne ke- mi të zhvillohet gjithashtu dhe nëpër shkollat shqiptare, pse jo të zhvillohen dhe kampionate lokale midis shkollave”, shprehet ai.

Diferenca mes robotëve të Çapek dhe atyre të sotëm, është se ai fliste për "njerëz pa zemër" që u rebeluan kundër pronarëve të fabrikave që i shfrytëzonin ata dhe tentuan të shkatërronin njerëzimin. Robotët e sotëm po përdoren nga njerëzit për të zgjidhur problematikat që i kanë krijuar vetë dhe ende nuk e dimë nëse ata do të rebelohen për të nisur një luftë me njerëzimin. Shpresojmë që kjo të jetë imagjinata e vetme që nuk kthehet në realitet!  

*Shkrimi është publikuar në numrin e tretë të Revistës Liberale, botim i Institutit Evropian të Tiranës “Pashko”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH