Aktualitet

Ju kishte marë malli për Lulin?

               Publikuar në : 21:43 - 17/09/20 liberale

Alfred Peza

Kryetari i opozitës sonë ngjan si dy pika parfumi, me personazhet e tregimeve të Azis Nesinit, ku situatat më serioze përcillen përmes fabulave më komike. Le të marim për një moment dikë që nuk fliste asnjëherë. Me siguri që në fillim do ta marin për të prapambetur. Më pas, siç ndodh përgjithësisht me popujt që janë rritur mes përrallave, miteve dhe legjendave, nisin e përhapen fjalë se është ndryshe nga të tjerët që nuk u mbyllej goja dhe veç flasin e flasin për gjithë dynjanë.

E duke qenë se maturia, është një mall gjithnjë e më i rrallë ndër popujt gjaknxehtë të Mesdheut, heshtja legjendare nis e meret si një shenjë hyjnore. Si një kumt. Si një vegim që duhet lexuar mirë e zbatuar patjetër, sepse përndryshe mund të na ikë fati dhe mundësia që na është ofruar. Kështu derisa dikush fillon e thotë se personazhi ynë është aq i mençur, sa i peshon fjala si rrallëkujt dhe për rrjedhojë, ai është duke na folur me heshtjen e tij. E nëse nuk e kuptojmë, ky do jetë problem ynë, e jo i tij.

Në hapësirat folklorike të asaj që dikur quhej Perandoria Osmane, nisin e përhapen pa u ndalur me shpejtësinë e zërit, fjalët për mençurinë unike të të dërguarit nga kushedisekush për të qenë fati ynë i ardhshëm. Derisa, heshtja nis e bëhet legjendare dhe dikush propozon që ta bëjmë Mbret. E kështu përmes situatash komike, një njëri që nuk nxorri asnjëherë asnjë gjë të mençur nga goja e tij, me vullnetin tonë të lirë meret dhe vedoset në qoshe për të na sunduar përgjithmonë.

Sa kohë keni që nuk e dëgjoni Lulzim Bashën që të thotë një fjalë të vetme për zhvillimet politike në Shqipëri. Që nga 30 korriku ndoshta? Apo që nga fillimi i gushtit? Kanë kaluar shumë javë nga atëherë dhe Kryetari i Partisë Demokratike ka folur gjithë gjithë nja dy tri herë përmes postimesh, që edhe nëse nuk i përgatit vetë, ka kush ia bën gati dhe për ti shpërndarë në rrjetet sociale.

A keni degjuar ju që kryetari i opozitës sonë rrugore të thotë ndonjë fjalë në lidhje me debatin e madh publik për çështjen e marrëveshjes së detit me Greqinë? A e keni parë ndokund, në ndonjë ekran televiziv, në ndonjë studio emisionesh të debateve politike? A e keni parë në të njëjtën ditë, apo menjëherë pas Kryeministrit, siç është e udhës të ndodhë me atë që e konsideron veten alternativën për ta zëvendësuar nesër Edi Ramën në krye të qeverisë?

Këto lloj pyetjesh mund të bëhen pafundësisht. Por pavarësisht kësaj, përgjigja që do të merni në fund, do të jetë gjithmonë e njëjtë: Jo! Pse? Sepse Lulzim Basha është një personazh që flet me heshtjen e tij. Flet me mungesën e protagonizmit të tij politik. Flet me mungesën e bërjes së asaj që kërkohet nga një lider opozitar. Nga një kryetar partie në opozitë. Nga një njeri që dikush e ka vendosur aty, në mënyrë që përmes heshtjes së tij, shqiptarët ta marin një ditë për aq të mençur sa të kërkojnë me insistim që të bëhet Mbret.

Ndryshe nga folklori, legjendat, letërsia, tregimet, personazhet humoristikë apo situatat komike, qenia lider politik është gjëja më serioze në një vend si Shqipëria. Jo thjeshtë dhe vetëm se politika është sporti ynë më popullor, por sepse ende për fatin tonë të keq, gjithçka nis dhe mbaron me politikën në jetën e secilit prej qytetarëve të tij. E për aq kohë sa kjo lidhje të jetë e tillë, gjithçka mund të lejohet që të bëhet qesharake dhe komike në Shqipëri, por jo ëndrra dhe ambicja për tu bërë një ditë Kryeminisër.

Pas shumë e shumë javësh heshtje, Lulzim Basha ka vendosur të flasë më në fund. Ka vendosur që ta thyejë heshtjen. Ka vendosur që të thotë edhe ai mendimet e tij për zhvillimet politike në vend. Për fushatën e zgjedhjeve të reja parlamentare të pranverës së ardhshme, të dekretuara tashmë zyrtarisht nga Presidenti I Republikës. Megjithëse gushti i pushimeve kaloi e ai premtoi publikisht se do të punonte natë e ditë për listën e kandidatëve për deputetë të PD dhe programin e saj elektoral, përsëri ai heshti. Heshti deri në fund të gushtit. Heshti në fillim të shtatorit. Heshti deri tani kur jemi në javën e tretë të sezonit të ri politik.

Për të gjithë ata që i kishte marë malli për Lulzim Bashën, ai vendosi që ta thyente heshtjen dhe të fliste për herë të parë pas kaq kohësh në një studio televizive. Kuptohet, pa panel gazetarësh përballë, siç i ndodh në çdo dalje në ekrane të ngjashme dhe në formate të tillë. Ndryshe nga Kryeministri Edi Rama që vihet gjithmonë përballë analistëve më agresivë dhe armiqësorë me mazhorancën socialiste.

Vetëm një gjë mbetet pas kësaj. Dëgjojeni me vëmendje Lulzim Bashën, se nuk i dihet se kur iu bie sërisht radha, që ta keni këtë fat!

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back