Bashkimi Evropian publikoi Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila u pranua nga të dyja palët. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin që kanë pasur dje, të hënën, me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Unionit, Josep Borel dhe të dërguarin special për çështjen e Kosova, Miroslav Lajçak, kanë dhënë pëlqimin për zbatimin e Marrëveshjes.
Më poshtë është teksti i plotë i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të publikuar në faqen zyrtare të BE-së.
“Palët kontraktuese, të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për të ruajtur paqen, të vendosur për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës, të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kushtet themelore për paqen, të udhëhequr nga realiteti historik dhe pa vënë në dyshim pikëpamjet e ndryshme të palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit dhe duke shprehur dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim ndërmjet dy palëve në dobi të popullit, ranë dakord për sa vijon:
Neni 1
Palët kontraktuese (d.m.th. Serbi-Kosovë) do të zhvillojnë reciprokisht marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë në bazë të të drejtave të barabarta. Të dyja palët do të njohin dokumentet dhe simbolet shtetërore të njëra-tjetrës, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e regjistrimit të automjeteve dhe vulat doganore.
Neni 2
Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, e drejta për vetëvendosje dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.
Neni 3
Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet tyre vetëm me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.
Neni 4
Palët kontraktuese bien dakord me kusht që asnjëra prej tyre të mos mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë pranimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Neni 5
Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palës tjetër drejt Bashkimit Evropian. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e referuara në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.
Neni 6
Edhe pse kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve, të dyja palët do të vazhdojnë procesin e dialogut nën kujdesin e BE-së me një vrull të ri, i cili pritet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e përgjithshëm të marrëdhënieve të tyre.
Palët bien dakord se në të ardhmen do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, trafikut dhe lidhjes, marrëdhënieve në gjyqësor dhe në zbatimin e ligjit, në fushën e telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur dhe të zhvendosur, si dhe në fusha të tjera, duke arritur marrëveshje specifike. Detajet do të dakordësohen me marrëveshje shtesë në kuadër të dialogut të sponsorizuar nga BE.
Neni 7
Të dyja palët janë duke avokuar për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me mekanizmat përkatës të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbime në fusha të caktuara specifike, duke përfshirë mundësinë e marrjes së ndihmës financiare nga Serbia dhe vendosjen e kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe qeverisë së Kosovës.
Palët do të ratifikojnë statusin zyrtar të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me standardet ekzistuese evropiane.
Neni 8
Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme diplomatike. Selia e tyre do të jetë aty ku është selia e pushtetit vendor. Çështjet praktike që lidhen me zhvillimin e misionit do të shqyrtohen veçmas.
Neni 9
Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të të dy palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e energjisë së gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.
Neni 10
Palët do të krijojnë një komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, i cili do të monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme.
Neni 11
Të dyja palët marrin përsipër të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të bashkangjitur kësaj marrëveshjeje”./Liberale.al