Aktualitet

Java Ndërkombëtare/ 50 studentë dhe pedagogë nga Europa zbarkojnë në UET

Shkruar nga Liberale
Java Ndërkombëtare/ 50 studentë dhe pedagogë nga Europa

Le të jemi të gjithë ndërkombëtarë e le të jemi të hapur! Kështu iu drejtua rektori Tonin Gjuraj studentëve dhe pedagogëve të huaj që kishin mbërritur në Universitetin Europian të Tiranës, me rastin e kremtimit të Javës Ndërkombëtare, tashmë traditë e këtij institucioni.

E ardhmja e UET, shtoi më tej rektori, por edhe e të tjerë institucioneve të arsimit të lartë është ndërkombëtare. Një vizion ky, tashmë i përqafuar edhe nga qeveria, i nisur që herët në Universitetin Europian të Tiranës.

Përmes projekteve ndërkombëtare, të fituar përmes punës nga Zyra e Projekteve dhe Ndërkombëtarizimit në UET, vetëm për këtë vit akademik -dhe përfshirjes së gjerë në programin Erasmus+ të shkëmbimit studentor dhe stafeve, Universiteti Europian i Tiranës është pionier dhe lider i ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare. Viti i kaluar e bëri këtë universitet të parin që ka marrë një vlerësim institucional nga një agjenci e huaj. UET kaloi me notën dhjetë vlerësimin e agjencisë britanike të sigurimit të cilësisë, QAA për dhjetë standardet dhe udhëzimeve për zonën europiane të arsimit të lartë, të cilat duhet t’i përmbushin edhe universitetet e zonës së Bashkimit Europian.

Ndërkombëtarizimi ka qenë prej kohësh fokus i Universitetit Europian të Tiranës,  i cili ka punuar fort në këtë dimension. Fillimisht, me  Erasmus, Tempus dhe Erasmus+.  Pastaj  me programe të përbashkëta e diploma të dyfishta me universitete europiane, me universitetin e Salzburgut,  katër programe studimi të gjitha në gjuhën angleze e së fundi një vlerësim maksimal nga agjencia britanike QAA.

Përmes projekteve ndërkombëtare, ku vetëm vitin e kaluar arriti të marrë shtatë të rinj,  UET pret të integrohet në rrjetet akademike europiane,  si edhe të promovojë mjediset e të të mësuarit ndërkombëtar. Gjithashtu përmes këtyre projekteve, UET do të përgatitë stafin dhe studentët për kërkim shkencor bashkëpunues si edhe veprimtari akademike, bashkë me partnerët e universiteteve në vendete BE-së, si edhe të shtrijë më tej strategjinë e ndërkombëtarizimit me aspekte të mobilitetit virtual.

“Jo vetëm projektet në kuadër të ndërkombëtarizimit, por prioritet është ndërkombëtarizimi i strukturës dhe njësive dhe bashkë me Zyrën e Projekteve UET, kemi vendosur sigurimin e cilësisë me agjencinë QAA”, do të shprehej rektori Gjuraj. Ai renditi, ndër prioritetet e UET edhe programe studimi dhe diploma të përbashkëta me universitete europiane.

Aktualisht, ky universitet ofron një diplomë të përbashkët master në Shkenca Politike POSIG, me Universitetin e Salzburgut dhe disa diploma të dyfishta me universitetin Ludëigshafen, Gjermani, Malardalen, Suedi, London South Bank University në Britaninë e Madhe dhe IMS Geneva, në Zvicër. Këto diploma janë si për nivelin bachelor, ashtu edhe master në degë si Administrim Biznes, Menaxhim, Financë, IT. Rektori gjithashtu zbuloi se tjetër prioritet i UET është angazhimi në rrjetet ndërkombëtare.

“Projektet e mëdha dhe ndërkombëtarizimi pemës sigurimit të cilësisë,  e bën UET jo vetëm unik krahasuar me institucionet e tjerë të arsimit të lartë  në vend, por  kemi kontribuuar më shumë në mobilitetet e stafit dhe të studentëve”, shtoi më tej zoti profesor Gjuraj.

Ai tha se prej vitit 2016, UET ka zhvilluar dhe çuar përpara rreth 45 projekte ndërkombëtare dhe qindra  studentë dhe anëtarë të stafeve akademike e administrative të huaj kanë ardhur për një eksperiencë shkëmbimi në këtë universitet dhe studentë bashkë me staf të këtij të fundit, kanë përjetuar dhe vijojnë të përfitojnë nga eksperiencat e Erasmus +.

Rektori tha se vetëm së fundi UET ka mirëpritur pesë studentë të huaj që do të kalojnë një semestër këtu dhe afro 40 profesionistë nga stafe administrative dhe akademike. “Kjo javë është shans i madh për të gjithë ne; për të eksploruar të tjera oportunitete dhe mundësi, për të përfshirë apo vendosur bashkëpunime apo marrëveshje me institucione apo projekte të ndryshme”, përfundoi rektori fjalën e tij të mirëseardhjes për vizitorët e huaj.

Përfaqësuesja e Zyrës Erasmus+ për Shqipërinë, Ada Ramaj u shpreh se çelësi i ndërkombëtarizimit të universiteteve është Erasmus+. “Jo vetëm se e përfaqësoj por edhe e  dëgjoj; jemi të mbledhur këtu sot bashkë, për shkak të tij, një program jetëgjatë dhe shumë i suksesshëm. Por si çdo program ka njerëz  nga pas, që e bëjnë të suksesshëm dhe çelës të ndërkombëtarizimit. Ajo  që shoh është se këtu, në këtë universitet, zyra Erasmus në Shqipëri, profesorët, studentët dhe stafi administrativ punon bashkë dhe me mendje të hapur, për të përfaqësuar programin. UET ka qenë i suksesshëm në përqafimin dhe implementimin e tij. Ka qenë fans i Erasmus dhe përfitimet shihen sot këtu. Çdo vit vijnë me resurse, ide të reja dhe gjejnë mënyra për ta përdorur mirë këtë program”, u shpreh zonja Ramaj.

Ajo shtoi se pjesa më e mirë e programit Erasmus+ janë studentët. Ajo vlerësoi impaktin e jashtëzakonshëm që ka ky program shkëmbimi për jetët e studentëve, për hapjen drejt kulturave të ndryshme dhe mundësinë për të dalë nga zona e rehatisë, duke fituar aftësi të vlefshme për të ardhmen, përmes kësaj eksperience.

“Studentët kanë qenë edhe  ambasadorët tanë për arsimin ndërkombëtar, bashkë edhe me shkëmbimin e stafeve. Ky është sukses i Erasmus+; nuk  është vetëm privilegj apo luks, por përvojë transformuese që mund ta ndryshojë jetën tonë,  në mënyra që nuk i kemi menduar.

Përqafojeni këtë mundësi me krahëhapur, përfitoni nga resurset, zhyteni veten në përvojën e kulturave. Bota është një klasë dhe mundësitë janë të pafundme”, përfundoi përfaqësuesja e Erasmus+ për Shqipërinë.

Mes projekteve që kanë në thelb rritjen e kapaciteteve në arsimin e lartë, UET sjell për herë të parë në Shqipëri Jean Monnet Center of Excellence, duke qenë edhe i vetmi në Ballkan që e ka fituar për vitin 2022.

“Java Ndërkombëtare” u zhvillua nga data 25 deri më 29 prill, një organizim i përvitshëm nga Zyra e Zhvillimit të Projekteve dhe Ndërkombëtarizimit në UET, duke bërë pjesë të auditorëve të tij akademikë dhe kërkues shkencorë nga universitetet më të mira perëndimore, si dhe përfaqësues të strukturave që kanë të bëjnë me ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë. Gjatë ditëve u zhvilluan  një sërë aktivitetesh në kuadrin e ndërkombëtarizimit, të tilla si sesione kulturore, prezantime, leksione të hapura etj.

Në një prej ditëve të Javës Ndërkombëtare në UET vizitorët u prezantuan edhe me projektet Jean Monet. Mes aktiviteteve ishte njohja me njëri-tjetrin e vizitorëve, prezantimi më i mirë me Shqipërinë, si edhe një vizitë turistike në Malin e Dajtit. Në fund, ata u bënë pjesë të konferencës shkencore ndërkombëtare “Ditët e Studimeve Shqiptare”, që u mbajt në UET  e ku morën pjesë kërkues shkencorë vendas dhe të huaj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH