Reldar Dedaj
Dhuna psikologjike verbale, shtrënguese dhe fizike e komunitetit mbi individin ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e fortë. Kultura e sharjes, e ofendimit, e kërcënimeve, e goditjes vazhdon brenda familjes. Maçizmi i saj është i ndjeshëm. Dhuna e burrit ndaj gruas është aq e përhapur, aq e dendur, sa e ka bërë gruan në shtresa të tëra të shoqërisë një qenie të përulur që agresivitetin e burrit e sheh si të mirëqenë, në mos edhe si një dukuri seksi. Në lidhje me këtë dukuri, e cila është kaq prezentë në shoqërinë tonë, Liberale.al ka biseduar me poeten Rita Petro për të kuptuar diçka më shumë rreth këtij fenomeni kaq prezent në mjediset tona familjare, në komunitetin social apo mjediset e punës.
A janë vrasja dhe dhuna thjesht akte urrejtjeje?
Instinktin e dhunës e ka secili prej nesh brenda vetes. Urrejtja lind nga rrethana të caktuara. Nis me një paragjykim kundër një individi apo grupi shoqëror dhe, nëse nuk kontrollohet, kalohet në dhunë dhe vrasje. Shumica prej nesh e mposhtim këtë instinkt dhune përmes arsyes, edukimit, frikës nga ligji. Dhuna që ushtrohet ndaj vajzave e grave dhe vrasjet e tyre e kanë burimin pikërisht te paragjykimi ndaj tyre, mentaliteti patriarkal, por dhe shkaqe të tjera, si varfëria e tejskajshme dhe mungesa e edukimit.
A mendoni se dhuna e ushtruar ka gjithmonë një shkak, apo ajo, si e tillë, është veçse një marrëdhënie mes xhelatit dhe viktimës?
Një shkak mund të jetë fare i rëndomtë, por, kur arrihet deri në ekstrem, ai është ushqyer me kohë. Xhelati e ka nuhatur me kohë viktimën e tij dhe e kënaq ndjekja, derisa ta bëjë prenë e vet.
Dhuna ndaj gruas, sipas jush, a po tregon se ajo po del në arenën sociale dhe familjare shumë më e fortë dhe e barabartë?
Po. Kjo është. Gratë po shfaqin më shumë se kurrë aftësitë e tyre, si dhe guximin ndaj hapjes. Kjo ka tronditur tej mase mendimin konservator të shumë burrave. Dhe këta burra nuk janë vetëm në zonat e prapambetura, por i kemi dhe në parlament, në organet e drejtësisë, gjithandej. Duan të krijojnë përshtypjen se gratë, edhe kur vijnë në krye, nuk janë aty nga aftësitë e veta, por nga ndihma dhe toleranca e burrave. Kjo është mënyra më hileqare e një sjelljeje tipike paburrërore.
Optimiste gjendjen e bëjnë vetëm ata burra të cilët janë në krah të grave në çdo protestë apo çdo mendim të përparuar, që çon vërtet në përparim e emancipim të shoqërisë.
Vrasjet e dy ditëve më parë me të drejtë kanë nxitur kritika në lidhje me institucionet shtetërore. Por, a nuk mendoni se, nëse shteti duhet të mbrojë marrëdhënien familjare me anë të forcës së ligjit, atëherë nuk është vetëm familja që ka marrë fund, por është edhe vetë shoqëria që ka prekur fundin e saj?
Vrasja e 3 grave dhe plagosja e 3 të tjerave është rasti më i pastër i përgjegjësisë shtetërore. Si ka mundësi që ky person me kaq shumë veprime kriminale, shto dhe ato psikiket (pa u futur se sa vite dënimi meritonte), kur del nga burgu, nuk survejohet në veprimet apo sjelljet e tij?! Aq më tepër në javët e para?! Kur dihet që rehabilitimi i tij në burg linte për të dëshiruar?!
Nëse një burrë mbyll portën e shtëpisë së tij dhe thotë se është në terrenin e vet, ku mund të bëjë ç'të dojë me gruan apo fëmijët e vet, në vendet e zhvilluara vepron ligji. Nuk të lejon kush të mendosh se gruaja, nëna, fëmija, motra etj. janë prona e burrave. Shteti vendos rregulla dhe përmes tyre duhet të mbrojë qytetaret dhe qytetarët e tij. Jo të gjitha shtresat e shoqërisë janë të edukuara apo të zhvilluara njëlloj. Në lidhje me mbrojtjen e vajzave e të grave në vendet e zhvilluara, ligjet dhe politikat sociale ku investohet aq shumë, jo vetëm zbatohen rreptësisht, por madje kanë qenë dhe ekstreme, saqë në disa prej këtyre vendeve janë burrat ata që në disa raste ndihen të diskriminuar e kërkojnë të drejta. Duhet të kujdeset shteti përmes qendrave sociale, psikiatërve, psikologëve, avokatëve, këshilluesve familjarë të paguar prej tij pranë komuniteteve, veçanërisht të atyre me probleme ekonomike e konservatore.
Kjo nuk bëhet thjesht me fjalime patetike, por me investime. Po na zihet fryma nga investimet e ndërtimeve, por nuk po shohim investime në përmirësimin e mentalitetit të popullsisë. Nga ana tjetër, agresiviteti i stërzgjatur në terrenin e politikës shqiptare i hedh benzinë zjarrit të një skizofrenie masive. Askush nuk ndihet përgjegjës për këtë, që të qetësojë shpirtrat dhe mendjet e shqiptarëve./Liberale.al/