Jaup Zenuni
Qëllimi kryesor i këtij libri është të sjellë në gjuhën shqipe një punim modest mbi historinë e diplomacisë, që do të ndihmonte sadopak studentët dhe pedagogët e fushës së diplomacisë, punonjësit e shërbimit të jashtëm dhe këdo tjetër që ka interes studimin në këtë fushë. Qasja kërkimore për realizimin e këtij punimi është vështrimi diakronik në funksion të ndikimit sinkronik mbi përmbajtjen, metodat, funksionet dhe rolin e diplomacisë në kohët moderne. Nga pikëpamja e metodës duhet theksuar se ky punim kryesisht është mbështetur tek analiza krahasuese e zhvillimeve në diplomaci për të evidentuar çfarë është trashëguar, çfarë është pasuruar dhe reformuar dhe çfarë ka ndryshuar në diplomaci me kalimin nga një etapë e historisë njerëzore në tjetrën.
Si çdo shkencë edhe diplomacia ka dinamikën e vet të zhvillimit. Zhvillimi dhe evoluimi i saj ka ecur krah zhvillimit dhe evoluimit të shoqërisë njerëzore. Diplomacia është produkt i racionalitetit të mendjes njerëzore. Njerëzit qysh në fillimet e historisë së shoqërisë njerëzore e kuptuan se zgjidhja e problemeve me njëri-tjetrin, mes komuniteteve dhe fiseve jo gjithmonë mund të bëhej duke shtënë në punë muskujt dhe armët. Në këtë mënyrë lindi diplomacia si nevojë për zgjidhjen e problemeve në marrëdhëniet midis njerëzve, sidomos të komuniteteve. Ajo lindi si alternativë ndaj luftërave dhe betejave që shkaktojnë dhunë dhe gjakderdhje dhe janë më të kushtueshme se negociatat dhe marrëveshjet. Sipas fjalëve të ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Colin Powell: “Diplomaci do të thotë të dëgjosh për çfarë ka nevojë tjetri. Ta ruash pozicionin tënd, por ta dëgjosh tjetrin. Ne duhet të zhvillojmë marrëdhënie me popujt e tjerë në mënyrë që kur të vijnë kohë të vështira, të kemi mundësinë të punojmë së bashku.”
“Letrat Amarna”, pesëdhjetë prej të cilave dokumentojnë veprimtarinë diplomatike midis Dinastisë së Tetëmbëdhjetë të Egjiptit me fuqitë e tjera të Lindjes së Mesme në shekullin e 14 p.e.s., janë dëshmi të nevojës që kishin popujt qysh në ato kohëra për të biseduar. Ato gjithashtu japin të dhëna që tregojnë se traktati i parë i paqes është firmosur 2300 vjet p.e.s. midis njërit prej mbretërve të Eblës (vendndodhja e Sirisë së sotme) dhe mbretit të Asirisë. Nëse historia e shkruar na jep fakte të tilla që flasin për komunikimin diplomatik në fazën “foshnjarake” të historisë njerëzore, kjo na jep të drejtën të hamendësojmë se ky komunikim mund dhe duhet të ketë ekzistuar shumë kohë më parë se njerëzit të fillonin të dokumentonin me shkrim veprimtarinë e tyre.
Prej atyre kohërave dhe në vazhdim diplomacia është zhvilluar dhe transformuar në mënyrë të pandërprerë. Historia e saj ka kaluar nëpër katër faza të rëndësishme. 1. Diplomacia ad hoc që merr fill në qytetërimin e popujve të Mesopotamisë, Egjiptit të Lashtë dhe Babilonisë dhe zhvillohet e transformohet më tej me kontributin e qytet-shteteve greke, të Indisë, Kinës, Romës së Lashtë deri në kohën e Perandorisë Bizantine kur filluan të shfaqeshin institucionet e para të diplomacisë. Kjo periudhë dha shkëndijat edhe për diplomacinë publike, për diplomacinë e krerëve të shteteve, të diplomacisë multilaterale, të diplomacisë së konferencave apo për frymën e realpolitikës në diplomaci. Por këto ishin vetëm embrione që do të zhvilloheshin dhe ktheheshin në forma të diplomacisë në kohët më moderne. 2. Diplomacia e vjetër që fillon në kohën e Perandorisë Bizantine, zhvillohet më tej në kohën e Mesjetës, të Rilindjes Italiane, të të ashtuquajturit sistem francez dhe deri në dekadën e dytë të shekullit të 20. Kjo ishte periudha kur u kalua nga diplomacia ad hoc në diplomacinë e instaluar, kur u ngritën dhe u konsoliduan institucionet e diplomacisë dhe kur diplomacia europiane filloi të shtrihej në hapësirat jashtë saj. Edhe gjatë kësaj periudhe krahas diplomacisë bilaterale u zhvillua diplomaci multilaterale, diplomaci summit-esh, diplomaci konferencash etj. Por kjo periudhë spikat kryesisht për zhvillimin e të ashtuquajturit “sistem i kongreseve” ku trajtoheshin çështje të rëndësishme ndërkombëtare. 3. Periudha e diplomacisë së re që fillon mbas Luftës së Parë Botërore dhe vazhdon deri në dekadën e parafundit të shekullit të 20. Gjatë kësaj periudhe spikati diplomacia multilaterale dhe diplomacia u bë më e hapur ndaj publikut. Ngjarjet e mëdha, si Revolucioni Socialist i Tetorit në Rusi, vitet e Depresionit, Lufta e Dytë Botërore, ndarja e botës në dy kampe, Lufta e Ftohtë, shembja e Murit të Berlinit etj., patën impaktin e tyre edhe në diplomaci, duke i dhënë asaj frymë ideologjike dhe duke e zbehur rolin e saj në zgjidhjen e problemeve që kishin ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe lindën dhe u shtuan shumë në numër organizatat ndërkombëtare dhe rajonale qeveritare dhe jo qeveritare, të cilat u shndërruan në aktorë të fuqishëm në skenën diplomatike botërore dhe rajonale. 4. Diplomacia kontemporane, ose diplomacia moderne, fillon në dy dekadat e fundit të shekullit të 20 dhe vazhdon në shekullin e 21. Diplomacia në këtë periudhë operon në një mjedis të ri, ku sundues është globalizmi, i cili ka zbehur rolin klasik të shteteve, për rrjedhojë edhe të diplomacisë qeveritare. Mjedisi i sotëm diplomatik karakterizohet nga një kakofoni zërash dhe aktorësh. Rritja e vetëdijes globale për çështjet ndërkombëtare, zbehja e rolit të shteteve, progresi i paparë në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit dhe, rritja e aktorëve joshtetërorë pjesëmarrës në veprimtarinë diplomatike kanë sjellë ndryshime në përmbajtjen dhe format e punës së diplomacisë, në axhendën diplomatike, si dhe në funksionet e diplomatëve. Kjo periudhë po vërteton se sa kohë shtetet do të mbeten aktorët kryesorë në menaxhimin e marrëdhënieve ndërkombëtare edhe diplomacia qeveritare do të jetë me rëndësi, por roli i saj po ndryshon dhe do të ndryshojë duke i dhënë diplomacisë fytyrën e diplomacisë integruese dhe duke rritur cilësinë e shërbimit diplomatik.
Ky punim përpiqet të dalë jashtë kontureve të librave përshkrues historik. Ai është një përpjekje për të gërshetuar faktet dhe të dhënat historike me tiparet që fitonte diplomacia në secilën etapë të zhvillimit të saj, me qëllim që kushdo që e lexon apo i referohet të bëjë lidhje organike midis faktit historik me impaktin e tij në fytyrën e diplomacisë. Është logjike që historia e diplomacisë është shumë më e gjerë. Ky libër qysh në titull e bën të qartë se është një variant i shkurtuar i historisë së diplomacisë. Duke e lexuar, në vartësi të interesit, gjithsecili mund të marrë pozicion kritik dhe është i mirëpritur, mund të kërkojë të thellohet më tej në aspekte dhe etapa të caktuara, do të ishte kontribut i lavdërueshëm, mund t’i referohet si burim kryesor apo ndihmës dhe është i lirë ta bëjë brenda ligjeve dhe rregullave akademike. /Gazeta Liberale