Të paktën tre emigrantë kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes së një gomoneje me emigrantë në Kanalin anglez pranë Kentit, e cila si pasojë është mbytur. Lajmi bëhet me dije nga mediat britanike.
Sipas express.co.uk, në gomone udhëtonin 47 persona dhe 43 prej të cilëve kanë shpëtuar shëndoshë e mirë dhe janë nisur me urgjencë në spital.
Dy helikopterë kërkim-shpëtimi, varka shpëtimi RNLI, rojet e forcave kufitare dhe anije të tjera të marinës së Mbretërisë së Bashkuar dhe franceze nxituan në vendngjarje. Ndërkohë që spitalet në Kent u lajmëruan që të përgatiteshin për më shumë viktima.
Raportohet se, kërkimet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, por ekipet e shpëtimit nuk po kërkojnë më për të mbijetuar. Sipas medias britanike, burime nga misioni i shpëtimit thanë se viktimat janë nxjerrë nga uji dhe po transportohen. /Liberale.al