Pas Policisë së Shtetit, edhe burgjet kërkojnë vendosjen e kamerave të trupit për gardianët.
Burime pranë Drejtorisë së Burgjeve thanë për A2, se kjo do të shërbejë për shmangien e korrupsionit si dhe ato të shpërdorimit të detyrës nga ana e punonjësve të burgjeve. Kamerat shihen si të domosdoshme për të faktuar edhe rastet kur të burgosurit kërcënojnë e shantazhojnë stafin e burgut.
Mësohet se në fushën e rritjes së sigurisë në ambientet e vuajtjes së dënimit do të investohen rreth 78 milionë lekë, ku veç kamerave të trupit për forcat operacionale, do të blihen dhe pajisje speciale kontrolli.
Në buxhetin e vitit 2021, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka parashikuar dhe blerjen e automjeteve, më konkretisht ambulanca specifike për të burgosurit.