Lulzim Basha ishte sot në Fier për të biseduar me qytetarë të zakonshëm rreth turit të tij, në Shqipëri.
Të lodhur nga politika e tranzicionit, të rinj, gra, burra, fëmijë dhe të moshuar dukej qartazi që shihnin ndryshimin te kryetari i PD-së, Lulzim Basha, teksa ndaleshin në rrugë duke i shprehur mbështetje maksimale.
Siç e provojnë edhe pamjet, kishte entuziazëm mes qytetarëve gjatë bashkëbisedimit me kreun e Partisë Demokratike.
“Çdo ditë pranë qytetarëve, në çdo qytet dhe fshat, për t’i dëgjuar ata nga afër problemet dhe sugjerimet e tyre, duke i’u ofruar alternativën tonë. Një politikë në shërbim të njerëzve”, tha Basha mes të tjerave krahas imazheve që publikoi gjatë takimeve në Fier.
“Në qytetin e Fierit u takova dhe bisedova me qytetarë dhe sipermarrës. Përkeqësimi i situatës ekonomike ka rritur emigracionin në Fier ashtu si në të gjithë vendin.”
“Shqetësimet e qytetarëve lidhen me çmimet e larta të ushqimeve, tarifave, naftës, gazit, energjisë. 1 në 3 familje nuk kanë mundësi të përdorin naftën, gazin apo energjinë elektrike për transport, ndriçim apo ngrohje gjatë dimrit duke e bërë edhe më të veshtirë situatën për mijëra familje.”
“Shqipëria më e varfëra në rajon, renditet ndër vendet më të korruptuara të botës. Vetëm afera e inceneratorëve, viktimë e së cilës është dhe Fieri, iu kushton shqiptarëve 430 milionë euro. Para të cilat vidhen, ndërkohë që qytetet tona mbulohen nga smogu, mbushen me plehra, sepse e gjitha është veçse një skemë mashtrimi, vjedhje dhe shfrytëzimi.”
“Prandaj lufta kundër korrupsionit është për Partia Demokratike e Shqipërisë prioriteti kryesore. Ne mbështesim dhe inkurajojmë SPAK-un ti shkojë deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar që po varfërojnë dhe zbrazin Shqipërinë” u shpreh Basha.