Aktualitet

Fakulteti i Shkencave Juridike UET, me program të integruar 5 vjeçar

Shkruar nga Liberale

Luiza Pinderi

Për vitin akademik 2020-2021, Universiteti Europian i Tiranës nis zbatimin e kurrikulave të reja në Fakultetin e Shkencave Juridike. Drejtësia del nga sistemi i Bolonjës dhe tashmë studimet në këtë degë nuk janë më të ndara në dy ciklet, bachelor dhe master, por vijnë në një sistem të integruar 5 vjeçar.

Programi i integruar i ciklit të dytë realizohet me 300 kredite dhe me kohëzgjatje normale pesë vite akademike, i ndarë në dhjetë semestra. Programi do të ofrohet nga Departamenti i Shkencave Juridike, njësi bazë e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Nevoja e riorganizimit të programit bazohet në Ligjin Nr. 80/2015, '"Për arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë", neni 82, pika 1 të tij, ku parashikohet, se "Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në fushën e drejtësisë realizohen me 300 kredite, për një kohëzgjatje prej jo më pak se 5 vite akademike”. Lëvizje të tilla vijnë edhe në kuadër të ndryshimeve në sistemin e drejtësisë në vendin tonë dhe në zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Shqipëria u bë anëtare e kartës së Bolonjës në vitin 2003, së bashku me shumë shtete të tjera të Europës. Me ndryshimin e ligjit, 4 vjet më vonë, universitetet shqiptare nisën të zbatonin programet e ndara në tre cikle studimi, “Bachelor”, “Master” dhe “Doktoraturë”. Dy degët e para që kanë pasur nevojën e riorganizimit dhe shkëputjes prej saj, janë Mjekësia dhe Drejtësia.

Ndërkohë, zbatimi i kurrikulave të reja në Drejtësi ka nisur një vit më parë në universitetet publike, ndërsa këtë vit hyn për herë të parë edhe në universitetet private.

Dekani i UET, Shefqet Muçi: Cikli 5-vjeçar, për një formim të plotë dhe të thelluar të studentëve

Shefqet Muçi, dekani i Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës flet më tepër mbi rëndësinë e adoptimit të një sistemi të tillë dhe pse është i rëndësishëm sidomos për drejtësinë.

Sipas tij, vetë kjo fushë kërkon kohë dhe metoda të reja, në mënyrë që studenti, profesionisti dhe vendimmarrësi i nesërm, të marrë një formim sa më të plotë.

 “Mund të themi që janë disa specialitete, disa fusha të caktuara të jetës që ndryshojnë nga të tjerat, nuk janë njësoj. Për përvetësimin e këtyre fushave kërkohet kohë më shumë dhe mënyra specifike për t’i realizuar. Kjo ndodh në Shëndetësi, kjo ndodh edhe në Drejtësi”, shprehet Muçi.

Dekani ndalet edhe në rëndësinë e Fakultetit të Juridikut, duke e veçuar nga degët e tjera, jo se janë më pak të vlefshme, pasi sigurisht gjithësecili zë vendin e vet dhe ekzistenca e tyre është përligjur nga kërkesat e shoqërisë.

Sipas tij, Drejtësia, nuk ka të bëjë specifikisht me një punë të caktuar apo profesion ekzakt, por i ndihmon të gjithë sektorët e jetës dhe në një formë apo në një tjetër, iu vjen në ndihmë gjithë profesionistëve të formimeve të tjera. Në këtë aspekt, ky fakultet është tepër i rëndësishëm për të pasur dhe mbarëvajtur një shoqëri të drejtë, të shëndetshme dhe të zhvilluar.

Muçi kujton një episod me ish-profesorin e tij të Drejtësisë, Skënder Luarasi, i cili e çmonte tepër dhe i jepte një vend të ri Drejtësisë.

“Shkrimtari dhe profesori i nderuar, Skënder Luarasi, duke na pyetur se të cilit fakultet jemi dhe pasi i thamë që ishim në fakultetin e Drejtësisë, u shpreh: “Këtë fakultet do ta ndiqja të fundit, mbas atij të mjekësisë”. Fillimisht disa prej nesh nuk e kuptuan siç duhet shprehejen ‘të fundit’, duke menduar se la në pozitë të pavlefshme. Por që ai e kishte fjalën se është super fakultet dhe sipas tij, ishte më i rëndësishmi, në kuptimin që iu jepte zgjidhje problemeve shoqërore, marrëdhënieve shtetërore. Të gjitha kanë rëndësinë e vet, por Juridiku të jep mundësinë që t’i të mos gabosh në jetë. Është një fakultet që ju shërben që të gjithëve, pra nuk është vetëm për një punë të caktuar. Pra që të jesh edhe deputet, nëse nuk ke mbaruar këtë fakultet, nuk bën dot ligje, ashtu sikur po i bëjnë këta shkel e shko këto ligjet tona. Po të jesh jurist i mirfilltë, dhe t’i kesh njohuritë e plota, nuk lejon që vendi të jetë pa gjykatë, gjë që bën që shteti të mos funksionojë në mënyrë të sinkronizuar me gjithë organizmat e tij. Pra fakulteti i Juridikut, është fakulteti që i ndihmon të gjithë sektorët e tjerë të jetës”, tregon profesori.

Dekani Shefqet Muçi thotë më tej se një cikël 5-vjeçar, iu jep mundësi studentëve për të pasur një formim sa më të plotë dhe të thelluar. Sipas tij, një gjë e tillë nuk ndodhte me ndarjen 3+2, pasi në ciklin Master kishte përsëritje të panevojshme apo mos zhvillim të lëndëve në shkallën e duhur. Tashmë me këtë cikël, lëndët e mirëfillta do të zhvillohen të plota prej fillimit, pa qenë nevoja të rimerren sërish dhe po ashtu nuk do mbetën jashtë vëmendjes lëndë vërtet të rëndësishme për formimin e një juristi.

“Ndarja 3+2 sikur nuk e plotësonte diçka të tillë, pasi Bachelori bënte në sasi lëndësh jo në mënyrë të plotë. Masteri ose nuk i bënte lëndë, ose përsëriste ato që ishin bërë. Pra ishte një përsëritje e panevojshme, që nuk bëheshin në shkallën e duhur. Ose do të liheshin një pjesë e atyre lëndëve që ishin të rëndësishme, duke thënë që janë bërë, ndërkohë që lëndë të tilla të mirëfillta si e “E drejta penale”, “E drejta civile”, duhet të bëhen në mënyrë të thelluar. Me këtë dy vjeçarin mbeteshin pa bërë lëndë të rëndësishme si Krimininalistika, Mjekësia ligjore etj.

Ndërsa tani, duke qenë 5-vjeçar, ato shikohen të lidhura me njëra-tjetrën dhe ndiqet plano që të bëhen të gjitha ato lëndë që janë të nevojshme dhe të domosdoshme për një jurist. Pra nuk lihen jashtë lëndë që janë të rëndësishme dhe  nuk përsëriten lëndët. Lënda bëhet e potë qysh në fillim, bëhen sipas ndarjes që kanë ato dhe studenti merr njohuri të plota dhe jo të pjesshme. Sistemi 5 vjeçar ka të gjitha mundësitë që t’ju japë studentëve njohuritë e nevojshme për të qenë të gatshëm që të venë pastaj në Shkollën e Magjistraturës”, shprehet Muçi.

Profesori thotë më tej se studenti, pavarësisht përpjekjeve dhe përvetësimit sa më mirë të lëndëve, nuk mund të marrë gjithçka në universitet. Por e rëndësishme është që ai të marrë parimet e drejtësisë, në mënyrë që të bëjë gjithmonë zgjidhjen e duhur dhe të mos bëjë padrejtësi.

“Universiteti nuk t’i mëson të gjitha gjërat, në universitet mësohen parimet. Nëse ne jemi në gjendje t’ju mësojmë studentëve sidomos në Drejtësi që të mësojnë parimet dhe jo përmendësh, atëherë nuk gabojnë në jetë, sepse parimi nuk të lë që të gabosh, që të dalësh nga kornizat”, shprehet profesori.

Shefe e Departamentit të Juridikut, Jonida Gjika: Cikli i integruar përgatit specialistët e fushës së drejtësisë

Shefja e Departamentit të Shkencave Juridike, Jonida Gjika tregon gjerësisht për këtë process të ri që nis këtë vit akademik në Universitetin Europian të Tiranës. Ajo shprehet, se programi i integruar i studimeve të ciklit të dytë Masteri i Shkencave në Drejtësi është pjesë e projektit strategjik të UET-së që zhvillohet në sfondin e veprimtarise kombëtare në arsim, me qëllim zgjerimin e demokratizimit dhe reformës institucionale, me vështrim ndaj modernizimit dhe pjesëmarrjes së plotë në Evropë.

“ Ky projekt pohon përparesitë e forcimit të profesionalizmit, zhvillimin dhe mobilizimin e njohurive, si dhe rëndesine e angazhimit në situatën e re të drejtësisë shqiptare”, shprehet pedagogia.

Gjika tregon specifikisht misionin që synon të arrihet nëpërmjet riorganizimit të programit të integruar të studimeve të ciklit të dytë Master, duke renditur përfitimet e studentit dhe specilizimet e tij në fusha specifike, në mënyrë që të dalë sa më i kompletuar në tregun e punës. Sipas saj, këta specialistë në fushën e drejtësisë, do të jenë në gjendje që të nesërmen të angazhohen në pozicione në administratë vendore dhe qendrore, institucione të ndryshme shtetërore e private dhe të kontribuojnë në avancimin e drejtësisë dhe mirëqenies shoqërore.

“Programi që propozohet të ofrohet ka për mision të përgatisë specialistë të ardhshëm ne fushën e drejtësisë, të kualifikuar në sferën civile, penale, administrative, tregtare, familjare, në aspektetin kombëtar dhe ndërkombëtar, me aftësitë interpretuese të nevojshme për zgjidhjen e problemeve, në zbatimin e së drejtës, të cilët mund t'i shërbejnë institucioneve publike dhe të biznesit brenda dhe jashtë vendit.

Programi ka për qëllim pajisjen e studentëve me njohuri të plota mbi të drejtën; njohjen e konsoliduar prej tyre të themeleve të kulturës juridike vendase dhe evropiane, si në planin historik, ashtu edhe në atë doktrinal dhe praktik; mundësimin e studimit të të drejtës publike dhe private, duke zhvilluar aftësitë interpretuese të nevojshme për zgjidhjen e problemeve në zbatimin e së drejtës; njohjen e sistemit juridik në degëzimet e ndryshme (civil, administrativ), përfshirë procedurat e tyre, evoluimit të të drejtës në periudhat e ndryshme historike, krahasimin me sisteme juridike të vendeve të tjera”, tregon Gjika.

Shefja e departamentit të Juridikut në UET, thekson se riorganizimet e fundit do të kenë ndikim edhe në mënyrën e funksionimit dhe rolin e këtij departamenti, si dhe në qasjen e re që ai do ketë për të qenë sa më afër zhvillimeve në vend dhe Evropë dhe për t’i mbajtur të abdejtuar studentët me problematika që kërkojnë zgjidhje.

“Departamenti do të jetë një njësi në ndjekje aktive të problemeve ligjore, sociale, ekonomike dhe politike, të brendshme dhe ndërkombëtare që janë me interes të veçantë për shoqërinë.

Programi synon transformimin e departamentit të drejtësisë në qendër të kërkimit shkencor në fushën e së drejtës, në përputhje me nevojat strategjike të procesit të integrimit dhe ato të zhvillimit të doktrinës dhe jurisprudencës shqiptare.

Ai ka për qëllim përsosjen e kurrikulave në fushën e drejtësise jo vetëm me lëndë të natyrës teorike, por edhe praktike dhe klinike, si edhe me lëndë në fushën e së drejtës evropiane”, thotë pedagogia.

Jonida Gjika thotë se programi Masteri i Shkencave në Drejtësi i pajis të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe aftësim për kërkimin shkencor në fushën e drejtësisë. Ajo përqendrohet tek objektivat e këtij cikli, teksa vihet theksi tek dhënia vlerë e aspektit të praktikës në fushën e drejtësisë, realizuar kjo nëpërmjet praktikave profesionale, por edhe bashkëpunimeve institucionale.

Në fund të këtij cikli, studenti i diplomuar ka një qasje më të plotë ndaj fushës së studimit dhe tregut të punës, për ta gjetur veten sa më lehtë, më shpejtë dhe sa më të përshtatur.

5 vite studim, çfarë vjen më pas për juristët

Arsimi dhe edukimi është një fazë e rëndësishme në jetën e njeriut, i cili përpiqet të kalojë këto hallka me sukses, jo vetëm për të marrë formim dhe dije për egon e vet, por edhe për të qenë i aftë të përballojë sfidat e tregut të punës. Pyetja që shtrohet natyrshëm për çdo studentë të diplomuar, është çfarë do të ndodhë më pas? E me që jemi te Drejtësia, çfarë ndodh me këta studentë që tashmë dalin nga cikli 5-vjeçar?

Shefja e Departamentit të Shkencave Juridike në UET, Jonida Gjika shprehet se ky universitet ka orientimin e duhur për studentin, për shkak të filozofisë së funksionimit të tij. Pra, pas këtij cikli, studenti nuk gjendet i braktisur nga vetja, pasi është i integruar shumë mirë në zhvillimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare.

Universiteti Europian i Tiranës dallohet përsa i përket synimit për të kombinuar parimet e shkollës liberale klasike me idealet e tij për opinion të pavarur kritik dhe mendimin e lirë, me cilësite themelore të mendjes dhe shpirtin e profesionistit dhe sipërmarresit, që mund të shfrytëzohen për të nxitur përparime personale dhe profesionale, si dhe duke parë e duke iu afruar botës në një mënyrë që është vërtet ndihmuse për të gjithë. Diplomat e UET kombinojne sfidën akademike me trajnimin dhe aftësitë që do t'i pajisin studentët për punësim në të ardhmen, si dhe t'i lejojnë ata të jenë përfaqësues të spikatur për Shqipërinë në shoqërinë evropiane e më gjerë”, shprehet Gjika.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET, Shefqet Muçi thotë, se procesi i të mësuarit nuk përfundon pas diplomimit. Gjithë jeta e njeriut është proces mësimi dhe thellimi në fusha të ndryshme dhe aty bëhet dueli i vërtetë mes parimeve të marra nga shkolla dhe praktikës që kërkon të marrë zgjidhje.

Muçi shpjegon se studentët pas ciklit 5 vjeçar, mund të vazhdojnë me shkollën e Magjistraturës për t’u bërë avokat ose prokurorë.

“Mbasi ke mbaruar sistemin e integruar 5 vjeçar, duhet të kalosh shkollën e Magjistraturs që të bëhesh gjyqtar ose prokuror. Po ashtu, edhe që të bëhesh avokat, duhet të kalosh shkollën 1 vjeçare të avoktatit. Shkolla këtu të jep bazat, të kompelton që ti të jesh në gjendje të vazhdosh më tej. Mësimi vazhdon edhe në jetë. Nëse këta studentë dalin të rregullt që këtej marrin edhe formimet e mëtejshme, do të jenë të aftë t’i kryejnë detyrat shumë mirë dhe të bëhen juristë shumë të mirë”, thotë Muçi.

Vazhdimi i karrierës së një juristi përcaktohet edhe në Ligjin Nr. 80/2015, '"Për arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë", neni 82, pika 2, ku thuhet se: “Personat që kanë kryer studimet e integruara në drejtësi, ose në një program të ciklit të dytë të studimeve, të barasvlershëm me to, mund të konkurrojnë për t’u përgatitur si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, avokatë të shtetit, përmbarues privatë ose shtetërorë, si dhe juristë në administratën shtetërore, qendrore dhe vendore, pasi të kenë kryer provimin e shtetit në drejtësi”.

Ndërkohë që në vendin tonë drejtësia është ende në rehabilitim dhe mbetet ende nga ato fusha që vuan nga mosbesimi i publikut, profesor Muçi jep një mesazh mjaft optimist dhe suportues për të rinjtë që janë ende në nisje të rrugëtimit të tyre të gjatë.

“Ne duhet të kemi besim tek brezi i ri. Ashtu siç kemi pasur menduar vetë se do ta çojmë shoqërinë përpara, edhe brezi i ri do të vazhdojë në këtë drejtim. Në mesin e tyre do të ketë gjyqtarë e prokurorë të mrekullueshëm, njerëz të përkushtuar dhe këtë nuk e vë në dyshim. Probleme ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, si në çdo fushë tjetër”, përfundon profesori./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH