Aktualitet

Problemet me pronat në Vlorë, Meta pret Avokatin e Popullit

Shkruar nga Liberale
Problemet me pronat në Vlorë, Meta pret Avokatin e Popullit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një takim me Avokatin e Popullit, Erinda Ballanca në lidhje me problemet e pronave të banorëve të Radhimës, Orikumit, Tragjasit dhe Dukatit

Presidenti Meta i bëri me dije Avokates së Popullit peticionin dhe shqetësimet e drejta të ngritura nga banorët e këtyre zonave për shkeljen e të drejtave të tyre themelore në procesin e hartimit të projektit infrakstrukturor “Rehabilitimi dhe ndërtimi i objekteve në afërsi të rrugës bregdetare Vlorë-Orikum”.

Kreu i Shtetit u njoh nga znj.Ballanca se edhe pranë Avokatit të Popullit janë parashtruar deri më tani mbi 60 ankesa nga banorët lidhur me këtë projekt dhe se ky institucion, ka filluar një hetim administrativ.

“Shumë shpejt do të bëhet vlerësimi final dhe hartimi i një Raporti Përfundimtar në lidhje me këto problematika, që janë në shqyrtim prej Avokatit të Popullit dhe që banorët i kanë ngritur së fundmi edhe tek Presidenti i Republikës”, sqaroi Ballanca.

Presidenti Meta e nxiti Avokatin e Popullit të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme, në mënyrë objektive dhe të pavarur, vlerësimin e ankesave të komunitetit lidhur me mosrespektimin e pretenduar të të drejtave dhe lirive themelore.

“Qytetarëve u nevojitet transparencë, pasi çdo projekt infrastrukturor i një rëndësie kaq të madhe duhet të jetë i mirëmenduar, i konsultuar sipas kërkesave të ligjit dhe duhet të respektojë të drejtat themelore kushtetuese të banorëve dhe pronarëve”, tha Meta.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH