Një 27-vjeçar ka tentuar t'i japë fund jetës duke u vetë varur me batanije në qelinë e tij. Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme në qelinë e paraburgimit në Komisariatin e policisë së Korçës.
Mësohet se shtetasi i identifikuar si Antuanel Mila ishte ndaluar nga policia një ditë më parë në Pogradec, pasi po transportonte 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve u kishte marrë një shpërblim prej 1100 euro secilit dhe u kishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.
Sipas njoftimit për arrestimin e tij, shtetasi A. M., u ndalua në dalje të qytetit të Pogradecit, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, me të cilin kishin dyshime se po transportonte emigrantë të paligjshëm.
"Pas shenjës për ndalim nga punonjësit e Policisë, shtetasi A. M. nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit dhe bënë të mundur ndalimin e tij në fshatin Piskupat, Pogradec, në momentin kur drejtuesi tentoi të braktiste mjetin. Nga kontrolli i ushtruar në automjet u gjetën shtetasi E. N., i cili dyshohet të jetë bashkëpunëtori i shtetasit A. M., në transportimin e 4 emigrantëve të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 1100 euro secilit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së", thuhet më tej në njoftimin e policisë.