Aktualitet

Dy javë pandemi, 17 mijë të papunë

Shkruar nga Liberale
Dy javë pandemi, 17 mijë të papunë

Ekonomia shqiptare u tkurr me 2.5% në tremujorin e parë të këtij viti si pasojë e Covid-19, ndërsa Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko lajmëroi se kriza është thelluar me tej në 3-mujorin e dytë

Pandemia Covid-19 ka krijuar një panoramë të zymtë në ekonomi ku vetëm për dy javët e izolimit të muajit mars kanë humbur punën 17 mijë persona sipas të dhënave që prezantoi dje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke lajmëruar se kriza është thelluar me tej në 3-mujorin e dytë .

Reduktimi i kërkesës së brendshme e të huaj dhe kufizimi i aktiviteteve prodhuese e shërbyese në vend, kanë sjellë rënie të prodhimit, rritje të papunësisë, dhe vështirësi financiare për bizneset dhe familjet shqiptare. Megjithatë, sektori bankar i vendit mbetet i shëndetshëm dhe tregjet financiare shfaqen relativisht të qeta.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se hapja progresive e ekonomisë, lehtësimi i masave të distancimit social si dhe ambienti i qëndrueshëm monetar e financiar i vendit, krijojnë premisa për rikuperimin gradual të aktivitetit ekonomik në tremujorët në vazhdim. Megjithatë, balanca e rreziqeve vijon të mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se miksi aktual i politikave fiskale, monetare dhe financiare, ofron stimulin e nevojshëm për mbështetjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv.

Goditja e shumëfishtë

Pandemia Covid-19 ka ushtruar goditje të gjithanshme mbi ekonominë shqiptare. Pasojat e saj kanë filluar të pasqyrohen tashmë dhe në informacionin e disponueshëm statistikor, tha Sejko

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u tkurr me 2.5% në tremujorin e parë të këtij viti, duke pasqyruar rënien e eksportit dhe të investimeve. Po kështu, të dhënat e tregut të punës tregojnë se ekonomia shqiptare humbi rreth 17 000 mijë vende pune në këtë periudhë, ndërsa norma e papunësisë u rrit në 11.4%.

Guvernatori analizoi se, të dhënat indirekte të tremujorit të dytë sugjerojnë se goditja është forcuar më tej. Eksportet e mallrave u tkurrën me 33% gjatë dy muajve të parë këtij tremujori, në përgjigje të rënies së kërkesës së huaj dhe të pengesave në qarkullim. Po ashtu, importet u reduktuan me rreth 30%, duke sinjalizuar ngadalësimin e shpejtë të konsumit dhe të investimeve në vend, ndërsa të ardhurat buxhetore u tkurrën me rreth 30% në dy muajt e parë të tremujorit, duke pasqyruar rënien e përgjithshme të aktivitetit ekonomik.

Përkundrejt kësaj tabloje, inflacioni shënoi një rritje të lehtë në muajt prill dhe maj. Norma mesatare e tij kërceu në nivelin 2%, kryesisht si pasojë e goditjeve të përkohshme të ofertës në këtë periudhë.

Rritja ekonomike rikthehet me 2021

Banka e Shqipërisë vlerëson se ecuria e ardhshme e ekonomisë do të varet nga kohëzgjatja e pasojave të pandemisë dhe reagimi i agjentëve të brendshëm e të huaj ekonomikë ndaj tyre.

Skenari bazë i zhvillimeve të pritura është ndërtuar mbi supozimin e shmangies së një vale të dytë të pandemisë dhe reduktimin gradual deri në zhdukje të plotë të pasojave të saj. Në këtë skenar, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie të ndjeshme për vitin 2020 dhe norma relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje në vijim. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ në dy tremujorët në vijim, dhe ti kthehet rritjes në vitin 2021.

Në përputhje me këtë skenar, inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale në gjysmën e dytë të vitit. Më tej, ky tregues pritet të shënojë një rritje graduale gjatë vitit të ardhshëm dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij.

Kjo ecuri ekonomike do të mbështetet nga një miks akomodues i politikave ekonomike.

Paketat fiskale të ndërmarra deri tani kanë ndihmuar në zbutjen e pasojave të krizës. Banka e Shqipërisë pret një rishikim të Buxhetit për pjesën e dytë të vitit, rishikim i cili pritet të rezultojë në një deficit më të lartë fiskal. “Sikundër e kemi thënë, politika fiskale duhet të ketë një rol primar në adresimin e sfidës që po përballemi. Rritja e kujdesshme dhe e përkohshme e borxhit publik është një kompromis i pranueshëm për të zbutur efektin e goditjes në ekonomi dhe për të mbështetur stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.-tha Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se sektori bankar është duke ushtruar funksionin e tij të amortizuesit të goditjeve në ekonomi. Ky sektor ka vijuar të kreditojë sektorin privat të ekonomisë, e në veçanti atë të bizneseve. Kredia për sektorin privat vijoi të shënojë rritje në muajt prill e maj, rritje e cila ka qenë e pranishme kryesisht në sektorin e bizneseve, duke i mbështetur këta të fundit me likuiditetin e nevojshëm për përballimin e krizës. Po ashtu, sektori bankar ka marrë mbi vete një pjesë të kostos financiare të goditjes, duke lehtësuar më tej barrën për sektorin publik dhe privat.

Duke inkurajuar vazhdimin e këtij roli, Këshilli Mbikëqyrës vëren sektori bankar nuk mund dhe nuk duhet të përballojë i vetëm barrën financiare të goditjes. Në këtë kontekst, një rol primar ka dhe duhet të luajë sektori publik, nëpërmjet rritjes së stimulit fiskal, si dhe sektori privat, nëpërmjet rritjes së kujdesit financiar dhe eficiencës operacionale.

Covid-19, ekonomia drejt rënies më të madhe që nga 1997-a

Tremujori i parë i vitit i 2020 ka sinjalizuar rënien më të fortë ekonomike që vendi ka përjetuar të paktën në dy dekadat e fundit.

Goditja e dyfishtë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe izolimi i ekonomisë për shkak të Covid në gjysmën e muajit mars sollën një rezultat negativ në -2.52% në janar-mars 2020. Ky tremujor përfaqëson rënien më të madhe që kur ka nisur të matet PBB tremujore në 2010.

Në baza vjetore, ekonomia e vendit pritet të pësojë rënien më të madhe që nga viti 1997. Sipas parashikimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe Ministrisë së Financave, ekonomia e vendit pritet të pësojë rënie me -5% këtë vit, ndërsa më pesimisti është BERZH me një vlerësim prej -9%.

Në tre dekadat e tranzicionit, rënia në nivele negative është regjistruar në vitin 1991 me -29% dhe ne vitin 1997 me -10.9%.

Parashikimet mbi rënien ekonomike të këtij viti variojnë nga -5 deri në -9% sipas BERZH, por zgjatja e pandemisë edhe pas qershorit dhe mungesa e parashikimeve të sakta për rikthimin e saj në vjeshtë, e bën po kaq të pasigurt edhe ecurinë e ekonomisë.

Kurba e pandemisë dhe ajo e rikuperimit të ekonomisë po ndjekin njëra-tjetrën, duke sinjalizuar se pandemia do të mbajë peng ekonominë e vendit deri në ikje.

Në dekadën e parë të tranzicionit, ekonomia shënoi një rënie me 30% në vitin 1991 si pasojë e ndryshimit rrënjësor nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut. Mijëra ndërmarrje shtetërore dhe bujqësore në të gjithë vendin u mbyllën teksa, sipërmarrja kaloi në menaxhim të privatëve. Deri në vitin 1997, ekonomia shënoi rritje derisa u godit nga kriza e rëndë financiare që u shkaktua nga firmat piramidale, duke shkaktuar një rënie brenda vitit me -10.9%. Duke qenë se rënia ishte shumë e fortë në vitin 1997, dy vitet që pasuan reflektuan një rritje 8.8% më 1988 dhe 12.9% në vitin 1999 të ndihmuara nga flukset e larta të ndihmave që mori vendi për shkak të krizës së refugjatëve të luftës nga Kosova.

Në dekadën pas vitit 2000, ekonomia e vendit kaloi në një cikël rritës që u nxit nga Investimet e Huaja Direkte dhe një zhvillim i hovshëm i sistemin bankar. Nga viti 2000 deri më 2008 ekonomia e vendit u rrit mesatarisht me 6%, por në periudha të caktuara, u ndikua nga kriza e rëndë energjetike që pësoi vendi nga mungesa e reshjeve dhe nga krizat e herëpashershme politike.

Me krizën financiare globale të vitit 2008, ekonomia hyri në një cikël të ri, ku përveç krizës disa burime vendase që kishin ushqyer rritjen u maturuan.

Ritmet e rritjes u përgjysmuan nga 2009-2013, me një mesatare rreth 3%. Rrotacioni politik në vitin 2013 e dobësoi më tej ciklin e rritjes, me një rezultat vetëm 1%, që është edhe më i ulëti pas krizës financiare deri në vitin 2019.

Nga viti 2013 në vitin 2018, ekonomia shënoi një rritje graduale me ritme mesatare 3%, e nxitur kryesisht nga rritja e eksporteve dhe Investimet e Huaja Direkte në dy projektet e mëdha në gazsjellësin TAP dhe në HEC-et e lumit Devoll.

Më përfundimin e këtyre projekteve dhe goditjen që dha tërmeti i 26 nëntorit, ritmet e rritjes u dobësuan duke shënuar rritje me vetëm 2,2% në vitin 2019, teksa 2020 pritet të jetë një njollë të zezë në ciklin e tranzicionit.

Basha: Turizmi në koma, mbyllja e kufijve çon në falimentim operatorët turistikë 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar dje një takim me operatorë turistik në Tiranë. Ata ankohen se, në një kohë kur nuk kanë xhiro dhe për ta nuk ka nisur ende sezoni turistik, u duhet të paguajnë taksat dhe kreditë. Ata shprehen se janë të paqartë se si do të veprohet në vazhdim, pasi nëse situata do të vazhdojë në këtë mënyrë dhe kufiri nuk do të hapet, atëherë ky sektor do të falimentojë plotësisht. Për këtë ata thonë se do të jetë e nevojshme një paketë e tretë ndihme, jo për mbijetesën e punonjësve, por të mbijetesën e bizneseve.

“Qeveria të na thotë çfarë do bëjmë dhe nëse s’ka rrugëzgjidhje, duhet një paketë e tretë e turizmit. Jo për mbijetesën e punonjësve, por të mbijetesa e bizneseve”, tha anëtari i shoqatës së tur-operatorëve Besnik Vathi.

Sipas tyre, dy paketat e qeverisë qenë vetëm një zbukurim momenti për të fshehur krizën ekonomike, pasi as 50% e paketës së parë nuk u konsumua.

“Qeveria duhet të ndajë përgjegjësitë, pasi as 50 përqind e paketës së parë nuk është konsumuar. Kredia për një industri që e ke mbyllur me VKM dhe nën masa, duhet të mbash përgjegjësi dhe ta ndihmosh, jo ta zhysësh në kredi”, tha kreu i Shoqatës së Hoteleri Turizmit, Zak Topuzi.

Lideri i opozitës duke mbështetur kërkesat e operatorëve turistikë, tha se përmirësimi i klimës së turizmit duhet të vijë sa më shpejtë. Plani i Partisë Demokratike, tha Basha mbështetet në tre shtylla kryesore.

“Përmirësimi urgjent i klimës së biznesit duke ju hequr nga qafa inspektoriatet, taksidarët, burokracirat, lejet, autorizimet, ua kanë bërë jetën ferr sipërmarrjes. Thjeshtimi i menjëhershëm i sistemit fiskal, taksa të lehta, taksa të përballueshme për ju dhe transparenca për shpenzimet publike.

Ky të jetë një plan strategjik afatgjatë, i zbatueshëm dhe të reflektojë atë që ju thashë në fillim të këtij takimi, konsensusin kombëtar që te turizmi të kemi një potencial të jashtëzakonshëm, jo thjesht për të nxjerrë vendin nga kriza, por për të siguruar mirëqenie dhe punësim”, tha Basha. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH