Suadela Balliu
Kur Bashkim Finon e thirrën nga Gjirokastra për t’u bërë Kryeministër, shteti shqiptar luhatej mes udhëkryqesh të rrezikshme. Në krye të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, ai do të përpiqej të kthente paqen dhe sigurinë në vend. Por si i kujtonte ato ditë të mbrapshta të vitit ’97?! Ky është rrëfimi i tij...
Ora shënonte 15:30, kur telefoni i shtëpisë sikur tringëlloi më fort se herët e tjera. Ishte ajo orë përpara muzgut kur njerëzit pasi kishin mbyllur angaritë e vogla shtëpiake, nguteshin t’i vinin shulet dyerve për t’i shkyçur vetëm mëngjesin tjetër.
Në atë orë krismat dëgjoheshin edhe më fort; mbi tarracat e çdo pallati qëndronin të gatshëm në rojë të armatosurit gjer në dhëmbë. Pothuaj në çdo shtëpi gjendeshin armatime dhe municione të çdo lloji; automatikë, pistoleta, mitraloza, të cilët shpraznin inatin e mbledhur mbi perden e përhime të qiellit, e cila çahej tejetej për pak çaste për t’u nxirë edhe më nga të shtënat, që si bumerang i kthenin gëzhojat në tokë. Ishte kjo atmosfera që rrethonte Gjirokastrën, ashtu si e përshkruan Bashkim Fino, por nga edicionet e lajmeve kjo ishte gjendja edhe në qytetet si Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë, Vlorë...
“Nuk bëhej fjalë për shtet, për pushtet lokal, për polici, gjykatë, çerdhe, kopsht, arsim, pothuaj të gjithë të mbyllur, një gjendje gri, një gjendje që të krijonte një ndjesi ku pas orës një e gjysmë të drekës të gjithë njerëzit mbylleshin nëpër shtëpi”, kujton Bashkim Fino përpara se të riprodhojë thuajse me të njëjtin precizion siç pat ndodhur bisedën telefonike që i lajmëroi se qe zgjedhur për të qenë Kryeministër.
Teksa rrufiste kafenë me mikun e tij Hito Hitaj dhe ndiqnin së bashku të rejat nga situata në vend, dikush e kërkoi në telefon për t’ia prishur njëherë e përgjithmonë qetësinë e asaj pasditeje, nëse mund të kishte qetësi atyre kohëve. Në anën tjetër të receptorit, 142 km larg, nga Tirana fliste Namik Dokle. Pas përshëndetjes kordiale, të dy e dinin që kishte diçka tjetër që e kishte shtyrë anëtarin e Kryesisë së Partisë Socialiste të telefononte. “Bashkim, të kemi zgjedhur të bëhesh kryeministër i vendit”, foli zëri i qartë dhe i prerë. Për ish-kryetarin e Bashkisë, i cili prej tetorit të vitit 1996, kur kryente funksionet e këshilltarit në atë seli - që për katër vite e kishte drejtuar vetë e që prej pesë muajsh e konsideronte veten të papunë-, ajo që dëgjoi t’i thuhej nuk mund të merrej ndryshe veçse si shaka. Por ç’ta shtynte Doklen, në ato ditë kur, në Tiranë opozita arrinte një marrëveshje me mazhorancën për krijimin e një qeverie të re me pjesëmarrje të gjerë politike, të kishte ngenë dhe kohën për shaka?! Sigurisht, i kish paraprirë duke i thënë se propozimi do t’i dukej i çmendur dhe për ta çtensionuar situatën, Fino kujtonte se i pat thënë: “Do doja të bëhesha vetë, por nuk më lejojnë”.
Kushtet e presidentit të asokohe, Sali Berisha kishin qenë të prera; askush nga kryesia e Partisë Socialiste nuk duhej të propozohej për kryeministër. Vetë Fino pohon se ishte në brendësi të informacioneve mbi bisedimet që bëheshin mes presidentit dhe partive politike. Por, mbi hollësitë ku propozoheshin emra të përveçëm nuk ishte në dijeni. “E mora si shaka të momentit, por ndërsa biseda vijonte nisa të ndërgjegjësohesha se ishte e vërtetë. Në pjesën e dytë të bisedës nisi rezistenca ime. Ç’ne unë?! Pse erdhët deri tek unë? Ka shumë të tjerë në Partinë Socialiste, të tjerë që ndodhen në Tiranë...Gjeja mundësi dhe shkaqe për të shmangur kur kishte shumë të tjerë që mund të bëheshin kryeministër”. Argumentet nga ana tjetër ishin gjithaq ngulmues për të thyer rezistencën. Pasi dëgjoi edhe njëherë ç’ishte folur në tryezë me presidentin Berisha, sesi do të bashkëpunonin forcat politike, sesi PS-së i kishin dhënë postin e kryeministrit dhe partive të tjera poste ministrore, duke përjashtuar anëtarët e Kryesisë si edhe nga disa rrethe, si Vlora.
Ndër emrat e propozuar ishte pranuar ai i Finos. Presidenti kishte qenë dakord që kandidatura e 35-vjeçarit anëtar i Asamblesë, që kishte shërbyer si kryetar Bashkie i Gjirokastrës, të cilin e kishte njohur në rrugë institucionale në vizitat zyrtare në qytet, të ishte kryeministri i vendit. Rezistenca zgjati edhe pak, derisa të gjithë anëtarët e Kryesisë në një maratonë telefonike i kalonin radhën njëri-tjetrit për të shpalosur aftësitë e tyre bindëse. Et’hem Ruka, Rexhep Mejdani, i cili në atë kohë ishte Sekretari i Përgjithshëm. “Qe i ngjirur e i lodhur dhe pasi bëra një tur telefonik me ta kuptova rëndësinë kur më thoshin: “Bashkim, nuk kemi kohë. Duhet të shkojmë te presidenti t’ia japim përgjigjen. Por nëse ti nuk e konfirmon, kjo do të thotë se ne mund ta humbasim drejtimin e vendit. Do të jemi bashkë dhe do të të ndihmojmë”. Natyrisht që e doja një ngrohtësi të tillë shpirtërore dhe një afrimitet me ta dhe pasi bëra rezistencën e domosdoshme, i mbështjellë nga një sërë dilemash...”. Kur e kujton, sërish mendon se qe ndërmarrje e rrezikshme e ndoshta në kushte të tjera nuk do e kish pranuar aq prerë. “Por për shkak të argumenteve të të gjithë anëtarëve të Kryesisë, pranova të vija me kushtin e mbështetjes, që ata do më jepnin”. Gjatë asaj bisede që dukej sikur nuk do të kishte mbarim, familjarët, gruaja, nëna, fëmijët që kishin arritur të mblidhnin copëzat kishin shtangur. Duke kërkuar ndonjë farë miratimi në sytë apo mimikat e tyre, nuk arrinte të kuptonte asgjë. “Ata ngrinin supet si për të thënë që kjo është zgjedhja jote, ne nuk dimë ç’të të themi. Kishte një lloj frike dhe aspak kënaqësi të tipit ‘shyqyr, të ra kjo mundësi dhe o burra pranoje!’ Aty kuptova që nuk qe kënaqësi për ta”. Por ndoshta ishte optimizmi i shfaqur hapur në fytyrën e mikut të tij Hitaj, i cili me gjeste i thoshte të pranonte, e shtyu të thoshte “Dakord, pranoj!” “Pas pranimit, miku im u ngrit menjëherë e më dha dorën, ndërsa gruaja dhe nëna rrinin të strukura. Ishte një situatë e dhimbshme dhe rrëqethëse, kur e kujtoj tani. Mendoj se i vura familjarët përpara një vështirësie për ta pranuar propozimin.”
Kishin kaluar vetëm 15 minuta ndërsa përcillte mikun jashtë shtëpisë dhe nuk kishte pasur kohën e mjaftueshme për ta përtypur lajmin dhe për ta mësuar veten se tanimë ai ishte kryeministër i Shqipërisë. “Tek po kthehesha, shoh të gjithë banorët e pallatit, që kishin dalë në dritare dhe më uronin”. Ndërkaq lajmi qe dhënë në media se Kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar kishte një emër dhe ai ishte Bashkim Fino. “E kam gjetur veten kur hyra në shtëpi ashtu si isha, i veshur me rroba sportive, me një turmë njerëzish, të gjitha agjencitë e huaja të lajmeve, sidomos greke që gjendeshin me shumicë në Gjirokastër, të cilët kërkonin të më shkëpusnin intervistën e parë. Ndërkohë që unë kisha folur vetëm me anëtarët e Partisë Socialiste dhe nuk kisha mundur të bisedoja ende me presidentin e vendit. Ai kujton se ishte ora 8 e mbrëmjes kur Presidenti i Republikës e telefonon për herë të parë. “Ai më tha: ‘Bashkim, unë të kam dekretuar me propozimin që kemi bërë me forcat politike për Qeverinë e Pajtimit Kombëtar me dhjetë partitë politike. Pres të vish nesër në mëngjes të takohemi e të marrësh detyrën. Janë ndarë postet sipas partive politike. Ata i kanë thuajse gati emrat. Do të punojmë bashkë dhe kemi përpara një punë të vështirë. Të lutem, do të vijë helikopteri në jug për të të marrë, por duhet të marrësh përsipër të mos e qëllojnë”.
E nesërmja do ta shndërronte vendimmarrësin lokal në një politikan të lartë, në kreun e ekzekutivit të një vendi i cili pat marrë rrokopujën. Ashtu si e përshkruan edhe vetë, një vendi i cili pas falimentimit të skemave piramidale, nuk kishte më shtet; në një vend ku banorët që humbën thuajse gjithë kursimet, e shfrynë frustrimin në histeri masive duke shkatërruar çdo gjë që u dilte para; në një vend ku ishte paralizuar vetë jeta. Banorët e Gjirokastrës ia bënë të gjitha nderimet, e shoqëruan në turma dhe me të shtëna armësh në ajër, që ndoshta për të parën herë ishin nga gëzimi, deri në fushën e helikopterëve, ndërsa bashkëqytetari i tyre largohej vetëm me një çantë të vogël ndërresash e shumë pasiguri dhe pikëpyetje në kokë. Udhëtimi qe i qetë, ndoshta në një formë apo tjetër, ishte marrë vesh që helikopteri në qiellin gri të Jugut ishte ai që transportonte kryeministrin e vendit. “Kur u ulëm në Tiranë, pashë se kishin ardhur të më prisnin me eskortën shoqëruese dhe makinën zyrtare. Në atë moment dëgjova të më thërrisnin për herë të parë “Zoti Kryeministër!”. Kjo qer shkundja e parë që do ta zgjonte nga trullosja, ndërsa nga telefonata e Dokles nuk kishin kaluar ende 24 orë.
“Kërkova që stacioni i parë në Tiranë, e cila dukej më e qetë se Gjirokastra dhe krejt Jugu, të mos ishte selia e Kryeministrisë, por ajo e Partisë Socialiste. Nuk m’u duk e drejtë të bëja asnjë veprim pa u takuar më parë me anëtarët e Kryesisë. Përpara selisë rozë qëndronin turma njerëzish, të cilët e morën mbi krahë kryeministrin. “Takova të gjithë anëtarët e Kryesisë së Partisë dhe isha shumë i kënaqur që vajta në fillim atje. Së bashku pastaj shkuam të takonim presidentin Berisha”.
Atë pasdite që i binte të ishte e dyta si kryeministër, do të pinte një kafe me Aleksandër Meksin, i cili vetëm pak ditë më parë kishte dhënë dorëheqjen nga Kryeministër i Shqipërisë. Dita e parë në zyrën e kryeministrit ishte tejet e ngarkuar. Takimet me kryetarët e partive politike, të cilët me emrat e propozuar plotësonin kuadrin e qeverisë së Pajtimit Kombëtar. Ministrat e tij do të ishin: Belul Çela, ministër i Brendshëm, Shaqir Vukaj, ministër i Mbrojtjes, Arian Starova, ministër i Jashtëm, Arben Malaj, ministër i Financave, Spartak Ngjela, ministër i Drejtësisë, Eduard Ypi, ministër i Privatizimeve, Astrit Kalenja, ministër i Shëndetësisë dhe Mjedisit, Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit të Lartë dhe kërkimeve shkencore, Luan Skuqi, Ministër i Arsimit dhe Sportit, Haxhi Aliko, Ministër i Ushqimit dhe Bujqësisë, Kastriot Shtylla, ministër i Mineraleve dhe Burimeve Energjetike, Foto Dhuka, ministër i Industrisë, Transportit dhe Tregtisë, Engjëll Ndocaj, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Gruas, Elmaz Sherifi, ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, Vasillaq Spaho, ministër i Punëve Publike, Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. “Ky ishte momenti i parë si filloi dhe nisi të funksionojë qeveria e re”, tregon Fino.
***
Fino kujton edhe takimin e parë me Vranickin, i cili atëkohë ishte de facto kryeministri i Shqipërisë, i vendosur nga Amerika dhe vendet e Europës për të monitoruar situatën në vend dhe në krye të negociatave me ndërkombëtarët. “Ajo që kërkohej urgjentisht ishte vendosja e qetësisë, për të mos e lënë vendin të kalonte në Luftë Civile”. Takimi me Vranickin ndodhi mbi një Fregatë ushtarake, në mes të detit Adriatik. “Në një shtet ku nuk funksiononte as ushtria dhe as forcat e policisë, kërkohej me patjetër ndihma e forcave shumëkombëshe për të vendosur qetësinë në vend. Nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse të merrej leje nga të gjitha parlamentet e vendeve pjesëmarrëse në mënyrë që ndërhyrja të ratifikohej prej tyre. Pra ishte diçka që nuk mund të bëhej menjëherë”. Situata në vend bëhej çdo ditë e më tragjike, tanimë nuk ishin më vetëm ‘të fortët e Jugut’ të armatosur. Depot kishin shpërthyer edhe në Tiranë e rrethe të tjera, ndërsa të gjithë donin të largoheshin nga sytë këmbët prej këtij vendi, fatet e kryqëzuara të të cilit ishin gjithnjë e më të pasigurta. Atë ditë ministrat njëzëri dolën në deklaratë të përbashkët duke u bërë thirrje ish-ushtarakëve se vendi kishte nevojë për ta, më shumë se kurrë. “Më erdhi mirë për këtë veprim të tyre”, pohon ai.
Të rejat që i solli presidentit nga takimi me Vranickin, duket se nuk e kënaqën aspak këtë të fundit. Forcat shumëkombëshe do të mbërrinin vetëm nga mesi i prillit, ndërsa presidenti mendonte se ndërhyrja e tyre do të qe e menjëhershme, duke marrë parasysh që situata nuk mbante më. Nga ana tjetër ishin zërat shqetësues që paralajmëronin një ikje të mundshme të presidentit, duke e lënë në mëshirë të fatit gjithçka. “Kërkova takim me presidentin dhe i thashë që duhet të mblidhte menjëherë parlamentin, që të votëbesohej qeveria e re. Nëse do të ndodhte se ai ikte, të paktën qeveria të ishte legjitime”. Në atë mbledhje të jashtëzakonshme të Parlamentit, kabineti i ri qeveritar paraqiti një program prej vetëm katër faqesh. Sigurisht që nuk bëhej fjalë për një program mirëfilli ekonomik, politik, reformash e për çdo fushë të jetës. “Ishte një qeveri e vullnetit politik të 10 partive që kërkonin realizimin e mundshëm të zgjedhjeve të parakohshme, të pranueshme nga të gjithë dhe natyrisht, vendosja e një rendi kushtetues që ishte cenuar”. Ndërsa fjalimi që ai mbajti, të pashkruar në letër, por i shtytur nga ndjenja patriotike, u duartrokit nga parlamenti me shumicë të djathtë. Ajo të paktën qe një natë e qetë. “Qeveria ishte legjitime”.
Periudhën nga marsi deri në përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme, që duhej të ishin me patjetër të pranueshme nga të gjitha palët për t’i dhënë zgjidhje të ardhmes së vendit, e kujton të mbushur me plot episode, të cilat i ka përshkruar imtësisht në librin “Humnerë ‘97”. Vendosi ta botonte pas dhjetë viteve, në 2007-ën për publikun e gjerë. Në fakt, ky është një libër me dëshmi. Unë kisha detyrimin që shqiptarët të kishin dëshmitë e një prej protagonistëve të asaj kohe, të Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar. Kisha kohë që kisha përmbledhur gjithë ato momente të vështira për popullin tonë. Këtu e kam fjalën për muajt mars-korrik të 1997-ës”, - shprehej ai ditën e promovimit të librit.
Axhenda e kryeministrit ishte e ngarkuar, vendosej sipas zhvillimeve të ditëve, të cilat bëheshin më të lodhshme se kurrë. Ndërkaq, forcat shumëkombëshe kishin mbërritur në vend dhe policia e cila funksiononte vetëm në Tiranë, jepte ndihmesën e vet. Një prej atyre zhvillimeve që do të caktonte jo vetëm axhendën prej kryeministri por edhe fatet e një komuniteti, i cili për ironi ishte në mëshirë të fatit: të burgosurve, disa të arratisur, disa të mbledhur në burgun e Tiranës. “I kërkova presidentit të lëshonte një dekret për faljen e të burgosurve për aq kohë sa ne nuk mund të dilnim garant për sigurinë e jetës së tyre. Në një moment të dytë kur ujërat të ishin qetësuar mund t’i arrestonim sërish”. Presidenti, si politikan me përvojë dhe njohës i mirë i shtetit, siç e pranon edhe vetë Fino, kërkoi të hartohej një vendim nga Këshilli i Ministrave.
“Mblodha kabinetin dhe në momentin që ne hartonim vendimin shpërtheu edhe burgu i Tiranës. Të vetmit që nuk ishin larguar nga burgu, për hir të së vërtetës, ishin Fatos Nano dhe Ramiz Alia”. Presidenti e pranoi të nxirrte një dekret faljeje me një listë të gjatë emrash. “Por më kërkoi të dilnim në një deklaratë të përbashkët për të hedhur poshtë përshtypjet se këto dy institucione nuk shkonin, gjë që ishte e vërtetë. Megjithatë, pranova për të mirën e vendit”. Situata u rëndua edhe më pas tragjedisë në Kanalin e Otrantos. “Ata njerëz u larguan për një jetë më të mirë pasi vendi i tyre nuk mund t’ua siguronte. Ishin ditët më të errëta kur pyesja veten: ‘Pse? Çfarë bëja unë aty’?!
Një tjetër moment i rëndësishëm në jetën prej kryeministri ishte edhe vizita e kryeministrit italian Prodi në Gjirokastër. Pas ngjarjes së Otrantos, shefi i opozitës së asaj kohe në Itali, Berluskoni kishte kërkuar mocion mosbesimi për Prodin. Situata shqiptare prekte edhe politikën italiane. “Unë isha nisur të takoja kryeministrin grek Simitis dhe po qëndroja një natë në shtëpinë time në Gjirokastër. Prodi këmbëngulte për një takim. Isha në dilemë për ta pranuar, nga frika se mos shkaktoja ndonjë incident diplomatik”. Por më 2 prill 1997, ai dhe Prodi dalin në një komunikatë të përbashkët për mediat, gjë që i shpëtoi postin kryeministrit italian.
Pas masakrës së Cërrikut, informacionet që kish marrë kryeministri flisnin qartë për një tjetër masakër drejtuar opozitës. “Kisha të dhëna se nën justifikimin se po vidhej Banka e Shtetit, Berisha do të nxirrte autoblindat me qëllimin e vërtetë për asgjësimin e opozitës. “U telefonova kancelarive ndërkombëtare, të cilët ndërhynë duke e ndalur masakrën e mundshme. Them se kemi shpëtuar një konflikt të hapur që nuk dihej si do mbaronte”.
Kur bën një bilanc të kohës së shkurtër por ndoshta më intensiven që mund të ketë një kryeministër, nuk e fsheh krenarinë për arritjet, i bindur se bëri atë që do bënte gjithkush me ndjenjë patriotike, por edhe një krenari të paartikuluar, por të ditur nga gjithkush se ishin pikërisht ata muaj të trazuar që e bënë Bashkim Finon të dilte nga anonimati e të kthehej në një politikan të lartë. Mendon se ka bërë ç’ishte më e mira gjykuar për atë kohë, por në disa raste-siç është fakti i debatuar se në krye të komiteteve të shpëtimit kishte shpesh emra kriminelësh si Zani Çaushi, i përdorur shpesh si truprojë në takimet me Prodin.
“Ishe i detyruar të luaje të gjitha rolet, që t’i mbaje të qetë këta njerëz, se s’kishe rrugë tjetër. Kur e mendon më pas, është edhe mirë, edhe keq mbase, duke menduar bëmat që kanë bërë këta njerëz, por në atë moment ata ishin të fuqishëm në zonat përkatëse”, është shprehur në një intervistë të disa viteve më parë ai. Ndoshta kur e mendon tani, në të atilla kushte nuk do e kishte pranuar kurrë propozimin që i erdhi me anën e një telefonate të papritur, por në fund të fundit pas asaj kohe të vështirë kur i duhej shpesh të shfaqte shpresë dhe optimizëm për popullin, qeveria e përkohshme i arriti dy synimet kryesore: gjendja nisi të stabilizohej dhe në korrik u zhvilluan zgjedhjet e lira dhe të pranueshme nga të gjitha palët, që do të sillnin partinë e tij në krye të qeverisë. Ia dorëzoi postin Fatos Nanos, ndërsa vetë do të bëhej Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.
*Marrë nga Revista MAPO, 2011.