
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një rast abuzimi seksual ndaj një të mitureje në Prishtinë.
Denoncimin e bëri babai i saj, dje në orët e mbrëmjes.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje nga denoncimi i babait të viktimës, i cili ka rrëfyer në polici se kush dyshon se ia sulmoi të bijën seksualisht.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, babai i të miturës ka deklaruar se vajzën e tij e ka sulmuar seksualisht daja i nënës së saj, i moshës 70-vjeçare, i cili jeton në Gjilan. Abuzimi dyshohet se ka ndodhur, në Gjilan, ku e mitura kishte shkuar te të afërmit dhe u përball me familjarin që e sulmoi.
Ngjarja e rëndë tronditi familjen dhe të afërmit e vajzës. Pas denoncimit, policia është vënë në lëvizje dhe kanë njoftuar të gjitha njësitë policore për ndalimin e të dyshuarit.
“Sinjali” mëson se 70-vjeçari që dyshohet për këtë rast është S.D., i cili po kërkohet nga Policia.
Ndërkohë që viktima është intervistuar në prezencë të babait të saj dhe punonjësit të psikologut ku ka deklaruar se si ka ndodhur ngjarja e neveritshme.
Kujtojmë se sipas Kodit Penal kushdo që kryen këtë vepër të tillë ndaj personave nën moshën 16 vjet parashikon një dënim me burg nga pesë deri në dhjetë vite burg.