Vladimir Myrtezai
Ditë shkurti. Ditë të mbledhura pa thellësinë e perspektivës për t’u çliruar tej e qartë; për shkak të një të ftohti rrëqethës, por edhe për shkak të një zymtie në lajmet që rrokullisen përditë.
Fragmente me koka të prera larg në ekranet e lajmeve, që shpesh duken të pabesueshme, si në një film, por shumë të vërteta si shenja të një fillimlufte. Është një nga ato momente që mungon veçse një shkak i rëndomtë, që çdo gjë të kallet flakë. Nuk arrij ta deshifroj saktë se, në fakt, e gjithë kjo rrotativë informimi e rënduar në ritëm është një rrethanë e rënduar për shkak të dimrit, muajit shkurt, apo në të kundërt: që me të vërtetë në mendjen time ka një nxit të paarsyeshëm për të qenë i shqetësuar e në një tension jo të zakontë; apo… nga frika e dyshimi se po rrëshqas në një zonë të pasigurt, të luhatshme jetësore, meqë vitet po vrapojnë pa kthim, si një arrati. Të tilla ngasje të brendshme më peshojnë në kokë e rokanisen me një ritëm ngricash të hirta, si gjëja më e papritur e befasuese, ku duke m’u fanepsur përshkënditur m’u duk sikur hyra në një gjendje të re e më të rrënuar se kohë më parë. M’u bë fanitje për një çast, se kisha hyrë në paradhomën e botës tjetër duke mbledhur me kujdes amanetet kryesore, diçka krejt konkrete e të ftohtë, krejt ngrirë e pa magjinë e jetës. Është një çast pa çudinë e një të papriture apo të një nënshtrimi objektiv e fatal, shfaqur si vetëpërmbledhje e detyruar për të mbyllur fundin e diçkaje që me siguri do ndodhë; një gjë logjikë e prerë shkurt, urdhëruese, e ftohtë si një vendim i ligjësuar nga vetë dalja e përkohshme në kalvarin e dritës, si një parakalim në përsëritje të jetës…
Kështu monologonte me veten, ndërsa kalonte udhëkryqin te ‘Varri i Bomit’ ose ndryshe Xhamlliku, mes angështisë dhe radhës së makinave, inxhinieri i shkencave elektronike, Pashtrik Treska. Kishte kohë që rrekej ta verifikonte këtë proces të brendshëm në rrëpirën e prognozave të depresionit të tij, në një rrokullimë trokthi, të shpejtë e agresive. Po hynte në të pesëdhjetat edhe mbahej mire, dhe ende në një mendje të re për të menduar për qëndresën në një botë të gjallësh, me privilegjin e kënaqësive të jetës. Lodhur tashmë nën idenë e varfërisë e të të pamundurve në këtë botë, që sorollateshin anekënd si krijesa të pafajshme, për t’u akomoduar me sjelljen e tyre ekzistenciale për një jetë më të favorshme. Inxhinieri i teknikës dhe informacionit Pashtrik Treska ishte kthyer në një lloj pasqyre të ndrojtur e kundërreflektuese, të gjindes që rrezatonin egërsi natyrale, si qenie që përjashtoheshin nga gara e ambicieve të mëdha e shtimit në masë të njerëzve që përpiqen të ndalojnë rrokullimën e tyre në humnera të pabesueshme, nga mungesa e të ormisurit të tyre në një status të ri, që nuk se përtypej kollaj. Ia kish behur varfëria.
Për një moment iu duk se gjithçka që më parë shquhej si garë e pasurimit dhe e lëvizjes për të zënë cak, ishte kthyer papritur në një gjendje fillestare e të shpërfillur ligsht nga ideja e të qenit në rrezik. Bota po lëvizte në një ritëm të trallisur në zhbërjet e befta e të pamësuara, në një rend e sistem vlerash ndryshe. Një kafshatë që nuk kapërdihej lehtë e po e rrënonte me nxit një pjesë të pakontrolluar të popullsisë që sillej rretheqark pa rregulla loje.
Mos vallë fytyra e varfërisë kish marrë këtë pamje të vrerët të muajit të trishtë shkurt, apo vetë ai kish një përkthim të keqësuar të realitetit dhe nuk vështronte dot përrotull tij. Të gjitha bashkë, pothuaj veçuar shkakut që motorët e tij të gëzimit nuk kish gjasa të ndjeheshin në formë për ta marrë jetën me entuziazëm e shkoqur si më parë. Më shumë se një realitet i nxirë, iu duk se kish aftësuar formën e të perceptuarit, dhe çdo fakt e vishte – për shkaqe të pakuptueshme – me të hirtat e mendjes së tij, që tashmë ishte në tërheqje gati të plotë nga të gjitha përballjet, që sa vinte dhe i dukeshin si beteja të humbura. Lundronte rrugëve të kryeqytetit në një inerci vetëjustifikuese, me koracën e pezullt të lukut të tij, dhe kalonte pa pra në befasi rrugësh të panjohura. Krejt humbur dhe i shkëputur nga të gjitha lidhjet e panevojshme, notonte në peizazhet e përditshmërisë si një dëshmi boshe e pa ngarkesën e kuptimtë të ekzistencës së drobitur tashmë. I pëlqente pa masë kjo dalldi e nëndheshme e bosh, me një të ndjerë si kërkim i ri gjendjeje totale, dhe iu duk sikur hakmarrjet i kthehen njeriut në pragkthim, si përsëritje e personazheve që ai vetë kish prodhuar në kokën e tij, krejt të barabitur e të përputhur me gjendjen e tanishme, të shtrirë si një dekompozim provokues.
Me siguri që gjindja që e njihte e adhuronte për shkak të një epërsie të impostuar e të sipërfaqshme që ai ruante e demonstronte në praninë e gjerë publike, por, në fakt, së brendshmi ishte një dobësi e rrallë dhe e ndjeshme, që po të kishte ndonjë mjet deshifrimi, patjetër që do zbulonte një gjë njerëzore si të rrallë. Një ndjesi e tillë i dukej e shpërndarë në një gjithësi njerëzish, që nuk kishin aftësinë të shënjonin dhe të bënin prani të deshifrueshme këto lloj situacionesh me lëng njerëzor, që fshihej gjithandej, edhe e ngurtësuar në terr. Fantazoi për një çast se çfarë mund të shkaktohej nëse do skanohej e gjithë kjo lëngatë e brendshme njerëzore. Do ishte një gjetje e madhe, krejt e paselektuar si një përrua i zgjatur me jetë shpirtërore. Sërish dyshonte se pse i duhej t’i bashkonte të gjitha gjendjet e fshehura njerëzore, si shkak i mendjes krijuese apo si një alibi për gjendjen e tij gri. Mos ndoshta ishte ndryshkur dhe nuk qe më ai i pari, që zhvidhoste situata në grup dhe lartësonte atmosferën nga një hiç drejt një mali dëshirash e shfrenimesh kurioziteti. Apo mos ndoshta nuk kish më një “pse?” në jetën e tij. Nuk ishte i sigurt. Vargonte udhës nëpër rrugica pa kuptim, dhe sa vinte dhe e ndjente edhe më shumë se po kthehej nga një materie konkrete në kopjen e tij që shpërfaqej në xhama vitrinash. Ndihej si i papeshë dhe pa mundësinë dhe dëshirën për t’u raportuar në komunikime të zakonta me njerëzit që njihte. Kjo diskordancë ndjesore ishte një shkak i ëmbël, që në fakt e ndiqte që nga fëmijëria, dhe sa vinte dhe më shumë e çmaterializonte çdo vlerë.
Befasisht u gjend në rrugë pa asnjë pikë referimi, pasi kishte aftësinë e rrallë për të përjashtuar njerëz nga njohjet e çfarëdo lloji. Një sindromë e vjetruar tashmë dhe e kthyer në rit në marrëdhëniet me të tjerët. Një lloj vetie për t’u rrethuar nga pak, me një tis vetmie dhe i orvatur si me shkak për t’iu dhënë shansin atyre të mbeturve në radhën e lidhjeve dhe njohjeve, që t’i shijonte edhe më mirë e me më shumë përkushtim. Kishte një ngatërresë të mrekullueshme e të keqkuptuar të tij mes asaj se çfarë dihej e shpallej haptazi dhe pjesës tjetër që fshihej nën lëkurë, si njomështi e dobët, e pashfaqur. Një impostim i pakuptuar që të linte pa gojë. Një përplasje e disafishtë e në konflikt mes thelbit të padeshifrueshëm dhe dukjes – mburojë që së shumti e lëshonte në reagimin e gjindes si një konflikt të shurdhët e të pashpjeguar deri në fund.
Prej shumë kohësh e kishte mbi krye si peshë, por edhe si një masë ajri të mermertë, që sa vinte dhe i bëhej edhe më e vështirë për të mos jetuar nga pranë nënën. Një nga alibitë më të çuditshme e të zgjatura me heshtje për t’u lidhur me atë qenie. Me siguri që nuk ishte nga të vetmit. I mblidhej në grykë një afsh i pakuptueshëm betimesh të brendshme për të mos e braktisur kurrë. I vetmi problem i tij tashmë ishte që të mësohej me faktin që ajo së shpejti nuk do ishte më në jetë, gjë që e bënte nervoz, si një ‘non sens’ që e ngrinte para logjikës së pakthyeshme të një gjëje që nuk duhej të dyshohej. Pra, qe një kundërshti mes asaj gjendjeje që e bënte ta besonte si të gjatë e shoqëruese me aktin e shkëputjes së beftë nga jeta të një prej dashurive të fshehta të tij, nga më të mëdhatë. Pezullitë e fatit njerëzor, si punët e mëdha të Zotit, e mbërthenin në një paarsye për të qenë kundër, ashtu kryeneç, me dyshimin se do i duhej ta kontrollonte këtë konflikt mes ndjesisë dhe ligjeve të natyrës. Në fakt, dashuria për nënën e tij nuk mund të ishte një arsye për të marrë vëmendje, sepse e kishte konsideruar si një aksiomë e modelit të stërpërsëritur të një gjëje të pohuar nga shumtë humanë mbi tokë. Por, asnjëherë nuk do e kish marrë me mend që do zinte vend aq shumë në gjendjen e tij të zgjatur e në bjerrje, në vazhdë të humbjes (pothuaj) së ekuilibrit të tij në këtë sfidë njerëzore. Ndoshta nuk ishte i sigurt në ndjeshmëritë e tij si një cak i paprovuar nga të tjera shkaqe të thella e të rëndësishëm. Në këtë ndërkallje nuk kishte krahasim për të marrë, pasi në qiellin e tij jetonte dhimbja e marrë hua nga e ardhmja e tij. Një lloj zonifikimi që i jepte plogështi dhe e kthente gjithë atë masiv njerëzor në një shkrehje të papritur lotësh e mallëngjimi të pamatë.
– O Perëndi! – bëzante duke shfryrë me veten.
Iu duk se nuk ishte ende gati për të përballuar vdekjen e nënës. Duhej ta merrte disi më lehtë, e për këtë duhej të konsumonte më shumë kohë me imagjinatën e tij të beftë e rrënuese.
Udha i kish marrë një rrjedhë nga ato të papriturat, që të duket se vetë jeta si shkak të kthen në një varësi të pakthyeshme me personazhe kaq të padukshëm që të kanë asistuar në jetë, dhe papritmas bëhen qendra jote, kulmi yt, historia dhe fotografia e zgjatur e dëshmisë mbi vetveten. Po brehej përherë e më shumë nga shenjat e së kaluarës së tij, si dhe nga çdo objekt që kishte të bënte me të. Herazi gëzohej për çdo fytyrë të njohur që kish takuar në boshllëkun e njëzet a tridhjetë viteve të fundit. Një shkak i mjaftë për t’u bërë urë e vetë historisë së tij, që tashmë kish hyrë në pjesën e fundit të udhëtimit. Nuk ishte një optimist i indoktrinuar, por as edhe një nga ata pesimistë të roitur. Ruante njëfarë ekuilibri, duke e marrë jetën me të mirë dhe duke lëshuar terren me butësi. Pjesa e mbetur i vinte në radhë si një film i rishikuar, që duke kontrolluar e marrë me mend fundin e tij, po udhëtonte kundër, duke rizbuluar të brendshmet e një krevati ende të ngrohtë, ku kish kaluar qenia e tij. Pa një arsye të ngritur e korrektuese, por si shtjella fati që tanimë i kish pranuar në një udhëtim instinktiv e plot pragje jete. Nuk do mund t’i ngjante kurrë nënës së tij. Ajo ishte tjetër gjë në ambicien e thjeshtë të saj, por shumë domethënëse. Një kalvar i gjatë për të mbajtur në dhëmbë këlyshët e saj, me nëntekstin e stërzgjatur për të na shoqëruar deri në fund të jetës së saj. Në një komandë të rreptë e të padukshme. Jeta në maviolë si kundërtregim është një përmasë e shtrirë në kurrizin e ekzistencës, në nivelin e një familjeje të thjeshtë e të zbrujtur. Diçka që i ngjan një romani që nuk ka nevojë të shpiket. Një erë dhe uri për atë jetën me aciditetit të mjaftë e fatal të ndarjes në kuptimin e saj më të thellë.
Në këtë kalvar të stërmundimtë kaloi ekzistenca e nënës së Pashtrik Treskës. Një rëndesë që nuk mund ta tëhuajësonte. E pamundur për ta marrë me mend. Një lloj kalamendjeje e zvarritur mbi tokën që sa vjen e të bëhet histori e jotja, dhe një artikulim përmes kthinave të fatit; diçka që nuk mund të merret me mend as edhe nëpër libra, as te fantazuesit e përsëritjes së jetës njerëzore. Si pamundësi e përputhjes mes jetës dhe ëndërrimit, nëna e Pashtrik Treskës jetoi në pjesën e jetës reale…
Pashtrik T. iu kujtua se i duhej t’i telefononte nënës së tij. Kishte oraret e veta të ndara në kohë, pasi ndjente në çdo moment lëvizjet e saj, oraret, pauzat dhe të gjithë grafikun e avashtë të saj. I telefononte dy herë në ditë dhe e mbante të karikuar me gjëra të përditshme dhe pyetje nga më ngasëset, për ta mbajtur në jetë dhe në agun e të jetuarit. Kishte filluar dhe numëronte minutat që do i duhej të asistonte si ngushëllimi i vetëm dhe si mundësia e fundit për ta detyruar të ndjente se ai ishte aty pranë saj me frymë e me mendje. Ishin veprime rutinë, kthyer në një lloj oksigjeni për ta mbajtur gjallë. Një detyrë tashmë që e urdhëronte së brendshmi pa asnjë ngurrim. Një qëndrim i prerë i tij, një vendim i heshtur, nga ato lloj qëndrimesh të bëra njësh me qenien e tij. E gjitha i ngjante një rregullsie në paranojë për të ardhmen e tij të shtyrë në moshë. Shpesh i kalonte në mendje pleqëria e tij, se me cilën fytyrë do vinte. Sa e papritur do ishte ajo? Si do sillej me fundin e tij e shumë mejtime të tjera që nuk i shihte krejt qartë. I vinte çudi se si jeta ishte një mekanizëm përsëritës unikal, disi i pashpirt në radhën e përsëritjes së llojit. U ngërdhesh dhe u përpoq të dilte nga të tilla mendime të zymta me betime dhe beteja besimi.
Iu ndërmend një ngjarje e disa ditëve më parë, në një sprovë arti të një artisteje të re. Përpjekja e saj përmes një projeksioni mekej e zhytur në një kafaz të allasojtë, me një shtrirje si pa cak në raportet me natyrën e stërmadhe. Një vetëburgosje e ëmbël dhe ëndërrimtare, një njollë blu. Iu duk se nuk është se rrinte i vetmuar në botën e tërë, si mundësi e gëzuar për të kapur një krahasim arti, apo në ndjesi të përafërta e paralele me ëndërrimin si një cekëtinë e arsyetimit të tij. Nuk donte të dorëzohej. Sërish merrte frymë si në gropa ajri, dhe sërish iu peshua sipër kreje hija e një malli të stërzmadhuar, shtrirë në kohë, si e nënës… Si diçka që nuk mund të zëvendësohej lehtë, sado ta gënjente veten për distanca të mundshme. Ndoshta i duhej të shkaktonte një shtëllungë të re për t’u shkundur sadopak nga letargjia e stinës së hirtë. Thjesht ndjeshmëritë e shtuara ndaj stinëve e vinin në dyshim të gjithë gjalljen e tij të pluhurosur nga një melankoli dimri, që ngjitej si vetë sëmundjet e stinës, në rrjedhë e në monotoni. Ishte një përshkallëzim i lartë humori në rënie, dhe një veshje dëshpëruese për çfarëdo që sillej përreth tij. E merrte malli për projeksionin e viteve të djalërisë, kur të shumta nga këto sorrollepsje pa shkak ishin të paqena e të pavlera nga vrullet e moshës. Nuk se kish humbur zakonin për t’u shullepsur në pavetëdije të shenjave të marra hua nga ajo kohë; një kohë që shquhej si lavdia e një burri në rrugëtimin e tij të zakontë, duke mos çarë kokën për stinët, nëndarjet dhe paradhomat njerëzore të rrëfyera si fund. /Gazeta Liberale