Restaurimi i mozaikut "Shqipëria" në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë ka shkaktuar shumë polemika, mes atyre që nuk bien dakord për heqjen e simboleve komuniste.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shpjegon se retushimi i veprës së artit i është përmbajtur restaurimit që i është bërë veprës në vitin 1993, kur me vendim të Këshillit të Ministrave u vendos që të hiqeshin simbolet komuniste. Ministrja thekson se nuk është fshirë asgjë nga vepra, por është restauruar ajo çfarë është gjetur.
“Duhet të ndahemi sa i përket epokave dhe artit që kanë gjeneruar epoka të ndryshe, se sa është e drejtë për t'i rishikuar, fshirë apo ngjallur. Në Ministrinë e Kulturës çdo gjë që lidhet me çdo periudhë duhet parë në konceptin e artit në vetvete. Duhet futur në një kontekst historik. Fjala restaurim sjell në vëmendje faktin e retushimit të gjendjes aktuale që ne e gjejmë veprën e artit. Vetë konventa e Parisit kur flet për restaurimin nuk flet për nxjerrjen në pah ose retushim, por restaurimin e asaj çfarë është gjetur.
Ne nuk fshimë asgjë nga vepra artistike, ne restaurojmë atë ca kemi gjetur, është një vendim i 93, që ka lindur si një politikë shumë të madhe për fshirjen totale të simbolit të komunizmit. Ka qenë gati për heqjen, vendimi ka ardhur më pas jo për heqjen totale, por kanë retushuar ato simbole, për ideologjinë e asaj kohe është parë shqetësuese. Sa i përket vendimmarrjes sonë, i jemi përmbajtur restaurimit, vendimit të Këshillit të Ministrave. Mozaiku kishte filluar të degradohej dhe të sillte rrezikshmëri për personat që kalonin, kemi bërë atë që ishte emergjente për ta shpëtuar këtë vepër arti. E kemi bërë në bashkëpunim me autorët e vetë veprës”, tha Margariti.
Ministrja thekson se restaurimi ishte besnik dhe se do ishte një gabim që të kthehej mbrapsht vendimi i 1993 për fshirjen e simboleve të komunizmit.
Një nga 5 autorët e Mozaikut që ka bashkëpunuar për restaurimin, Agim Nebiu thekson se mozaiku është restauruar siç ka qenë, duke thënë se heqja e simboleve komuniste aso kohe ishte e vetmja mënyrë për ta ruajtur këtë vepër arti.
“Në vitin ‘93 parlamenti u shqetësua, si çdo monument që u rrëzua në rrugë edhe mozaikut iu vu syri që ta hiqte. Por dhanë një mundësi që vepra të mos shkatërrohet se vlente. Ajo nuk është një propagandë, por është historia e Shqipërisë. Kjo vepër kur filluam ne është bërë me pjesëmarrjen jo vetëm të 5 autorëve, por gjysma e Shqipërisë. Aty janë hedhur mendime nga të gjitha instancat politike artistike”, tha Nebiu.
[caption id="attachment_1356237" align="alignnone" width="780"] Mozaiku me simbole komuniste[/caption]
Krejt ndryshe mendon historiani Auron Tare. Disa ditë më parë, ai ngrinte disa pikëpyetje në Facebook, nëse duhet trajtuar në të tillë formë historia e Shqipërisë.
“Restaurimi i pritshëm me një fond të Bashkimit Europian e konsolidoi veprën nga gjendja strukturale por nuk ktheu pjesët e hequra me pa të drejtë nga një vepër që i përket një epoke tashmë të përfunduar. A duhet retushuar historia në këtë mënyrë? A duhet që periudha post komuniste të veprojë me të njëjtin standart si praktikat e periudhës komuniste e cila retushonte historinë përpara saj? A ka rrezik që ashtu si brezi i lindur dhe rritur në komunizëm i cili e mësoi historinë të deformuar, edhe brezi post komunist të ndjekë të njëjtën mënyrë të mësuarit të historisë? A duhet një vepër e financuar nga fonde europiane të përfaqësojë një histori të retushuar?", shkruante Tare.
Po ashtu, edhe arkitekti dhe militanti i mbrojtjes së traditës, Artan Shkreli shprehet pro ruajtjes së mozaikut siç është krijuar. “Kam qenë gjithnjë i mendimit që ky mozaik të ruhet; edhe sepse askund si këtu nuk lexohet kaq qartë Realizmi Socialist Shqiptar, dhe se asnjë kritikë ndaj tij nuk do të ishte më e përshtatshme sesa vetë ky mozaik", shkruante Shkreli në Facebook.