Një shpërthim i fuqishëm tritoli është regjistruar në aksin Fushë Krujë – Tiranë mbrëmjen e së premtes. Një sasi e konsiderueshme tritoli i është vënë një mobilerie, e cila ishte në pronësi të shtetasit Bujar Caraci dhe që ia kishte dhënë me qira dhëndrit të vëllait, Desar Çangu.
Pronarët dhe qiraxhiu janë marrë në pyetje dhe kanë deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt.
Pisa kryesore që po hetohet për vendosjen e tritolit është konkurrenca mes bizneseve në zonë.
“Fushë Krujë/Informacion paraprak: Rreth orës 20:40, në aksin rrugor kryesor “Fushë Krujë-Tiranë”, në fshatin Arrameras, në ambientet e jashtme të një ndërtese (mobileri) të marrë me qira nga shtetasi D. C., banues në fshatin Larushk, Fushë Krujë, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat vijojnë kontrollet në zonë, për kapjen e autorit/ëve. Në vendngjarje ndodhen drejtuesit vendorë të Policisë dhe grupi hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit/ëve.”, njofton Policia e Shtetit.