Letërsi

Çmimi ndërkombëtar "Atjon Zhiti" shkon në Japoni për poeten Kae Morii

Shkruar nga Liberale
Çmimi ndërkombëtar "Atjon Zhiti" shkon në Japoni

Çmimi ndërkombëtar në letërsi, “Atjon V. Zhiti”, edhe këtë vit shkoi në një kontinent tjetër, në Azi dhe iu dha poetes japoneze Kae Morii. Vitin e kaluar çmimi shkoi në kontinentin amerikan, ku fituese ishte poetja nga Argjentina, me origjine hebreje, Susana Robert. Këtë çmim të ri e jep Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve “IWA BOGDANI”, me qendrat në Bruksel/ Belgjikë dhe Prishtinë/ Kosovë.

Çdo vit, në fund të nëntorit, merret vendimin, sipas një manaxhimi ndërkombëtar për lëndë të ndryshme letrare dhe u jepet autorëve “Për pasionin dhe sinqeritetin në art dhe krijimtari”, prandaj është vendosur që të mbajë dhe këtë emër, Atjon V. Zhiti, studentit që shkëlqeu si meteor.

Morii e mori këtë çmim me motivacionin: “si autore që ka arritur nivele të larta të të shkruarit. Ky çmim është për autorët që kanë treguar cilësi dhe humanizëm në kategoritë e tyre të të shkruarit, në poezi, romane, ese dhe përkthime”. Kae Morii është poete bashkëkohore, e njohur në Japoni, nga Osaka, e diplomuar në Keio University, pedagoge me profesion.

Është anëtare e Klubit të Poetëve Japonezë, Anëtare jete e Akademisë Botërore të Artit dhe Kulturës. Anëtare jete e IWA. Është e botuar dhe në gjuhët angleze, mongole, rumune, greke, franceze, maqedonase, etj, ka botime të saj dhe në SHBA. Gjithashtu është fituese dhe e shumë çmimeve të tjera letrare dhe në konkurse të poezisë, ku ka marrë pjesë në festival të ndryshme botërore, deri në Kore, Indi, USA, etj. Ajo është bërë e njohur në botë edhe si veprimtare e Çështjeve të Gruas, ka dhe titullin Ambasadore e Paqes dhe Harmonisë.

Kredo dhe Poezi

“Për fat të keq ne po jetojmë në një botë në disharmoni edhe pasi mbaroi lufta e ftohtë si dhe gjatë terrorit të tanishëm të luftës. Unë kam shkruar  në një poezi timen – në Raven Basenin at Bronz - që 'ne ende nuk jemi njerëz të vërtetë'. Po, njerëzimi madje ka arritur në Hënë, por ne ende nuk kemi arritur në paqen botërore. Harmonia është koncepti kryesor i paqes. Nga shkaku i paqes pa harmoni, është dhe harmonia pa paqe.

Harmonia mund të ndërtohet mbi barazpeshime në 'Barazi’, “Drejtësi” dhe 'Respektimi të njëri-tjetrit’. Sigurisht krijuesit e paqes shpalosin Dashurinë për paqen dhe njerëzit kudo në botë.

Sidoqoftë pas disharmonisë së luftës së ftohtë, duke u përballur me disa çështje serioze: terrorin e luftës, krizën financiare, konfliktet, ndarjen, problemet kufitare, varfërinë, papunësinë, etj, duhet të arrijmë te Harmonia.

Përhapja e Internetit ka kontribuar jo vetëm në transmetimin e informacionit, por edhe të shprehë dhe mbledhë dëshirat e njerëzve në botë. Shekulli XXI duhet të jetë epoka e Harmonisë dhe vullneti ynë është Paqja Globale - që të gjithë tani mund të jetojnë pa asnjë luftë dhe në lumturi. Për të arritur harmoninë, neve na duhet shpirti, mendja dhe metoda të harmonizuara. Pas poezisë “Dielli” do të doja të ofroja dhe poezi të tjera…”, shprehet poetja Morii.

 Kush është “ATJON V. ZHITI”?

Poerteti i Atjon” nga piktori Gjergj Kola

19 vjeçari i përhershëm” - siç e quan gjenerata e tij Atjon V. Zhitin, është studenti shqiptar i filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano (Itali), që dinte të jepte shumë dashuri e vrull ndër shokët e shoqet e miqtë, që pëlqente artet, filozofinë dhe sportet, gjuhët e huaja dhe shkencat politike dhe “buzëqeshte çiltërsisht”, gjë që ata që e kanë njohur, ia quajnë “vepër”, duke e patur Atjonin kështu dhe idealin shpirtëror të tyre. Atjon V. Zhiti është autor librash dhe albumesh dhe ekspozitash pikture, veprimtar me të rinjtë në Shqipëri, anëtar i Paralmentit Rinor Europian dhe anëtari më i ri i PEN-Clubit Italian.

Lindi në qytetin e Vlorës në 30 gusht 1995 dhe u rrit mes poezisë, ngjyrave dhe muzikës në Romë (Itali), ku prindërit punonin si diplomatë.

– Kur ishte 3 vjeç e gjysmë një viziatim i tij për “Nënë Terezen” iu botua në një album me shkrime për Shenjten dhe shkruajtën gazeta në Vatikan dhe në Shqipëri. Hapi një “ekspozitë fëminore” në shtëpi e tij në Romë dhe më pas një tjetër në Vlorë, në kopshtin e shtëpisë së gjyshit, ku vizatimet e tij u varën pemëve. Mësimet e pari i nisi në Tiranë, në shkollën katolike “Ylber”. Arsimin 9-vjeçar e kreu në Romë në shkollën e muzikës “Giuseppe Sinopoli”, mësoi flautin dhe dha disa koncerte me orkestren e shkollës deri dhe në Auditoriumin e Romës. Nisi studimet në Liceun e njohur Klasik të Romës “Giulio Cesare”, ku krahas italishtes dhe anglishtes, që i mësoi mjaft mirë, studio dhe greqishten e vjetër dhe latinishten.

Kishte pasion dhe muzeumet, i vizitoi të gjithë më të rëndësishmit në Romë e Vatikan, por dhe në qytete të tjera, Tiranë e Korçë, Vlorë, Krujë, Shkodër, etj, por dhe në, Firence, Venecia, Paris e deri në Chicago, SHBA. Përfundoi gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë dhe bëri disa kurse kualifikimi për gjuhët spanjisht, frengjisht e gjermanisht. Fiton një bursë për të vazhduar studimet për Filozofi në Itali, ndërkohë është dhe anëtar i Parlamentit Europian Rinor duke përfaqësuar Shqipërinë në disa Konferenca si në Spanjë, Letoni, etj.

Duke u pranuar si antar i PEN Clubit Italian, krahas shkrimtarëve që kishte njohur në Shqipëri dhe Kosovë, takohet dhe me poetë nga bota, Sebastiano Grasso, Mario Luzi, Adonis, Hermann Nitsch, Jevtushenko, nobelistin Derek Walcott, etj. Përkthen në shqip për antologjinë “Lajmëtarët e Europës” poezi nga Zai Fundo, personalitet i persekutuar politik, që do të botoheshin për herë të parë. Ndërkohë bën dhe piktura si një adoleshent, një pjesë e të cilave vendosen dhe në ballina librash të ndryshëm, të botuara në Shqipëri, Kosvë e Itali. Në vitin e dytë universitar nis botimet e eseve të para të tij filozofike në Shqipëri dhe Kosovë dhe në median shqiptare në diasporë, Itali, Zvicër, Angli, SHBA.

Është bashkëpërkthyes në librin me poezi të poetit të njohur në botë, Adonis, që botohet për herë të parë në shqip, në 2014.

*   *   *

Në 2015 del libri i parë me ese e shkrime të mbledhura të Aton V. Zhitit, “Për atë që dua(m)”, me jehonë në lexues dhe në media.

Hapet ekspozita me piktura të tij “Një kuti me xixëllonja”, në Universitetin “Polis”, Tiranë, nën kujdesin e kritikut të njohur të artit, Gëzim Qendro.

Në 2017 botohet Albumi “Opera Atjon”, në shqip dhe italisht me vizatimet dhe  pikturat e tij, të fëminisë dhe adoleshencës, përgatitur nga kritiku i artit dhe botuesi Gëzim Tafa, me pasthënie të tij dhe parathënie nga Gëzim Qendro. Albumi ka patur jehonë brenda dhe jashtë vendit.

Koncert për Atjonin në Romë, me violinë dhe pianofort, “Jehonë dhe butësi, dialog mes tingujve dhe një engjëlli”, ku luan violinistja enjohur Anyla Kraja dhe recitohen shkrime të Atjonit. 2018, pas librit me tregime “Valixhja e shqyer”, dalin dhe dy përmbledhje me poezi, “Dove é la vita” në Itali dhe “Të rritesh nga dashuria”, në Shqipëri, që të tre me ilustrime të Atjonit si bashkautor me Visar Zhitin dhe parathënie në librin e tretë nga Eda Zhiti.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Giffoni” jep çdo vit çmimin “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mirë të jurisë, ku Atjoni bënte pjesë dhe u shqua.

“IWA BOGDANI” themelon Çmimin Ndërkombëtar vjetor për poezi “Atjon V. Zhiti”, që ka shkuar në kontinentin amerikan dhe atë aziatik. Një rruge në Tiranë i është vendosur nga Bashkia e Kryeqytetit emri: “RRUGA E ATJONIT”./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH