Vritet një nga pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmuan policinë në veri të Kosovës
Policia e Kosovës vrau një nga kriminelët e grupit të armatosur i cili përbëhet prej më shumë se 30 personash dhe që janë pozicionuar në veri të vendit.
Grupi kriminal i armatosur rëndë qëndron në manastirin e Banjskës. Ndërsa Policia e Kosovës i mban të rrethuar.
Kriminelët qëllojnë vazhdimisht në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit u detyrua të kundërpërgjigjej me armë duke ekzekutuar njërin prej tyre.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Policia e Kosovës.
Pas tensioneve të ditëve të sotme, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një polic.
Në një reagim zyrtar, KFOR thotë se Policia e Kosovës ka tagrin e parë për të reaguar në terren.
Por nëse do të kërkohet ndihma e KFOR, këta të fundit thonë se janë të gatshëm të përgjigjen.
“Misioni i KFOR i udhëhequr nga NATO dënon ashpër sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe të dashurit e të ndjerit.
Komandanti i KFOR qëndron në kontakt të afërt dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara, përfshirë edhe BE-në, shefin e Forcave të Armatosura Serbe, me institucionet në Kosovë dhe po punon për të gjetur një zgjidhje.
Policia e Kosovës, ka përgjegjësinë e para që të menaxhojë incidentet në terren. KFOR po e monitoron nga afër situatën në Banjska, trupat e KFOR janë në zonë dhe të gatshme të përgjigjen nëse u kërkohet”, thuhet në reagimin e KFOR.
Disa minuta më parë Policia e Kosovës vrau një pjestar të grupit të armatosur që po qëndron në manastirin e Banjskës.