Aktualitet

Buna, lumi që mundet me rikthye shpresën...

Shkruar nga Liberale
Buna, lumi që mundet me rikthye shpresën...

Filip Guraziu 

"Përvoja" mundet me qenë koncepti ma i randësishëm për egzistencën, jetesën e zhvillimin jo vetem për nji shoqnin njerëzore, por për të tanë gjallesat në botën që na rrethon. Kaq e randësishme paraqitet kjo  në  evolucionin  e gjallesave , ku ban pjesë edhe sapiensi, sa Nana Natyrë si me " magji" e ka skalitë   atë, në DNA e qelizës së gjallesave.  Në fund të fundit çka asht " ditunia" që brezni mbas brezinve e mësojnë në shklolla...? Po,  ditunia  që merret në shkollë nuk asht gja tjeter veçse mësimi i " përvojës ", prej breznive para ardhëse , por edhe prej individëve  të veçantë bashkëkohor. Simbas këtij kandvështrimi "përvoja" e së kaluemës asht udhëtreguesi i parë, i natyrshëm dhe i besueshëm që na orjenton drejt  së arëdhmes.

Çdo lexues i këtyne rreshtave mundet me mendue se këto arsyetime dihen , pra deri këtu, asgja e re ! I nderuemi lexues, jam plotësisht i nji mendimi me ju  "që dihen", por pikërisht ky fakt më shtyni në shkrimin e këtyne rreshtave, sepse përvoja "dihet", por në praktiken shqipëtare ( veçanarisht për Shkodrën) nuk përfillet, " harrohet" dhe ajo që asht ma e çuditëshme, veprohet krejtësiht në kundërshtim me te...!

Përvoja historike:  Shkodra e "lulëzueme" dhe izolimi i sajë.

Të dhanat e fiilimit te shekullit XIX-të e radhisin Shkodrën ndër qytetet ma të zhvillueme të Perandorisë Turke në Ballkan. Rreth portit lumor të qytetit funksiononte Pazari, nji qender shumë e madhe, jo vetem tregtare, por edhe prodhuese ku funksionojshin  2400 dyqane, punishte e magazina. Për transportin lumor të mallnave  deri në  Shkodër, përveç anijeve tregtare private të firmave shkodrane, funksiononte edhe flota tregtare ulqinake me rreth 110 anije detare-lumore. Në atë periudhë Shkodra numëronte rreth 40.000 banorë në nji kohë që Athina e Beogradi së bashku kishin vetëm 27.000 ! Ky zhvillim i dedikohej kryesisht pozicionit të veçantë gjeografik ku shtrihej qyteti; pranë "autostradës së lashtësisë";  detit Adriatik, lumi Buna e Liqeni i Shkodrës, por edhe  kalimit të detyrueshëm të rrugëve toksore që lidhin Europen me Ballkanin, si prej prendimit në lindje  ashtu prej e veriut në jug.

Zhvillimet  gjeopolitike - ekonomike në dhetëvjeçarët e fundit të  shekullit XIX-të, dhe të fillimit të shekullit XX-të, fatkeqësisht damtuen interesat ekonomike të qytetit. Hekurudha Nish-Shkup-Selanik ndikoi  për spostimin e tregtisë tradicionale prej Shkodrës, por dami ma i madh i erdhi qytetit prej krijimit të shteteve të rij në Ballkan, në kurriz të tokave me shumicë shqiptarë autokton (në kuadrin e perandorisë Turke). Kufijt e ri politikë, ngushtuen tepër tregjet tradicionale me pasojë izolimin ekonomik të Shkodrës, dukuni që për arsye ideologjike u thellue ma tepër gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

Ballkani i " ri" e Shkodra e plakun "

"E megjithatë rrotullohet" pati deklarue para turrës së druve, i famëshmi Galileo. Duket që së bashku me tokën asht rrotullue edhe historia rajonale rreth Shkodrës. Zhvillimet e reja gjeopolitike në Ballkan kanë krijue situata optimiste për të ardhmen. Kosova Shtet i pamvarun, marëdhaniet e shkëlqyeshme me Malin e zi, anëtarësimi në Nato i shteteve të Ballkanit prendimor, përespektiva e  anëtarësimit në BE. etj., përbajnë premisa reale të nji "gjeopolitike te re" premtuese për  krijimin e marrëdhanieve të reja ndërshtetnore në rajon simbas standarteve europiane. Simbas këtij kandvështrimi,  element bazë për strategjinë e zhvillimit  të Qarkut të Shkodrës e në përgjithësi të veriut shqiptar konsiderohet sistemimi i  shtratit të lumit të Bunës, si arter  jetëdhanës në historinë mijavjeçare të rajonit; i vetmi lum i lundrueshëm në pjesën lindore të Adriatikut, me gjatësi 42 Km e nji ndër lumejt ma të randësishëm të Mesdheut i cili bashkon detin Adriatik me liqenin e Shkodrës, ma i madhi i Europës jugore, por...kaluen mbi 30 vjetë dhe " Asgja e re në frontin e prendimit" për Bunen!

Por çka duhet ba?  Përgjigjen e kësaj pyetje e jep "Përvoja  e vetem Përvoja historike mija vjeçare":  Duhet rikthye lundrimi lumor që ndërlidhë detin Adriatik me liqenin e Shkodrës nëpërmjet lumit Buna !

Kjo logjikë ishte nxitja e bashkëpunimit të Bashkisë Shkodër me Institutun ARNI, Boreto-Itali në vjetin 1996 me objektiv; studimin e projektimin e sistemimit të shtratit të lumit Buna në funksion të mbrojtjes së mjedisit dhe lundrimit. Kujtoj se edhe mbas 21 vjetëve, në vjetin 2017, "Projekt plani zhvillimor 20 vjeçarë për Bashkinë e Shkodrës", i financuem prej Qeverisë Shqiptare dhe i  realizuem prej Universitetit POLIS në bashkëpunim me Universitetin e Arizonës, Sh.B.A., e vlerësoi Shkodrën " Port lumor më ndërlidhje me Adriatikun dhe liqenin e Shkodrës", çka përputhet me iniciativën e vjetit 1996.

Simbas projekt-idesë së realizueme prej Institutit italian ARNI, Boretto-RE, (Shtator 1996) nën drejtimin e Ing. Dalla Luna, nji ndër ekspertët me  za  në botë në fushën e sistemimit të lumejve, rezulton se sistemimi i shtratit të lumit Buna nuk ofron vetëm lundrimin e anijeve detare-lumore të klasës së V-të, me kapacitet 2000 ton e me thellësi zhytjeje vetëm 3m., por edhe përmirësime të randësishme në fushën mjedisore tue hapë rrugët e rritjes së mirëqenies për popullsinë e zonës:

*Krijohen kushte reale për shërimin mjedisor - ekologjik të liqenit ( kujtojmë se specie të rralla të ekologjisëë mesdhetare rrezikojnë të zhduken si  psh. blini etj)

*Parandalohen përmbytjet e zonës, që po i shkaktojnë dame të mëdhaja popullsisë.

*Mbrohen fushat pjellore të bregut të Bunës prej grryemjeve erozionale, dukuni shumë alarmante e viteve të fundit.

*Zhvillohet transporti ujor, tue i dhanë nxitje aktiviteteve ekonomike të mundshme për zonën; industria e çimentos, tregtia e mineraleve, e inerteve, e produkteve të freskëta bujqësore sezonale,  implementimi i ekonomisë se " Plepi kulturës" dhe i  prodhimit e transportimit të prefabrikatëve prej betoni me dimensione gjigande etj.

*Zhvillohet turizmi në përgjithësi, plus  agroturizmi në fshatrat  buzë lumit Buna edhe në mungesën e nji infrastrukturës toksore bashkëkohore , tue ringjallë sektorin e shërbimeve, atë të prodhimeve të freskëta bujqësore, e  të artizanatit me aq tradita për qytetin e Shkodrës.

* Krijohet mundësia e ndertimit të porteve turistike ( lumore-liqenore) për anije private ku munden me u parkue mija e mija anije gjatë sezonit dimnor. Pagesat për parkimin dhe shërbimin vjetor për anijet sjellin të ardhuna të mëdhaja për vendin. Theksoj se delegacioni i institutit ARNI pati ardhë në Shqipni edhe me garanci prej Shtetit Italian për mundësinë e  thithjes së  investimit për projektin e ma sipërm  prej BE-së.

Sot që kaskata e lumit Drin ka marrë formën e sajë përfundimtare, gjej rastin me kujtue profesorin e mirënjohun të fushës së hidroteknikës, të ndjerin ing. Faraudin Hoxha ( ish  zv/ Kryetar i Akademisë së Shkencave) i cili konsideronte sistemimin e shtratiti të lumit Buna si hallkë finalizuese "të nevojshme e të domosdoshme" për sistemimin përfundimtar të Bashkësisë Ujore të Shkodrës ( lumejt Buna, Drini, Kiri,  Gjadri, Moraça e liqeni i Shkodrës). Gjithashtu kujtoj, por me keqardhje, se qeveria e asaj kohe (vjeti 1996 ) nuk pati tregue as ma të voglin interesim për kët projekt me kaq vlerë!

Kompleksiteti i përfitimeve që pasojnë sistemimin e shtratit të lumit Buna merr përmasa jo vetem rajonale por edhe ma gjanë, situatë që me siguri favorizon edhe mundësinë e investimit prej B.E., por për këtë duhet vullneti e dashamirësia e Qeverisë Shqiptare.

Zoti e ka krijue natyrën në shërbim të njeriut, asht inteligjenca njerëzore, ajo që duhet me gjetë rrugët optimale për me e shfrytëzue, por pa e damtue atë.

Rikthimi lundrimit në lumin e Bunës, rikthen përparimin e rritjen e mirëqenies jo vetem për Shkodrën, por  për të tanë veriun shqiptar.

Zotnij  Qeveritar, ktheni vemendjen drejt Qarkut të Shkodrës, lumi Buna  pret që prej 1996-tës ndërhymjen tuej !

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH