1

Brexit dhe Lëvizja e Lirë e Personave Britani – BE

               Publikuar në : 09:23 - 19/01/21 liberale

Xhezair Zaganjori

Sic ishte parashikuar, në mesnatën e Vitit të Ri 2021, së bashku me ndërrimin e viteve, Britania doli përfundimisht nga Bashkimi Europian. Ndër të tjera,  që nga ky moment,  ajo nuk është më edhe pjesë e Tregut të Brendshëm. Për Bashkimin Europian, Mbretëria e Bashkuar, me të cilën bashkëjetoi për gati 50 vite me radhë, është tani thjeshtë një “vend i tretë”, marrëdhëniet me të cilin rregullohen thuajse njëlloj si me vendet e tjera të treta në të katër anët e Botës. Të parët që mbetën të shokuar nga ky realitet i ri ishin shoferët e maunave pa fund dhe qytetarët e shumtë britanike që u detyruan të qëndrojnë gjatë apo të kthehen mbrapshtë që herët në mëngjesin e datës 1 janar në pikat e kalimit kufitar, sepse nuk kishin me vete dokumentacionin e duhur që normalisht u kërkohet shtetasve të vendeve të treta. Ky ndryshim i rëndësishëm ka shkaktuar jo pak pasiguri, pakënaqësi e konfuzion tek qytetarët britanike. Aq më tepër që një pjesë e mirë e tyre kanë planifikuar apo duan të planifikojnë udhëtime, vizita, studime, punë apo pushime në vënde të ndryshme të Europës. Ndërkaq rezulton qartësisht që informacioni që ato kanë për pasojat e Brexit, veçanërisht për lirinë e lëvizjes së personave, është shumë i mangët. Situata e krijuar sigurisht që kërkon angazhimin institucional të të gjitha palëve për të lehtësuar sa më shumë pasojat negative të Brexit në lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve evropiane, e veçanërisht për ato britanikë.

Në fakt, një nga mrekullitë kryesore që realizon Bashkimi Europian është Tregu i Brendshëm apo Tregu Unik, si një hapësirë pa kufij të brendshëm mes të gjithë shteteve anëtare të BE-se, brenda së cilës sigurohet lëvizja e lirë e mallrave, personave, shërbimeve dhe kapitaleve. Këtë përcaktim bën edhe sot paragrafi i dytë i nenit 26 i Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Europian. Ky ka qenë dhe është në fakt edhe objektivi i parë madhor i idesë së integrimit evropian. Në praktikë ky Treg do të realizohej realisht në fund të vitit 1992. Suksesi i padiskutueshëm i këtij projekti çoi në krijimin me 1 janar të vitit 1994 të Zonës Ekonomike Europiane (EEA-European Economic Area), e cila krijon mundësinë që në Tregun e Brendshëm, krahas shteteve anëtare të BE, të marrin pjesë edhe tre nga katër shtetet anëtare të EFTA-s (Shoqata Europiane e Tregtisë së Lirë), konkretisht Islanda, Norvegjia dhe Lihtenshtajni. Shteti i katërt i EFTA-s, Zvicra, është gjithashtu pjesë e Tregut të Brendshëm, por përmes një marrëveshje të veçantë dypalëshe që ajo ka përfunduar vite më parë me Bashkimin Europian. Pra, aksesi në katër liritë që garanton Tregu i Brendshëm u sigurohet ligjërisht e praktikisht sot mbi baza reciprociteti 31 shteteve (27 shteteve anëtare të BE, 3 shteteve të EFTA-s dhe Zvicrës).

Natyrisht që mes katër lirive kryesore që garanton Tregu i Brëndshëm, ajo që ka më shumë vlerë e interes për qytetarët e zakonshëm të shteteve anëtare është liria e lëvizjes së personave. Sipas kësaj të drejte, shtetasit e çdo shteti anëtar konsiderohen njëkohësisht edhe qytetarë të Bashkimit Evropian.  Si të tillë, brënda kësaj hapësirë territoriale, ato gëzojnë parimisht në çdo kohë të drejtën për të lëvizur lirisht pa vizë dhe pa pasaportë, por vetëm me kartë identiteti, e cila duhet treguar vetëm nëse ju kërkohet. Normalisht atyre nuk u kërkohet të japin shpjegime as për arsyet e lëvizjes. Ato kanë gjithashtu edhe të drejtën për të punuar e jetuar në secilin prej vendeve të kësaj organizate, nëse plotësojnë disa kritere apo kushte të caktuara të parashikuara nga aktet e BE. Pikërisht për këtë arsye, traktatet dhe aktet e tjera themelore të BE, si rregullore apo direktiva të shumta, trajtojnë me hollësi çështje të tilla të rëndësishme që kanë të bëjnë posaçërisht me lirinë e lëvizjes së punonjësve; të drejtën e vendosjes në territorin e një shteti tjetër anëtar dhe të drejtën e bashkimit familjar;  lirinë  e lëvizjes së personave të vetëpunësuar apo që ofrojnë ose marrin shërbime të caktuara; lirinë e lëvizjes dhe të qëndrimit të studentëve, të shtetasve jo aktivë në veprimtarinë ekonomike, të pensionistëve, e të tjerë. Si rregull kufizime në këtë drejtim mund të bëhen përjashtimisht vetëm për shkak të politikave publike, sigurisë kombëtare, sigurisë sociale apo shëndetit publik.

Përveç sa më sipër, duhet të dallojmë gjithashtu edhe të ashtuquajturën Zonë Shengen, e cila s’është gjë tjetër veçse një hapësirë që përfshin 26 vende anëtare të Europës, të cilat kane rënë dakord të lehtësojnë dukshëm lëvizjen e shtetasve respektivë, duke hequr në kufijtë e brëndshëm mes tyre çdo formë të kontrollit kufitar, përfshi këtu edhe kontrollin e pasaportave. Për shtetasit e vendeve të treta zbatohet gjithashtu një politikë e përbashkët në dhënien e vizave, të cilat, si rregull  janë më pas automatikisht të vlefshme në të gjitha vendet e tjera të kësaj zone. Nga 26 vendet anëtare të Zonës Shengen, 22 janë anëtarë të Bashkimit Europian dhe katër janë shtetet anëtare të EFTA-s (Islande, Norvegji, Zvicër dhe Lihtenshtajn). Irlanda nuk dëshiron të marrë pjesë, ndërsa katër shtetet e tjera anëtare të BE që ende nuk janë pjesë e kësaj zone (Bullgaria, Kroacia, Qipro dhe Rumania), do ta fitojnë këtë status pasi të plotësojnë disa standarde të caktuara me natyrë teknike. Pjesë e Zonës Shengen janë de fakto edhe tre mikroshtete evropiane, Monako, San Marino dhe shteti i Vatikanit. përveç sa më sipër, duhet sqaruar se në kuadër të lëvizjes së lirë të personave, Bashkimi Europian i njeh të drejtën cdo shteti anëtar që në bazë të kritereve të caktuara të paisë me të ashtuquajturën “Kartë Blu” çdo person që ka shtetësinë e një vendi të tretë ( pra  nga e gjithë Bota). Kjo kartë merret për një vend pune në këtë shtet anëtar, për shkak të aftësive të veçanta profesionale apo arsimimit të lartë të personit konkret. Për këtë qëllim, normalisht kërkohet edhe kontrata e punës apo oferta zyrtare e punëdhënësit. Mbajtësi i kësaj karte, që ngjason me Kartën Jeshile që jepet në ShBA,  ka si rregull perspektivën të marrë leje qëndrimi të përhershme në vendin respektiv të BE-së apo edhe shtetësinë e tij, gjë që do ta bënte menjëherë edhe qytetar europian. Nga 27 vendet anëtare të BE, “Kartë Blu” nuk kanë pranuar ta lëshojnë asnjëherë vetëm Danimarka dhe Irlanda (edhe Britania kur ishte anëtare).

Në kushtet aktuale, për shkak të Brexit, shtetasit britanikë sigurisht që nuk do të mund të gëzojnë shumë nga të drejtat dhe avantazhet e përmendura më sipër. Sepse ato nuk do të mund të quhen më qytetarë europiane, ashtu sic i përcakton shtetasit e vendeve anëtare Traktati i Mastrihtit. Shtetasit britanikë, mbi baza reciprociteti, do të kenë megjithatë një status disi më të privilegjuar për lirinë e udhëtimit pa vizë brënda Zones Shengen, ashtu sic e gëzojnë këtë të drejtë edhe shtetasit e 62 vëndeve të tjera të treta në rajone të ndryshme të botës, që shkojnë nga Ballkani Perendimor (Shqiperia, Bosnja, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut) e deri në Barbados, Bahamas, Kanada, Kili, Kolumbi, Kosta Rika, Japoni, Meksikë, Tongo, Uruguaj, Ukrainë, e të tjerë. Pra, mbi bazën e këtij statusi, shtetasit britanikë do të mund të futen në Zonën Shengen pa vizë, por nuk mund të qëndrojnë aty më shumë se 90 ditë brenda 180 ditëve kalendarikë. Ato duhet të kenë me vete gjithashtu pasaportën britanike të lëshuar brënda 10 viteve të fundit dhe me vlefshmëri të paktën edhe për 6 muajt në vijim, e cila tashmë padyshim që do të kontrollohet e pasqyrohet në sistemin elektronik për të bërë të mundur në të ardhmen edhe evidentimin e qartë të hyrje – daljeve; duhet të presin në radhën e gjatë të kontrollit kufitar që u rezervohet të gjithë udhëtarëve; mund ti nënshtrohen kontrollit të hollësishëm të dokumentacionit tjetër shoqërues si siguracioni shëndetësor, pasi për ato nuk do jetë më e vlefshme Karta Europiane e Sigurimit Shëndetësor; patenta britanike e drejtimit të makinës dhe dokumentet e tjera shoqëruese të vete automjetit; ftesa apo të dhëna të palës pritëse;  mjetet e mjaftueshme monetare; biletën e udhëtimit vajtje – ardhje; sqarimin e qëllimit dhe kohëzgjatjes së qëndrimit, e të tjerë. Po kështu, shtetasve britanikë nuk mund tu garantohet më në këtë hapësirë shërbimi pa pagesë i sistemit roaming, e të tjerë. Por ç’është më e rëndësishmja, qytetarët britanikë nuk do të kenë më automatikisht  të drejtën e punës dhe të vendosjes në një nga shtetet anëtare të BE-se. Biles, për momentin, ato nuk e kanë as të drejtën e përfitimit të Kartës Blu të BE-së përmendur më sipër, megjithëse normalisht kjo e drejtë mund dhe duhet tu garantohet në të ardhmen, ashtu siç veprohet praktikisht për të gjithë shtetasit e vendeve të treta. Me pak fjalë, marrë në tërësi, të gjithë dalin të humbur, edhe Britania edhe Bashkimi Europian. Nga njëra anë, shtetasit britanikë nuk do të mund të gëzojnë si më parë ndër të tjera të drejtën për të studiuar, punuar dhe për tu vendosur pa asnjë lloj diskriminimi  për shkak të shtetësisë në territoret e të gjithë shteteve anëtare të BE-së, me përjashtim të Irlandës, me të cilën Mbretëria e Bashkuar ka përfunduar pak kohë më parë një marrëveshje të veçantë bilaterale bashkëpunimi ekonomik e tregtar, përmes së cilës garantojnë reciprokisht edhe lirinë e lëvizjes së personave. Ato nuk do te mund të gëzojnë gjithashtu edhe mjaft të drejta të rëndësishme politike që garantojnë Traktatet e Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, edhe qytetarët e 31 shteteve anëtare të Zonës Ekonomike Europiane ( shtetet e BE dhe EEA),  si shtetas francezë, spanjollë, holandeze, gjermanë, norvegjezë, zviceranë, e të tjerë, nuk do të kenë automatikisht të drejtë për të punuar, studiuar e jetuar në Britani.

Në fakt, pas referendumit, Mbretëria e Bashkuar u përpoq shumë që edhe pas Brexit të mund të ruante në një masë të konsiderueshme aksesin e saj në Tregun e Brendshëm të Bashkimit Europian, me fokus kryesor qarkullimin e lirë te mallrave dhe të personave. Sigurisht që për shumë arsye, BE nuk e pranoi dhe nuk mund ta pranonte një propozim apo insistim të tillë. Po kështu, BE nuk pranoi edhe projektin e paraqitur nga politikani i njohur belg Guy Verforstadt, anëtar i Parlamentit Europian, i cili ishte ngarkuar nga ky institucion për të ndjekur nga afër bisedimet lidhur me Marrëveshjen e Brexit ndërmjet Komisionit dhe Qeverisë Britanike.  Sipas këtij projekti, shtetasit britanikë duhej të merrnin statusin e “qytetarisë së asociuar në BE”, i konceptuar ky si një status i veçantë në drejtim të gëzimit të mjaft të drejtave që kanë të bëjnë posaçërisht me lirinë e lëvizjes së personave. Në këto kushte, aktualisht kemi vetëm Marrëveshtjen Tregtare kuadër mes BE dhe Mbretërisë së Bashkuar, përfundimi i së cilës u bë i mundur vetëm në ditën e fundit të vitit që kaloi, e cila përkon njëkohësisht edhe me ditën e fundit të periudhës tranzitore që kishte në dispozicion Britania për të përgatitur daljen de jure e de fakto nga BE. Kjo marrëveshje natyrisht që nuk thotë dhe nuk mund të thotë asgjë  lidhur me katër liritë e lëvizjes brenda Tregut të Brëndshëm, përfshi këtu edhe lirinë e lëvizjes së personave. Për këto arësye, veçanërisht për qytetarët britanikë situata është përgjithësisht e paqartë e në mjaft raste edhe tepër e vështirë. Kemi parasysh këtu sidomos punësimet, bashkëpunimet e angazhimet e tyre në shumë e shumë vende europiane dhe në institucionet e mekanizmat e Bashkimit Europian. Prandaj, këto ditë po flitet gjithnjë e më shumë për një goditje jo të vogël që ka marrë realisht edhe vetë shtetësia britanike, pasi Mbretëria e Bashkuar, vendi me demokraci shembullore, zhvillimin e jashtëzakonshëm dhe pararoje e garantimit model të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, përmes politikave të saj, për herë të parë në histori ka kufizuar realisht të drejta të rëndësishme të qytetarëve të saj. Ka që shkojnë deri aty sa thonë që për shkak të Brexit, cilësia e shtetësisë britanike ka rënë nga vendi që kishte duke qenë ndër dhjetë më të mirat në botë, në një shtetësi të rangut të dytë.

Në këto kushte, krahas kritikave që tashmë janë në fakt pa vlerë, po mendohet seriozisht për masat e nevojshme që mund të merren për lehtësimin sa më shumë të gjendjes së krijuar. Mundësia e parë më e shpejtë dhe më e thjeshtë është ajo e përfitimit nga Kartat Blu, të cilat, sic kemi theksuar, është në gjendje ti lëshojë në bazë të kritereve të caktuara cdo shtet anëtar i BE. Kjo zgjidhje ka dy avantazhe: Së pari ajo bëhet në bazë e për zbatim të rregullimeve ligjore ekzistuese nga vetë e drejta e Bashkimit Europian. Së dyti, shumica e personave që do të kërkojnë të punësohen apo vendosen në territorin e shteteve anëtare të Hapsirës Ekonomike Europiane (EEA), kanë eksperiencën e duhur dhe kontaktet e nevojshme për ta ribëre një gjë të tillë sërish, pavarësisht se tani janë në kushte të tjera dhe me status krejt të ndryshëm. E rëndësishme është që përfitimi nga lëshimi i Kartës Blu realizohet pa qenë nevoja e përfundimit të një marrëveshje të veçantë mes Britanisë dhe Bashkimit Europian. Ky proces do të përshpejtohej edhe më shumë në rastet kur negociatat konkrete e individuale do të zhvilloheshin me vënde që historikisht kanë marrëdhënia disi më të veçanta e më të ngushta me Mbretërinë e Bashkuar. E në kushtet aktuale, sic kemi theksuar, kjo mund të përfundonte edhe me marrjen e shtetësisë. Kështu ndodhi këto ditë të janarit edhe me dirigjentin e shquar britanik me famë botërore Sir Simon Rattle, i cili, pasi përfundoi me sukses një kontratë disa vjeçare për drejtimin e Orkestrës Simfonike të Berlinit, tashmë një gjë të tillë do ta bëjë në Bavari, ku i është kërkuar të drejtojë Korin dhe Orkestrën Simfonike të Mynihut. Me këtë rast, me sa duket edhe per shkak të kushteve të reja të krijuara pas Brexit, ai menjëherë bëri kërkesë për të marre familjarisht shtetësinë gjermane, e cila me siguri që do ti jepet  shumë shpejt në të ardhmen.

Mundësia e dytë është përfundimi i marrëveshjeve bilaterale mes Britanisë dhe shteteve  anëtare të Zonës Ekonomike Europiane, që sipas rastit mund të jenë për cështje të përgjithshme apo të vecanta lidhur me lëvizjen e lirë të personave. Në këtë drejtim ajo ka fituar tashmë në fakt një eksperiencë mjaft të mirë. E ndërgjegjshme për pasojat negative të Brexit dhe me synimin për të bërë ç’është e mundur për ta paraqitur daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE si një zhvillim pozitiv, Qeveria Britanike ka arritur të përfundoje brënda vitit një sërë marrëveshjesh bilaterale shumë ambicioze në fushën e tregëtisë së lirë si dhe në fushën e shërbimeve financiare. Objektiv kryesor janë përpjekjet për shmangien e recesionit ekonomik, kontrollin e papunësisë si dhe shndërrimin e Britanisë në një nga qendrat më të rëndësishme financiare në nivel botëror. Ndër to, pervec Marrëveshjes së Tregtisë me BE të 30 dhjetorit 2020 dhe Marrëveshjes për Ndihmën Doganore me ShBA të të njëjtit vit, sipas radhës mund të përmënden edhe marrëveshjet me Vietnamin, Zvicrën,Turqinë, Meksikën, Brazilin, Kanadanë, Kenian, Izraelin, Korenë e Jugut, Ukrainën, Afrikën e Jugut, Hondurasin, Panamanë, e të tjerë.

E njëjta gjë pritet se mund të bëhet nga Mbretëria e Bashkuar edhe për lëvizjen e lirë të personave, duke përfunduar me disa apo me shumicën e shteteve anëtare të Zonës Ekonomike Europiane (EEA) marrëveshje për të drejtën për punë dhe për të drejtën e vendosjes pa diskriminim për shkak të shtetësisë për qytetarët respektive, ashtu sic kanë vepruar edhe me Irlandën. Kjo mund të bëhej shpejt veçanërisht me vendet e Europës kontinentale që e rrethojnë Britaninë, si me Norvegjinë, Danimarkën, Holandën, Belgjikën e Francën, pasi normalisht qe aksesi më i mirë dhe sa më i plotë në këto vënde ka shumë rëndësi për shtetasit britanike. Më pas mund të vazhdohej me marrëveshje të tjera  ku ka më shumë interes, si me Gjermaninë, Zvicrën, Spanjën, Portugalinë, Italinë, Maltën, Suedinë, e të tjerë, por natyrisht që pa bërë diskriminim mes shteteve anëtare të EEA, apo edhe brenda BE. Këtë lloj barazie të trajtimit apo të aksesit në territorin britanik kanë për detyrë ta garantojnë në parim edhe institucionet e Bashkimit Europian. Sidoqoftë, në këtë drejtim duhet njohur në fakt edhe vetë natyra fleksibël e marrëveshjeve bilaterale, pasi normalisht që palët, sipas rastit dhe interesave, janë të prirura gjithnjë të përfitojnë nga pala tjetër atë trajtim që për momentin u intereson më shumë. Për shembull, janë pikërisht këto interesa që detyruan Britaninë dhe Spanjën të përfundojnë me nxitim në fund të dhjetorit që kaloi (2020) një marrëveshje bilaterale të përkohshme (4 vjeçare) lidhur me lëvizjen e lirë në kufirin e Spanjës me Gjibraltarin. Siç dihet, ky territor mjaft i zhvilluar ekonomikisht, prej vetëm 6,7 kilometer katrorë dhe me rreth 270 mijë banorë, i rrethuar nga toka spanjolle dhe Deti Mesdhe, që nga viti 1713 ndodhet nën sovranitetin britanik, pavarësisht se që nga viti 2000 gëzon një autonomi të zgjeruar. Dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian dihej që do të krijonte probleme me katër liritë që garanton Tregu i Brëndshëm, e në mënyrë të veçantë për lëvizjen e lirë të personave, pasi ndër të tjera, çdo ditë shkojnë për të punuar në Gjibraltar rreth 10 mijë spanjollë. Nga ana tjetër, llogaritet se ky vend i vogël turistik vizitohet çdo vit nga të paktën  10 milion persona, shumica e të cilëve kalojnë përmes territorit spanjoll. Pikërisht për këto arsye, marrëveshja në fjalë e përfunduar vetëm pak kohë më parë mes Spanjës dhe Britanisë i krijon mundësinë kësaj kolonie britanike ti bashkëngjitet Zonës Shengen, duke bërë të mundur lëvizjen  në të dy drejtimet vetëm me kartë identiteti për shtetasit e kësaj Hapësirë, ndërsa vetë regjimi i lëvizjes përtej kësaj Hapsire do ti nënshtrohet parashikimeve  të Marrëveshjes Shengen. Dhe duhet patur parasysh që këtë status që gëzon aktualisht Gjibraltari nuk e ka as vetë Britania.

Sidoqoftë, këto janë disa nga problemet që besohet se do të mund të marrin rrugë në të ardhmen, pavarësisht se nuk janë të lehta për tu trajtuar e zgjidhur në praktikë. Megjithatë, mbi të gjitha duhet të ekzistojë vullneti i mirë në këtë drejtim si nga institucionet e BE dhe  shtetet anëtare të Zonës Ekonomike Europiane, ashtu edhe nga vetë Mbretëria e Bashkuar. E rëndësishme është që të gjithë qytetarët evropianë të mund të gëzojnë sa më shumë magjinë e lëvizjes së lirë të personave, e cila është në të njëjtën kohë edhe garanci për zhvillimin e qëndrueshëm, paqen sociale si dhe bashkëpunimin e mirëkuptimin e popujve të kontinentit të vjetër. /Gazeta Liberale

 

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back