Aktualitet

Botimi i UET PREESS/ Monografia “100 vjet kujdestari në Shqipëri” nga Tomi dhe Lindita Treska

Shkruar nga Liberale
Botimi i UET PREESS/ Monografia “100 vjet kujdestari në

Roli i mësuesit kujdestar në shkollat shqiptare duhet të parashikohet me ligj, kështu mendojnë ekspertët e edukimit Prof. Assoc. Dr. Tomi Treska dhe Dr. Lindita Treska, të cilët të premten, në mjediset e UET, promovuan monografinë “100 vjet kujdestari në Shqipëri”.

Libri, botimi i UET PRESS, vjen si një retrospektivë historike dhe reflektuese e rolit të mësuesit kujdestar në funksion të mësimdhënies gjatë një shekulli të pranisë së tij në shkollat shqiptare.

“[Librin] E kemi quajtur ‘100 vjet kujdestari’[...], sepse kujdestaria ka qenë pjesë e misionit të mësuesit pa u institucionalizuar mësuesi kujdestar, si i tillë,” – shpjegoi gjatë promovimit të monografisë Prof.Assoc. Dr. Tomi Treska.

Kjo është hera e parë që merret në studim roli i mësuesit kujdestar në sistemin e edukimit shqiptar. Monografia e çiftit Treska sjell me parametra shkencore dhe kërkimore të dhëna empirike për arsimin. Me njohuri dhe përvojë dhjetëravjeçare për edukimin autorët u referohen dokumenteve zyrtare, materialeve pedagogjike, manualeve dhe teorive të ndryshme të edukimit duke nxjerrë në pah zhvillimin e përgjithshëm të “Mësuesit kujdestar”.

“Që në vitet 20-të, kujdestaria ka qenë pjesë e portofolit të çdo mësuesi, vetëm përmes Ministrit të Arsimit Mirash Ivanaj, në vitin 1934 kujdestaria u kthye në aktor institucional. Emërtimi i parë i mësuesit kujdestar, ka qenë ‘Kujdestar i klasës’ dhe ne i kemi shtuar vetëm ‘Mësues kujdestar’, por prej asaj kohe e deri më sot thelbi i mësuesit kujdestar, megjithëse ka kaluar një Republikë, një Monarki, dy pushtime, një regjim komunist dhe 30 vite tranzicion, është i njëjti,” – tha më tej Prof. Assoc. Dr.Treska.

Për Dr.Zenel Sinën, i cili ka shkruar parathënien e monografisë, Tomi dhe Lindita Treska ia kanë dalë që së bashku me rolin e mësusiet kujdestar të bëjnë bashkë edhe tranzicionin e filozofisë dhe sistemit arsimor shqiptar gjatë viteve.

“Sjellja e jehonave nga periudhat e ndryshme historike të shkollës e bën studimin jo vetëm interesant, por edhe u mundëson lexuesve të kuptojnë ndikimet e rrymave, qasjeve, modeleve si dhe filozofive dhe ideologjive të ndryshme në përcaktimin e detyrave institucionale të mësuesit kujdestar në veçanti, por dhe në jetën e shkollës shqiptare në tërësi,” – shprehet Dr.Sina, i cili thekson se pavarësisht ndryshimeve, roli dhe përgjegjësia e mësuesit kujdestar në shkollat shqiptare ka mbetur pothuajse i pandryshuar.

Sikurse thotë Dr. Zenel Sina ndryshimet përgjatë viteve kanë bërë që mësuesi kujdestar të marrë në njëfarë mënyre një rol shumë-dimensional për formimin deri në dhënien e shëbrimit psiko-social për nxënësit. Sipas tij kjo mund të jetë arsyeja se pse mësuesit kujdestar ia dalin, pavarësisht trysnive, të jenë të domosdoshëm edhe në sistemin aktual të shkollës, një sistem të cilin Sina e quan “hibrid”.

Pikërisht pas një analize të ngjashme të rrugëtimit të “Mësuesit kujdestar” dhe rolit që ka kjo figurë në shkollat shqiptare, Prof. Assoc. Dr. Tomi Treska thotë se tanimë është e nevojshme që të ketë një ligj të veçantë që e rregullon më mirë punën e tij.

“Ka ardhur koha që ta ndryshojmë rolin dhe përgjegjësinë e figurës së mësuesit kujdestar, ka ardhur koha ta ndryshojmë këtë me një ligj përkatës,” – tha Prof. Treska, – “Ligji i arsimit parauniversitar nuk e përmend askund mësuesin kujdestar, ndërsa urdhëri përkatës i Ministrisë për funksionimin e institucioneve arsimore ka rreth shtatë nene që ngarkon me përgjegjësi mësuesit kujdestar.”

Sipas ekspertëve Tomi dhe Lindita Treska do të duhet që sistemi arsimor shqiptar ta parashikojë më saktë rolin e mësuesit kujdestar sipas filozofisë anglo-saksone, si një mentor, tutor dhe këshiltlar, i cili do të mund të kujdeset për formimin e nxënësit si njeri, qytetar dhe ta aftësojë atë për të marrë vendime të pjekura.

Monografia “100 vjet kujdestari në Shqipëri” mban vlerësime shkencore nga Prof. Asocc. Dr. Erika Melonashi dhe Dr. Besnik Rama. Ajo është e vetmja monografi në rrafshin e botimeve pedagogjike që trajton specifikisht rolin profesional të mësuesit shqiptar në kontekstin historik dhe aktual. Për rrjedhojë u këshillohet të gjithë aktorëve që përfshihen në sistemin e edukimit dhe shërbimit social.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH