Një vullkan që ka mbetur i fjetur për më shumë se 250,000 vjet në malet Ande të Bolivisë ka filluar të tregojë shenja të aktivitetit të mundshëm, duke shqetësuar shkencëtarët dhe autoritetet lokale. Vullkani Uturuncu, i njohur si “vullkani zombi”, ka përjetuar rritje të aktivitetit sizmik dhe emetime të gazrave, duke sugjeruar një mundësi të shpërthimit të tij pas një periudhe të gjatë pa aktivitet.
Një ekip shkencëtarësh të udhëhequr nga Universiteti i Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se ky aktivitet është për shkak të lëvizjes së lëngut dhe gazit nën krater, i cili ndodhet mbi trupin më të madh të njohur të magmës në koren e Tokës. Sipas tyre, toka në qendër të vullkanit po ngrihet, ndërsa zona përreth po fundoset, duke treguar një aktivitet të pazakontë për një vullkan që ka qenë i fjetur për kaq shumë kohë.
Vullkani Uturuncu është një stratovulkan i madh, i pjerrët, në formë koni, i ndërtuar nga shtresa lave të ngurtësuar, hiri vullkanik dhe shkëmbinjve. Ai qëndron mbi 6,000 metra lartësi dhe ndodhet në një zonë të banuar, duke rritur shqetësimin për pasojat e mundshme në rast të një shpërthimi.
Shkencëtarët paralajmërojnë se, megjithëse është e vështirë të parashikohet me saktësi kohën e shpërthimit, aktiviteti aktual i vullkanit kërkon vëmendje të shtuar dhe monitorim të vazhdueshëm. Ata rekomandojnë që autoritetet lokale dhe ndërkombëtare të jenë të përgatitura për çdo zhvillim të mundshëm dhe të ndërmarrin masa për të minimizuar rreziqet për jetën dhe pronën e njerëzve në zonë.